Kryetari i Parlamentit të Izraelit: Më duhet të them që ju jeni një mik shumë i fortë i vendit tonë në Shqipëri

582
Kryeparlamentari Ilir Meta priti të enjten në kryesinë e Kuvendit kryetarin e parlamentit izraelit, Knesset, Yuli-Yoel Edelstein, që ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Dy homologët shprehën angazhimin e përbashkët për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat. “Parlamentet tona janë të vendosur të mbështesin qeverinë institucionet, Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë që të prodhojnë rezultate konkrete në thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë e Izraelit”, u shpreh Meta në konferencën e përbashkët për shtyp. Vizita e homologut izraelit në Tiranë, tha kreu i Kuvendi, vjen në një moment të rëndësishëm të konsolidimit të veçantë të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Izraelit, që sivjet shënojnë 25 vjetorin e vendosjes së tyre në nivel diplomatik.
Meta solli në vëmendje marrëdhëniet e hershme mes dy vendeve të provuara në momentet më të errëta të historisë. “Ne vizituam një ekspozitë të çelur në Kuvendin e Shqipërisë, me dëshmi, fakte e faksimile, të cilat provojnë dashurinë dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm njerëzor që populli shqiptar ka pasur për komunitetin hebre gjatë persekutimit barbar të tij në Luftën e Dytë Botërore. Ne jemi ndjerë shumë krenarë kur konsatojmë se Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Evropë ku numri i hebrenjve është shumë më i madh pas Luftës së Dytë Botërore se sa para fillimit të saj. Asnjë hebre nuk iu dorëzua pushtuesve gjatë Luftës, gjë që na bën të ndjehemi krenarë” u shpreh Meta.
‘Ne na mbetet që këtë miqësi të fortë ta kthejmë në një avantazh për zhvillimin e marrëdhënieve mes dypalëshe’, vijoi kryeparlamentari shqiptar. Meta shprehu vendosmërinë për rritjen e shkëmbimeve parlamentare, ndërsa i cilësoi intensive ato mes dy qeverive. Ai solli në vëmendje vizitat e ndërsjella me fokus intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si turizëm, IT, transport, etj. Ai shprehu vendosmërinë e parlamenteve të të dy vendeve për të mbështetur qeveritë respektive, institucionet dhe Dhomat e Tregtisë e Industrisë që të prodhojnë rezultate konkrete. Meta vuri në dukje vlerësimet e përbashkëta që Shqipëria dhe Izraeli ndajnë për mjaft çështje të rëndësishme, ku siç tha ai, aktualisht jemi të fokusuar në sfidën kundër terrorizmit, e cila është mjaft serioze për vendet e rajonet tona, dhe për mbarë njerëzimin.
Kryetari i Knesett-t, Edelstein në fillim të deklaratës së tij shprehu vlerësimin e veçantë për homologun Meta, të cilin e konsideroi një mik shumë të fortë të Izraelit, që po punon shumë për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Edelstein vuri në dukje se marrëdhëniet Shqipëri-Izrael janë të bazuara në interesa të përbashkëta, por mbi të gjitha mbi miqësinë mes dy popujve, që ka ekzistuar dhe para krijimit të shtetit të Izraelit. Prej tre vjetësh Izraeli ka një ambasadë të tijën në Tiranë dhe po ashtu dhe Shqipëria në Izrael. Ne do të punojmë më tej që të zhvillojmë marrëdhëniet dypalëshe, tha Edelstein.
Sigal