Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka: Në shtator, ndërkombëtarët do të reagojnë fort në Shqipëri

1129
Sigal

Si një njohës i PS-së, do të dëshiroja të kishte një reflektim nga të ‘urtët’ e kësaj force politike, sepse është detyrë e tyre qytetare dhe politike të frenojnë këtë marrëzi që ka kapur PS-në dhe po merr në qafë vendin

Jakup B. GJOÇA

Agron Duka, kryetar i PAA, Opozita e Bashkuar në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se nga burimet e tyre diplomatike, ndërkombëtarët do të reagojnë fort në Shqipëri në shtator, ndërkohë, që Shkodra dha edhe një mësim më të qartë, se mazhoranca ka një ves që është marrëdhënia e saj me krimin dhe se në vendin tonë problemi nuk është data kur zhvillohen zgjedhjet, por standardi i tyre dhe se duhen bërë zgjedhje të reja, vendore dhe parlamentare.

Zoti Duka, përderisa kryebashkiaku i Shkodrës, i përzgjedhur nga vetë Kryeministri Rama rezultoi me Rekorde kriminale, a mendoni se ky fakt ishte i panjohur për Ramën?

– Pavarësisht qëndrimeve që mban kryeministri, pozicioni politik që mban i krijon përgjegjësi. Pra e dinte apo jo, politikisht ai është përgjegjës për çfarë ndodh me të zgjedhurit e tij. Edhe ligji i dekriminalizimit u votua qëllimisht për të ndalur simbiozën e kësaj mazhorance me krimin. Nuk janë shkurtabiqët, personazhet e rangjeve të ulëta të PS-së, që kanë përgjegjësi, por është vigani, ai që kryeson këtë forcë politike. Është vullneti politik që buron nga lart që ka sjellë përfshirjen e krimit në politikë-bërje.

A duhet që tashmë PS të kërkojë vetë zgjedhje të reja (të paktën për Shkodrn) si shprehje e kërkimit të Faljes politike ndaj qytetarëve shkodranë?

– OSBE foli qartë, zgjedhjet e 30 qershorit nuk u zhvilluan për qytetarët, prandaj këto zgjedhje nuk kanë asnjë vlerë, sepse ishin në kundërshtim me dekretin e Presidentit dhe ishin monopartiake. Prandaj zgjedhjet nuk duhen bërë vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë. Si një njohës i PS-së, do të dëshiroja të kishte një reflektim nga të ‘urtët’ e kësaj force politike, sepse është detyrë e tyre; qytetare dhe politike të frenojnë këtë marrëzi që ka kapur PS-në dhe po merr në qafë vendin.

– Nëse PS këmbëngul që Kryebashkiak të bëhet përfaqësues i zgjedhur nga Këshilli Bashkiak, çfarë mesazhi politik po përcillet?

– Në mungesë së Gjykatës Kushtetuese, rendi ligjor mund të konsiderohet i rënë, pra sundon arbitrariteti dhe ligji i më të fortit. Zonja Ademi është kryebashkiake deri në momentin e betimit të kryebashkiakut të ri, zgjidhje të tjera janë të gjitha forma të gangsterllëkut politik me të cilin jam i njohur, madje bollshëm në këto vitet e fundit. Nëse mazhoranca do të vendosë të shkelë edhe një herë ligjin, nuk do të jetë një surprizë për ne, por do të jetë thjesht, vijimi në jashtë-ligjshmëri i aksionit të tyre politik që e ka kthyer vendin në një autarki, falë treshes: Politikë, Krim dhe Oligarki. Në këto kushte, unë do t’i bëja një thirrje partnerëve ndërkombëtarë, që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kërkojnë pezullimin e të gjitha akteve të mazhorancës që kërkojnë shqyrtim nga kjo gjykatë. Janë ata që flasin me krenari për sukseset e Reformës në Drejtësi.

