Kryetari i opozitës Basha: Edi Rama po synon të vjedhë territorin e konsullatës shqiptare në Nju Jork

609
Sigal

Opozita e bashkuar ka zhvilluar takimin e rradhws, kwtw herw nw Durrws, duke bojkotuar swrish parlamentin. Nga qyteti bregdetar, kryetari i PD-sw Basha, ka bwrw disa paralajmwrime pwr kryeminstrin Rama dhe bashkwpunetorwt e tij duke deklaruar se do do tw publikohen disa fakte qw vwrtetojnw bashkwpunimin e qeverisw me bandat kriminale.

Gjithashtu Basha ka dhwnw sipast tij dhe arsyen e vizitws sw kryeministrit nw Sh.B.A. ”

“Në vend të jepte dorëheqjen pas kapjes në flagrancë nga BE për vjedhjen me ligjiin e Teatrit, Rama zhduket pesë ditë në Nju Jork. Pse? Që të bëjë gati një tjetër vjedhje me ligj, të vjedhë territorin e konsullatës shqiptare në Nju Jork për të ndërtuar atje një grataçelë me miqtë e tij dhe për të marrë pjesën e tij nga kjo pronë publike e shtetit shqiptar”.

Pikat kryesore të fjalimit të Bashës

  • PD do të publikojë fakte tronditëse që tregojnë sesi Edi Rama dhe Fatmir Xhafa kanë përdorur pushtetin politik për të ndihmuar bandat e krimit të organizuar për të shtënë në dorë lojërat e fatit dhe për t’i përdorur ato për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit.

 

  • Në vend të jepte dorëheqjen pas kapjes në flagrancë nga BE për vjedhjen me ligjiin e Teatrit, Rama po bën gati vjedhjen me ligj të territorit të  konsullatës shqiptare në Nju Jork për të ndërtuar atje një grataçelë me miqtë e tij.

 

  • PD ka gati ndryshimet në Ligjin Antimafia, që parashikojnë anulimin e çdo koncesioni korruptiv. Bizneset që grabisin me qeverinë do të hetohen nga dita e parë krijimit, duke kaluar procesin më të rreptë të vettingut financiar. Do të verifikohen firmat për pasuritë publike nga nëpunësi më i thjeshtë deri tek kryeministri.

 

  • Edi Rama nuk e do vettingun politikë, por ai do të bëhet. Vettingu në politikë është një proces paralel me hetimin nga drejtësia. Nuk pengon, përjashton, kufizon as hetimin ndaj tyre, as ndaj familjarëve të tyre.

 

  • SPAK-u nuk është bërë që të hetojë familjarët e politikanëve, por që të hetojë politikanët. Familjarët e politikanëve nuk kanë asnjë mbrojtje. Prokuroria mund dhe duhet t’i hetojë që sot vëllezërit, motrat dhe familjarët e çdo politikani.

 

  • Edi Rama duhet të thotë pse nuk lejon hetimin e vëllait Olsi Rama për përfshirjen e tij, botërisht të njohur, në fabrikën e kokainës në Xibrakë, si dhe në afera të tjera kriminale në trafikun e drogës.

 

  • Të thuash se vettingu i politikanëve pengon reformën në drejtësi është njësoj si të thuash se vettingu në polici pengon reformën në drejtësi. Vettingu i politikanëve është i palidhur dhe nuk pengon Reformën në Drejtësi.

 

  • Brenda 18 tetorit, shqiptarët do të marrin vesh, nëse Edi Rama do ta bëjë vettingun politik sipas propozimit të opozitës në Parlament apo nëse do të duhet pastaj që shqiptarët ta bëjnë vettingun në politikë, siç i takon sovranit, kur sovraniteti vidhet nga bandat dhe hajdutët.

 

  • Mirëpres kërkesën e PDIU për të nisur bisedimet me PD bazuar në parimet dhe objektivat e shpallura, për çlirimin e vendit nga bashkëqeverisja me krimin.

 

  • Një Kryeministër dhe një Ministër i Brendshëm i palidhur me krimin është garancia minimale për të vazhduar përpara me reformën e proceseve të domosdoshme e për të zhbllokuar rrugën e bllokuar të Shqipërisë drejt BE-së. Mesazhet e partnerëve tanë janë të qartë: askush në Europë nuk do të tolerojë politikanë të lidhur me krimin.
FJALA E KRYETARIT TË PD LULZIM BASHA NË MBLEDHJEN E PËRBASHKËT TË GRUPEVE PARLAMENTARE TË OPOZITËS

Të nderuara zonja deputete, zotërinj deputetë të opozitës së bashkuar, kryetarë të partive aleate.

Të nderuar mikpritës, drejtues të partive opozitare të qytetit të Durrësit.

