Kryetari i PD-së Basha: Platforma emergjente e Opozitës: Pastrimi i politikës nga krimi, dekriminalizimi i zgjedhjeve, korrupsioni

528
Sigal

Platformat emergjente: pastrimi i politikës nga krimi, dekriminalizimi i zgjedhjeve

Kryetari i PD-së Basha: Partnerët ndërkombëtarë të mos bëjnë sikur nuk dinë, nuk dëgjojnë e nuk shohin

Kryetari i PD-së Lulzim Basha dje nga Berati, haptazi kritikoi ambasadorët e partnerëve tanë ndërkombëtarë të akredituar në Tiranë, që bëjnë sehir korrupsionit, bashkëpunimit të qeverisë me krimin, kapjen e drejtësisë nga qeveria, prishjen e balancave të pushtetit, etj. Basha tha: Nesër vjen një delegacion i Komisionit të Venecias, personalisht dua t’u them se janë munduar kot që kanë ardhur. Ne s’kërkojmë asgjë më shumë se sa standardi që ata miratuan për gjyqtarët dhe prokurorët.

Pakti i politikës me krimin

Një kryeministër që vjen me votat e blera, me paratë e pista të krimit, që vjen me mbështetjen e bandave kriminale, sigurisht që nuk i shkon mendja tek vogëlushët e Unazës së Re, nuk u shkon mendja tek prindërit, nuk u shkon mendja tek fermerët, pensionistët, tek studentët, tek sipërmarrja. Servilizmi, hipokrizia, mungesa e guximit, indiferenca e atyre që bëjnë propagandën e regjimit, pranojnë heshturazi apo kanë guximin ta mbrojnë në studio televizive, në artikuj gazetash dhe qëndrime të paskrupullta, nuk guxojnë të shfaqin të vërtetën ashtu siç është, por i bëjnë lajka dhe përpiqen t’u shesin shqiptarëve sapunin për djathë. Flasin për rritje ekonomike në një vend ku vetëm në katër vite janë larguar 500 mijë shqiptarë.

Kthim në parlament me politikanët e lidhur me krimin, nuk ka dhe nuk do të ketë

Një drejtësi e pastruar nga krimi dhe korrupsioni le të vendosë fatin e tyre, nëse kanë shkelur ligjin, le t’i çojnë ata në burg, por në institucione nuk mund të qëndrojnë asnjë ditë, s’mund të ketë standarde të dyfishta e të trefishta. I njëjti standard që Venecia rekomandoi për gjyqtarët dhe prokurorët, i njëjti standard që kjo qeverie bëri ligj për policët dhe gardistët. Ne do e kishim votuar po të kishin pranuar amendamentin tonë që vettingu i policisë të niste nga Ministri i Brendshëm, por që këta nuk e deshën, i njëjti standard duhet të vlejë edhe për politikanët. Kjo është vija e dytë e kuqe për opozitën. Trajtim preferencial për politikanët, nuk do të ketë. Dita kur politikanët të mos jenë më mbi ligjin, do të jetë dita e parë e bardhë për qytetarët në Shqipëri. Nëse duan zgjidhje institucionale, kjo është zgjidhje institucionale.

Krimi elektoral

Pa ndëshkuar krimin elektoral, pa ndëshkuar kryebashkiakët dhe ministrat, të cilët janë kapur në përgjimet zyrtare të prokurorisë duke bërë pakte kriminale me bandat për qëllime elektorale, nuk mund të ketë asnjë luftë kundër krimit, as drejtësi, as përparim në Shqipëri. Nuk mund të ketë e nuk do të ketë kompromis as me opozitën, as me Partinë Demokratike. Do të ketë betejë të vendosur.

2,2 miliardë euro për 10 apo 15 oligarkë

Po marrim vetëm një shembull, kontratat e tenderëve dhe koncesioneve dhe të ashtuquajturave Partneritet Publik Privat, të bëra pa garë, me garë fallso, me garë ku nuk fiton më i miri, pra oferta më e lirë, por oferta më e shtrenjtë, me kompani që themelohen të hënën dhe fitojnë farën të premten, me kompani fantazëm, të regjistruara në parajsat fiskale, sepse pronarët e vërtetë janë ministrat dhe pushtetarët aktualë. 2,2 miliardë euro për 10 apo 15 oligarkë. Këto janë 3 platformat emergjente: pastrimi i politikës nga krimi, dekriminalizimi i zgjedhjeve, që fillon me ndëshkimin e atyre që janë kapur tashmë duke vjedhur zgjedhjet; dhe platforma kundër korrupsionit dhe kundër oligarkisë. Mbi këto tre platforma ngrihet koncepti ynë i mirëqeverisjes, i cili ka në qendër fatin e qytetarëve shqiptarë dhe ekonominë shqiptare. Një pjesë e platformës tonë do të jetë edhe Ligji Antimafia, kundër oligarkisë dhe korrupsionit.