Kryetari i PAA, Agron Duka mungon në protestën e sotme në Kuvend, mban fjalim mbi sigurinë ushqimore

628
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka nuk ishte i pranishëm ditën e sotme në protestën e Opozitës së bashkuar.
Por ndryshe nga të gjithë eksponentët e Opozitës që kryefjalë të tyre ditën e sotme kishin protestën dhe votimin për kryeprokuroren, ai ka shkruar për sigurinë ushqimore. 
Në një postim në rrjetet sociale, Duka shkruan se pasiguria ushqimore po i vret shqiptarët.
“Nëse keni fakte, prova, ose fotografi që dëshmojnë këtë realitet, ju ftoj t’i nisni në llogarinë time të Facebook dhe unë do t’i bëjë ato publike me qëllim sensibilizimin e mëtejshëm të qytetarëve dhe institucioneve kompetente”,- shkruan Duka ndër të tjera.
Më poshtë postimi i plotë: 
(Pa)siguria ushqimore që po vret shqiptarët
Mungesa e standardeve të sigurisë ushqimore ka krijuar një faturë të shumëfishtë për qytetarët shqiptarë. Urgjencat nga helmimet kanë arritur në 18 mijë gjatë një viti në QSUT, teksa dieta ushqimore është shkaktare në masën 70% për nivelin e sëmundjeve në vendin tonë.
Në Shqipëri, ushqimet përmbajnë hormone të ndaluara në vendet e BE-së, si dhe kimikate të tjera të përdorura shpesh jashtë kritereve. Këto kimikate ndikojnë në sistemin imunitar të njeriut, në dëmtimin apo prishjen e rritjes së kontrolluar nga sistemi hormonal, në tjetërsimin e metabolizmit normal dhe të gjeneve përgjegjëse të rrugëve kryesore metabolike, duke pasur si pasojë sëmundje të ndryshme. Është e frikshme por funksionet normale të trupit tonë, po dëmtohen nga kimikatet inxhinierike të cilat po shkaktojnë: obezitet, diabet, kancer, sëmundje kardiovaskulare dhe infertilitet. 
Por (pa)siguria ushqimore nuk cënon vetëm shëndetin e shqiptarëve, por edhe ekonominë tonë. Fermerët shqiptarë penalizohen me të paktën njëqind milionë euro të munguara në një vit nga bllokimi i eksporteve të produkteve blegtorale dhe mijëra biznese do të duhet të përballen me falimentin, pasi nuk do të mund të ofrojnë siguri në standarde nëse hapen negociatat me Bashkimin Europian.
Përtej llafeve dhe lajleluleve të mazhorancës, çfarë po prodhon pasigurinë ushqimore janë rokadat politike të drejtuesve në institucioneve si AKU, mungesa e burimeve financiare, kapacitetet njerëzore (profesionistët në favor të militantëve) dhe korrupsion endemik.
Partia Agrare Ambientaliste ka qenë dhe do të jetë zëri më i fortë në mbrojtje të konsumatorëve, dhe për të qenë edhe më pranë shqiptarëve që ndjejnë rrezikun që shtrohet përditë në tryezat e tyre, do të bëjmë publik çdo denoncim që vjen nga qytetarët e thjeshtë. 
Nëse keni fakte, prova, ose fotografi që dëshmojnë këtë realitet, ju ftoj t’i nisni në llogarinë time të Facebook dhe unë do t’i bëjë ato publike me qëllim sensibilizimin e mëtejshëm të qytetarëve dhe institucioneve kompetente.
Le të mos presim skandalin e radhës, por të veprojmë bashkë për sigurinë e familjeve tona. 
Faleminderit,
Agroni
Sigal