– Ju si e deshifroni heshtjen e deritanishme të ambasadave në Tiranë, OSBE ndaj fenomenit “Valdrin Pjetri”?

– Burimet tona diplomatike thonë se në shtator do të ketë qëndrime mjaft të forta. 30 qershori ndau shapin nga sheqeri, pasi pjesëmarrja e ulët dëshmoi se qytetarët nuk u bënë pjesë e votimeve për ‘komitetet ekzekutive’ të Rilindjes. Partnerët e kuptuan se njohuria e tyre për situatën ishte e cunguar, prandaj duhet të presim edhe pak ditë për të parë qëndrimet e ndërkombëtarëve, përfshirë këtu edhe rastin e Shkodrës.

– Nëse në 13 tetor bëhen zgjedhje vetëm në SHKODËR a duhet të marrë pjesë Opozita?

– Interesi publik kërkon që zgjedhje të ketë në gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Shkodër. Rasti i Shkodrës shërbeu për të konfirmuar edhe një herë se çfarë kundërshtari kemi përballë, konfirmoi se mazhoranca ka një ves që është marrëdhënia e saj me krimin dhe se në vendin tonë problemi nuk është data kur zhvillohen zgjedhjet, por standardi i tyre. Opozita do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do t’i fitojë ato, kur të ketë çuar deri në fund betejën e saj. Kur qytetarët të kenë mundësi që të votojnë të lirë, kur të mos jenë të shantazhuar nga krimi dhe kur vota e tyre të ketë peshën për të ndryshuar vendin jo thjeshtë politikanët. E jona është një betejë morale e cila është shumë pranë fundit dhe të jeni të bindur që do ta fitojmë.

– Thuhet se Opozita ” ia dhuroi” PS edhe Pushtetin Vendor pasi i “dhuroi” Parlamentin. A mendoni se kjo strategji e Opozitës dështoi?

– Strategjia e opozitës ishte ekstreme, por nuk dështoi sepse të gjitha akuzat tona u vërtetuan. Kur del nga sistemi merr përsipër shumë rreziqe. Por kur çështjet që kërkon të zgjidhësh janë në dobi të interesit publik, kur lufton për të ndryshuar një sistem të kalbur dhe e bën këtë duke rrezikuar ekzistencën politike, rezultatet do të jenë pozitive. Ne ceduam shumë pushtete pasi nuk ishte një betejë për interesin e ngushtë, prandaj edhe 30 qershori rezultoi një dështim i mazhorancës. Qytetarët kuptuan drejtësinë e kauzës tonë. Nëse do të qëndrojmë te parimet, të ndryshimi i sistemit, opozita do të ketë fituar betejën e saj sepse nga kjo betejë do të dalin fitues qytetarët shqiptarë.

– Çfarë do ndryshojë në strategjinë e Opozitës nga shtatori? Protestat 2 orëshe u bënë si “piknik” politik?
– Ka një arsye shumë të thjeshtë përse mazhoranca nuk cedon, është sistemi me të cilin zgjidhen deputetët. Nga momenti që deputetët janë noterë të verbër të kryeministrit dhe ndjekin kokëulur përballë çdo skandali, projektorët nuk duhen përqendruar te opozita, por te mazhoranca. Kemi arritur një ndërgjegjësim të madh të qytetarëve dhe të faktorit ndërkombëtar. Sigurisht nuk prisnim që kjo të ishte një betejë e lehtë, dhe të ndryshonim një sistem që është ndërtuar në tri dekada në pak muaj. Kjo kërkon kohë dhe sidomos kërkon ndihmën e çdo qytetari pasi kjo nuk është vetëm një betejë e opozitës. Në shtator do të kemi një strategji më të artikuluar, ku krahas protestave do të prezantojmë edhe alternativën dhe ekipin tonë. Ne si PAA jemi gati të japim kontributin në sektorët që synojmë të përfaqësojmë dhe kështu do të bëjnë edhe partitë e koalicionit.

– Faleminderit!