Kryetari i PD, Lulzim Basha erdhi në politikën shqiptare me helikopter

578
Abdi Baleta, ish-deputeti I PD, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se sot PD nuk bën opozitë, pasi në këto 2 vjet ngutet të marrë pushtetin, kur nuk ka asgjë për të dhënë. Zoti Baleta, thotë, se PD pastrimin e figurave të saj, duhet detyrimisht ta fillojë me të pasuruarit e saj, me ministrat, deputetët, zyrtarët e lartë të saj, si e kanë bërë pasurinë që kanë sot, kur politikën e filluan pa asgjë. Zoti Baleta thotë se kryetari i PD Lulzim Basha erdhi me helicopter në politikë, ndaj i duhet shumë për të qenë lider i saj, pasi opozita nuk bëhet me parrulla, me të bërtitura, dhe as duke kërkuar ditë e natë revolucion dhe thirrje për përmbysje të qeverisë. Sipas zotit Baleta, Halim Kosova nuk mund të bënte më shumë si kandidat në 21 qershor, pasi llogaridhënien duhet ta jepte ish-kryebashkiaku,Zoti Baleta, edhe pse e vlerëson faktin që Halim Kosova ka mbështetjen e amerikanëve, këshillon, që SHBA duhet ta studiojnë më mirë terrenin e politikës shqiptare. 

-Zoti Baleta, si e vlerësoni opozitën e sotme të PD?
– Shqipëria gjatë 25 viteve, që u bë me sistem pluralist politik, nuk ka pasur realisht opozitë dinjitoze. Ka filluar me opozitë sherrxhije dhe vazhdon tradita e opozitës sherrxhi. Qoftë kur në opozitë ka qenë PPSH, e më vonë u quajt PS, qoftë edhe kur në opozitë ishte PD, qoftë edhe tani, që PD është sërish në opozitë. Pra, fatkeqësia e Shqipërisë është se ka dështuar në binarin opozitar më shumë sesa në binarin shtetëror, sepse në binarin qeverisës ka vështirësi. Porn ë binarin opozitar, Shqipëria nuk duhej të dështonte. Duhej të krijonte opozitën që i duhej, që t’i jepte popullit garancinë që vërtet kjo qeverisje nuk është e mirë dhe duhet të ikë, por jam unë opozita gati, për të dhënë një alternativë më të mirë qeverisëse, nga qeveria aktuale. 

– Nga se vuan opozita e sotme?
– Kjo opozitë e sotme e PD, për mendimin tim, nuk e ka kuptuar fare rolin e opozitës. S’ka opozitë në Shqipëri. Unë nuk mund ta quaj opozitë, meqë bën sherr në parlament. Opozita, për mua duhet të krijohet nga e para. Unë kam bërë përpjekje për të dhënë kontributin tim në lëvizjen demokratike, për një farë kohe kam qenë shumë i afërt në PD, që PD nuk u bë asnjëherë parti demokratike, për të cilën kishim aq shumë nevojë. Nga e cila sot vuajmë kaq shumë edhe si sistem politik. Nuk u bë as atëherë, kur luftonim dhe Saliu shkonte në ekstremizma, nuk u bë as kur mbeti një opozitë mjerane, që e detyruan të dalë me forcë nga pushteti, nuk u bë as tani. Dhe kjo gjendje mjerë e PD në opozitë, më shqetëson më shumë sesa pushteti i sotëm, si një njeri që kam kontribuar në PD, sesa ky pushtet sot. Njëherë, dikur, më kanë pyetur: Nuk do ti që të iki Nano nga pushteti?”. Dhe u përgjigja: Unë dua të iki Nano dhe kushdo tjetër qoftë në pushtet, por nuk është kjo gjëja kryesore. Shqetësimi është: Kush do vijë pas tij? Unë, si qytetar, por edhe si njeri i politikës nuk kam asnjë besim, që ardhja në pushtet e kësaj opozite që është sot, do të na bëjë më mirë. 