Ju falënderoj për mundësinë që na jepni të shpalosim sot nga ky qytet platformën opozitare për të nxjerrë vendin nga gjendja e emergjencës kombëtare ku e ka zhytur bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin.

Ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë takim të tretë, në këtë tryezë të tretë opozitare, e cila vjen pas një jave shumë intensive, jo vetëm për opozitën, opozitën, por edhe për Shqipërinë, javë në të cilën opozita e bashkuar finalizoi propozimin e saj kushtetues për vettingun e politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Si një shenjë tjetër e mosfunksionimit, e kthimit të tij në një çerdhe dhe shërbëtor të kriminelëve të lidhur me pushtetin, Gramoz Ruçi me urdhër të Edi Ramës tash 5 ditë refuzon të botojë në faqen on-line të Kuvendit të Shqipërisë, projektligjin kushtetues të propozuar me nënshkrimin e të gjithë deputetëve të opozitës për vettingun e politikanëve dhe relacionin përkatës.

Nxitojnë të fusin në kundërshtim me Kushtetutën vjedhjen me ligj, siç ishte ligji special “Rama-Fusha”. Nxitojnë t’i hapin rrugë ligjeve korruptive për të zhvatur dhe grabitur shqiptarët, pasuritë e tyre dhe xhepat e tyre, siç është rasti i ligjit korruptiv i lojërave të fatit. Po e përdorin Kuvendin e Shqipërisë si kuplaranë personale të Edi Ramës, duke refuzuar një detyrim ligjor, që është transparenca e iniciativës ligjore të nismës të opozitës.

Projekt-propozimi kushtetues do të mundësojë që politikanët t’i nënshtrohen vettingut njësoj si gjyqtarët, njësoj si prokurorët, njësoj si policët, njësoj si gardistët. Jo thjesht dhe vetëm qëndrimi i opozitës, por një kërkesë që e mbështet çdo shqiptar pavarësisht prej bindjeve politike.

Heshtja 48 orëshe, sulmet ndaj dekriminalizimit të mëtejshëm të vettingut për politikën, propozuar nga opozita e kanë nxjerrë edhe një herë Edi Ramën dhe frikën e tij të tmerrshme nga zbulimi dhe evidentimi institucional i lidhjeve të tij, të Fatmir Xhafës, të Taulant Ballës, Jurgis Çyrbes dhe dhjetëra politikanëve të tjerë të lartë të rilindjes, që nuk janë gjë tjetër tashmë përveç zëdhënësit dhe ortakët e bandave të krimit të organizuar.

Ndaj, në nisje në emër të opozitës i jap këtë ultimatum Gramoz Ruçit: Mos u sill si pronar kuplaraje, por, minimalisht, respekto rregulloren e Kuvendit! Boto online propozimin, ta shohin të gjithë shqiptarët dhe të hidhen poshtë të gjithë mashtrimet dhe gënjeshtrat. Keni tre ditë që s’e hidhni, se nuk dini sesi t’i përgjigjeni shqiptarëve se përse keni bërë ligj për vettingun e policëve dhe nuk pranoni vettingun e politikanëve?!

Sot Kuvendi, foleja e krimit do të hedhë poshtë dekretin e Presidentit, që kthen pas një nga aktet më korruptive të Edi Ramës, ligjin fiskal, paketën fiskale për lojërat e fatit.

23% paguajnë bizneset e ndershme anembanë Shqipërisë nga taksa progresive frymëmarrëse, ju merr frymën dhe i detyron të mbyllën dyert mesatarisht 45 biznese në ditë. Por për lojërat e fatit taksat ulen 15.

Ju kujtohen se si erdhën me tam-tame të mëdha këta dhe thanë: Do t’i mbyllim lojërat e fatit!

Shikoni shifrat, kanë shkuar nga 928 në 4200 pika për lojëra fati. Pse? Përgjigjja është fare e thjeshtë, pyesni Agron Xhafën, pyesni Olsi Ramën. Në qoftë se nuk i gjeni dot, pyesni vëllain e tyre kryeministrin e Shqipërisë dhe ministrin e Brendshëm. Them pyesni për retorikë, sepse nuk e kanë ndërmend t’ju përgjigjen.

Por duke nisur që nesër Partia Demokratike do të publikojë fakte tronditëse që tregojnë se si Edi Rama dhe Fatmir Xhafa kanë përdorur pushtetin politik për të ndihmuar bandat e krimit të organizuar për të shtënë në dorë lojërat e fatit dhe për t’i përdorur ato për aktivitetin e preferuar kriminal që nuk është më mbjellja e kanabisit, ndonëse vazhdon, por është pastrimi i parave të pista të kokainës, të heroinës dhe të aferave korruptive të Edi Ramës dhe bandës së tij të hajdutëve në qeveri.

