Kryetari i PD takohet me fermerë në fshatin Kurdari të Klosit

447
Sigal

 

Lulzim Basha: Me 220 milion dollarë që Rama u jep 11 miqve të tij, çdo fermer do merrte nga 500 dollarë

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me fermerë në fshatin Kurdari të Klosit. Kjo është një ndër zonat me prodhimtarinë më të madhe dhe numëron rreth 800 fermerë. Në Kurdari ka 67 hektarë vreshta rrushi. Fermerët thanë se deri tani nuk kanë marrë asnjë subvencion dhe asnjë mbështetje nga shteti. 

Fermeri: Subvencione në kohën e PD-së kanë marrë si të majtë dhe të djathtë. Kurse sot nuk marrim asnjë farë subvencioni.

Basha: D.m.th keni marrë 5 milionë lekë për ha?

Fermeri: 5 milionë lekë për ha.

Banori: Më pak se 50 koshere bletësh nuk ka subvencion. Kështu që 50 për qind e blegtorëve nuk fitojnë nga kjo..

Basha: Jo më pak se 50 koshere?

Banori: Jo më pak se 50.

Basha: Me pas 48 koshere nuk merr subvencion ë?

Banori: Jo, nuk të takojnë. Kjo është një padrejtësi e madhe që i bëhet blegtorisë.

Fermer: Nuk është mbështetur fermeri i Bashkisë Klos, prandaj fermeri është në gjendje katastrofike. Varfëria është në ekstrem. Unë jam në një lagje me 21 familje, 18 familje marrin ushqimet me listë.

Zoti Basha tha, se paratë që duhet të shkonin tek fermerët shkojnë tek 11 miqtë e Edi Ramës dhe për shpenzime luksi. Me 220 milionë dollarë që kanë përfituar miqtë e Ramës, tha zoti Basha çdo fermer do të mund të merrte rreth 500 dollarë subvencion.

Basha: T’ju pyes kush ka marrë subvencion prej jush këto tre vite?

Fermerët: Absolutisht asnjë.

Basha: Pse nuk keni parë subvencione?! Sepse 11 klientë të Ramës kanë marrë 134 milionë dollarë dhe 92 milionë dollarë të tjerë kanë shkuar për orendi, për sende luksi, për makina, për bileta avioni. Pra, bashkërisht janë më shumë se 220 milionë, janë afro 230 milionë dollarë. 11 miqtë e vet kanë marrë aq sa do të mjaftonin për t’i dhënë çdo fermeri shqiptar po t’i ndanim barabartë 500 mijë lekë në vit. Ja ku janë lekët. Nuk është çështje mosdije, është çështje hajdutërie, NIPT-i që u kërkohet fermerëve, tha zoti Basha është thjesht justifikim i Edi Ramës që s’ka mbajtur asnjë premtim, pasi fermerët kanë numrin unik të identifikimit.

Lideri i opozitës tha se zgjidhja për fermerët janë subvencionet. Në programin qeverisës të demokratëve parashikohen 100 milionë dollarë subvencione direkte për fermerët.

Basha: Po s’pate NIPT thotë nuk ekziston fermeri. E di pse ju kërkon të merrni NIPT?! Për alibi. Dhe pasi të merrni NIPT-in, do të gjejë një alibi tjetër, po kapelen ku e keni? Fermerët kudo në Shqipëri, jo vetëm në Mat, nuk kanë parë një lek subvencion me sy. Sot për të justifikuar këtë e para ju thotë merrni NIPT, e dyta ju thotë merrni kredi. Kredia nuk është zgjidhje.

Zgjidhja jonë për fermerët, zgjidhja jonë për zhvillimin rural, për bujqësinë, për blegtorinë, për peshkimin, për bletarinë është subvencioni direkt tek çdo fermer. Shuma që ne do të vendosim për të mbështetur fermerët do të jetë 100 milionë dollarë në vit. Çdo fermer do të marrë subvencion direkt, pa NIPT sepse çdo fermer ka numrin personal të identifikimit që do të shërbejë si identifikimi fiskal i çdo fermeri.