– Çfarë i mungon opozitës së PD sot?
– PD vuan sepse nuk e ka kuptuar rolin e politikës. Të gjithë shqiptarët kujtojnë se politika është vetëm luftë për pushtet. Por lufta për pushtet është vetëm një aspekt i politikës. Për cilin pushtet lufton? Për cilin e do pushtetin? Përse brenda 2 vjetësh në PD janë të padurueshëm për të (ri)ardhë në pushtet? Pse nuk shtrohet problemi që çdo të bëhet me PD? Këta të PD sot nuk e dinë ku janë?! Është PD e vjetër? Apo është PD e re? Duan të mbajnë të vjetrën, apo duan të bëjnë një të re? Asnjë nuk di. Prandaj, edhe kanë grindje me njëri-tjetrin. Dhe fatkeqësia është që në PD nuk u krijuan ekipe serioze, që nga kontigjenti i parë, që e nisi këtë punë dhe nuk ka kontigjente serioze as nga ata “qytetarë”, që duan sa më shpejt të kapin pushtetin. Asnjë nga ata politikanët e PD sot, mua nuk më ngjall besim, që ky popull ka një shpresë, që nëse dështon rëndë kjo qeveri që është do kemi shpresën te opozita e PD. Por, edhe nëse vijnë në pushtet, PD do shfaqë dhe përsëritë të njëjtën sëmundje. PD kohët e fundit ka krijuar një post që do bëjë njëfarë transparente të pastërtisë së figurave politike të saj, që do hetojnë të gjithë. Këtë PD duhet të kishte bërë me kohë. PD, sa doli në opozitë, duhet të kishte bërë këtë gjë. “Ku jemi si parti?”. Duhet të pranonin humbjen dhe të thoshin: “Hallall, për 4 vjet ne nuk duhet t’u nxjerrim shumë telashe. Do t’i vëzhgojmë, do t’i kritikojmë, do t’u japim mundësi që të qeverisin. Në fund të 4-vjeçarit, do të jetë elektorati ai që do të gjykojë.” PD duhet të korrigjonte vetveten, fillimisht. Çfarë do të bëjë tani PD? Do të shikojë të inkriminuarit e vetvetes? Pse nuk e nisi nga të pasuruarit. Duhet të kenë kurajon edhe të ballafaqohen me vetveten dhe me historinë. “Zotërinj janë një takëm politikanësh sot, që e kanë filluar lëvizjen demokratike në opozitë. Le t’i marrim me radhë. Sa pasuri kanë pasur para 20 vjetësh? Dhe sa pasuri kanë sot?” Këtë le të bëjë PD, me të pasuruarit e saj, e pastaj le të bëjë pastërtinë e figurave politike të saj, nëse vërtet do të luftojë të inkriminuarit në gjirin e saj. Ta bëjë edhe partia, që gjithë ministrat e saj, të gjithë ish-zyrtarët e saj të lartë, të “zhvishen” para partisë, për pasurinë që kanë, të shpjegojnë si e bënë. Dhe pastaj del vetë e vërteta dhe transparenca për këdo. Kështu krijohet pastërtia dhe fitohet edhe besimi. Le ta bëjnë pastaj, edhe për gjykatësit, edhe për prokurorët. Por, këtu është e vështirë që të thuash, kë të hetojmë dhe kë të lëmë?! Sepse është ndjekur taktika: Të përlyejmë njëri-tjetrin. Të kompromentohemi bashkërisht. Të bëhet sa më i madh mullari i pisllëkut, që të mos ketë guxim askush për ta pastruar. Kjo ka ndodhur në Shqipëri. 

– Edhe disa eksponentë historikë të PD, duke kritikuar opozitën e sotme të PD, kanë vënë në pikëpyetje mungesën e një lidershipi të PD. Mendimi juaj?
– Po, është e vërtetë. Në PD nuk u krijua lidership. U krijua lider. PD = Berishë. Mbaroi. Ai nuk të lejonte. Eksponentët e fillimit nuk vlenin për lidershipa, sepse po të vlenin për lidership, ata nuk do të iknin nga PD në ato mënyra siç ikën. Nuk krijonin partiçka, pa ideale. Nuk ktheheshin më atje, në PD. Për kryetarin aktual të PD, nuk di si të flas. Nga njëra anë, më vjen keq, nga ana tjetër, dua ta kritikoj shumë, sepse i ka hyrë detit në këmbë, qysh kur e pranoi atë detyrë. Kryetari i PD, Lulzim Basha erdhi në politikën shqiptare me helikopter. Nuk e nisi nga shkallët e të mbërrinte te oxhaku. I duhet shumë punë, për të vërtetuar që është kryetari i PD. I duhet shumë punë që të dëftojë se çfarë vizioni ka. Nuk bëhet politika dhe opozita me parrulla. Kryetari i PD, Basha, së pari duhet të heqë dorë nga mënyra e të folurit. Nuk është e folme opozitare. Me britma, nuk bëhet politikë. Me parrulla, nuk bëhet. Me thirrje, natë e ditë për revolucion, nuk bëhet. Me thënie: “T’i përmbysim”, nuk bëhet opozitë. Ja i përmbyse?! Çdo të bësh? Me kë do ta bësh? Ata që ka përreth, nuk e besoj. PD është dobësuar në ekipin udhëheqës, nuk është forcuar. Ka humbur edhe atë tmerrin që krijonte Berisha. 

– Halim Kosova me kandidimin e tij në 21 qershor, çfarë ere solli në politikëbërjen e PD?
– Halim Kosova nuk mund të bënte gjë, sepse llogarinë duhet ta bënte ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës. Amerikanët nuk e njohin mirë terrenin e politikës shqiptare edhe pse Kosovën e quajnë njeriun e tyre. Tani Kosovës i kanë dhënë një detyrë shumë të madhe. Të shikojmë, sa do dëgjohet në PD dhe në opinionin publik. 
Sigal