Kryetari i sindikatave të minatorëve, Fiqiri Xibti: Minatorët sot kanë nostalgji për kohën e diktaturës

766
Jakup GJOÇA
Minatorët protestojnë, ndërsa krerët e sindikatave fshihen, sepse janë kthyer në shërbëtorë të qeverisë dhe nuk mbrojnë aspak të drejtat sindikaliste të punëtorëve. Dje minatorët protestuan fuqishëm para kryeministrisë, sepse, siç u shprehën edhe ata, qeveria i ka harruar minatorët, nuk u jep as statusin e minatorit. Fiqir Xibri, në intervistën për gazetën “Telegraf” u shpreh se minatorët kanë nostalgji për kohën e Diktaturës, sepse diktatura u jepte ushqime, shërbim shëndetësor falas, pensione dhe rrogë shumë të mirë, ndërsa tani minatorët nuk kanë asnjë të drejtë dhe vdesin në miniera, ngaqë askush nuk kujdesohet për kushtet teknike në miniera. 
Zoti Xibri, përse protestuar sot (dje) para kryeministrisë?
– Për shkak se qeveria dhe kryeministri Rama nuk kanë zbatuar deri më sot ligjin, nuk kanë dashur të bisedojnë me sindikatat, por, për të anashkaluar problemet tona, takojnë sindikatat e tjera, që nuk janë interesuar ndonjëherë për kërkesat tona, dhe kërkojnë të miratojnë një projektligj të tyre, i cili nuk pasqyron me të vërtetë kërkesat tona. Ai projektligj i qeverisë do të ketë një kosto minimale dhe nuk do të mishërojë të drejtat tona të minatorit, të mohuara deri tani.
Ku e kontestoni ligjin “Për minatorin”?
– Ne kemi përgatitur një projektligj, dhe e kemi paraqitur institucioneve shtetërore dhe qeverisë para 1,5 viti para zgjedhjeve të 2017-s, për të cilin e kanë firmosur edhe sindikatat e tjera, pavarësisht, se pastaj ata, nën presionin e qeverisë, e kanë dredhur fjalën. Deri tani qeveria e ka “harruar” në sirtar, sepse pretendojnë që kostoja është e lartë, ka një VKM nr. 642 të nëntorit 2017, e cila e hedh poshtë projektligjin tonë, e paraqitur në parlament nga deputeti i zonës së Bulqizës, Spahia, dhe deputetët socialistë e rrëzuan në parlament. 
Çfarë përmban projektligji juaj?
– Kërkesa kryesore është pensioni minimal, të jetë jo më pak se 135 për qind i pagës minimale, sepse në kohën e diktaturës ka qenë 2-fishi i pagës minimale, paga minimale në miniera, të mos jetë më pak se 2-fishi i pagës minimale zyrtare, edhe kjo është më pak sesa na takon, mosha e pensionit, jo vetëm ata që kanë punuar vitet e plota, por edhe ata që kanë punuar 1, 2 ,3 vite më pak edhe ata të marrin pension, duke kuptuar që të marrin përshkallëzime të fitimeve. Projektligji përmban edhe trajtimin mjekësor të minatorëve, i cili duhet të jetë falas, trajtimi i familjeve të minatorëve që humbasin jetën në miniera, dhe gjëra të tjera që janë më pak të rëndësishme. 
Cila është gjendja e minierave dhe kushtet e punës të minatorëve?
– Nëse statusi i minatorit ishte disi, ne nuk do të protestonim vazhdimisht. Ne kërkojmë një status që të përcaktojnë drejt të drejtat e minatorëve. Nëse bëjmë krahasim me Botën, minierat tona janë skandal fare. E krahasojmë me gjendjen e minierave, me ato që ishin në diktaturë. Dhe pohojmë sot, që gjendja e minierave është shumë më keq, sesa ishte në diktaturë, pavarësisht se nga segmente të veçanta, firma të veçanta, pa gatur, ndoshta edhe vullnet për të bërë disa ndryshime. Në kohën e diktaturës, minatorit i jepnin ushqim falas, qumësht, i jepnin strehim, i jepnin mjekim falas edhe familjes së minatorit, pension të drejtë në krahasim me pagat e tjera. Sot, na i kanë marrë të gjitha të drejtat. Dhe me këto të këqija që na trajtojnë sot, minatorët kanë nostalgji për kohën e diktaturës. 
Zoti Xibri, a mban kush përgjegjësi sot për aksidentet e shpeshta vdekjeprurëse që ndodhin sot në minierat tona?
– E keqja është se sot fajin gjithnjë e ka viktima, minatori që vdes në minierë. Ky është ndryshimi kryesor që ka realiteti i minierave tona me kohën e diktaturës. Pavarësisht se çfarë të këqija kishte diktatura, në atë kohë sigurimi teknik në miniera ishte e rëndësisë kryesore, jeta e minatorit ishte kapitali më i madh i minierave. Mosrespektimi i rregullave të sigurimit teknik në miniera, kuadrin drejtues të minierave e dënonte me burg. Pra, pavarësisht teknologjisë së asaj kohe në miniera, vullneti për të mbrojtur aso kohe jetën e minatorit, ishte maksimal.
Sigal