Ndërkohë që ulen taksat për bizneset e Agron Xhafës dhe ortakëve të tij, anëtarëve të bandës së Agron Xhafës të dënuar në Itali për trafik droge, hiqet dëmshpërblimi për të përndjekurit politikë, ulet dyshemeja dhe vihen tavane, sepse partia që i persekutoi për 50 vite është shndërruar tani në një skalion, jo më krimi ideologjik, por krimit të organizuar dhe korrupsioni. Dhe këto para iu duhen për PPP-të, për koncesione korruptive, për vjedhjen me ligj.

Dua t’iu them sot të përndjekurve politikë, ajo që ndodh në Kuvend është moralisht një barbari e dytë mbi ju dhe familjet tuaja, jo thjesht dhe vetëm aspekti financiar por futja e duarve të rilindjes, bijve të xhahilëve dhe në disa rast vetë xhahilët, siç janë prokurorët dhe hetuesit i Sigurimit të Shtetit më në krye Fatmir Xhafën, tregon se nuk ka asnjë sens pendese ndaj vrasjeve, ekzekutimeve, burgosjeve, internimeve tuaja, prindërve dhe gjyshërve tuaj.

Akti i parë në ditën e dytë të maxhorancës së re do të jetë anulimi i këtij ligji, i këtyre amendimeve kriminale, që sot, pasardhësit e Enver Hoxhës dhe kriminelëve të tjerë të regjimit komunist po kalojnë në folenë e krimit të drejtuar nga kriminelët e vjetër dhe kriminelët e rinj.

Ne ju kërkojmë gjithsecilit prej jush të bashkoheni fuqimisht në aksionin politik, sepse kështu do t’i shërbeni jo vetëm dinjitetit të përndjekurve politikë, dinjitetit të nëpërkëmbur të përndjekurve politikë, por edhe dinjitetit të të gjithë shqiptarëve.

Vjedhja me ligj “Fusha Rama”, në çdo vend të Europës, do të dilte dhe tepronte si arsye që Edi Rama të jepte dorëheqjen. Vidhet diçka, kapet hajduti dhe shkon në burg. Kapet Edi Rama duke u përpjekur të vjedhë me ligj dhe çfarë bën? Zhduket pesë ditë në Nju Jork. Pse? Që të bëjë gati një tjetër vjedhje me ligj, të vjedhë territorin e konsullatës shqiptare në Nju Jork për të ndërtuar atje një grataçelë me miqtë e tij dhe për të marrë pjesën e tij nga kjo pronë publike e shtetit shqiptar.

 

Kështu do të vazhdojë sa kohë të kemi një kryehajdut, një kryemashtrues, një kryeministër të lidhur kokë e këmbë me krimin që ia ka hapur të gjitha dyert krimit.

Sot në Shqipëri qeveris krimi. Edi Rama harxhon çdo sekondë të ditës së tij për të zhdukur dhe për të vjedhur milionat e shqiptarëve, për të tjetërsuar pronat e shqiptarëve dhe për të zgjatur ditët e pushtetit të tij korruptiv.

Ditët e para të kësaj jave, të katër grupet e punës kanë nisur nga puna për hartimin e platformave dhe, padyshim, këtu një rol të veçantë ka platforma kundër PPP-ve korruptive, koncesioneve korruptive, prokurimeve korruptive dhe klienteliste.

Propozimi ligjor për ndryshimet në Ligjin Antimafia është draftuar dhe do të bëhet pjesë e kësaj pakete, të cilën, po kështu, opozita e bashkuar do ta ketë gati për ta vënë në zbatim pa asnjë vonesë. Ai parashikon qartësisht në radhë të parë anulimin e çdo koncesioni korruptiv.

Për Edi Ramën, për lakenjtë e tij në media dhe kudo, koncesioni korruptiv i Rrugës së Kombit është i papranueshëm. Vjedhja e dyfishtë e xhepave të shqiptarëve që kanë paguar me taksat e tyre ndërtimin e Rrugës së Kombit, që paguajnë çmimin më të lartë të naftës në rajon dhe në Evropë, ndërkohë që kanë fuqinë më të ulët blerëve në Europë, është një krim i shumëfishtë.

Partia Demokratike nuk e pranon, opozita e bashkuar nuk e pranon. i bëjmë thirrje qytetarëve të Kukësit të rezistojnë me të gjitha format dhe mjetet, dhe u bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë të qendrojnë fuqishëm, jo vetëm për qytetarët e Kukësit, por dhe për veten e tyre.

Nuk ka dhe nuk do të ketë një pengesë të ngritur me duart e shqiptarëve të korruptuar dhe hajdutë të babëzitur si Edi Rama për të zhbërë arterien më të rëndësishme kombëtare në historinë moderne të kombit shqiptar, që është rruga Durrës-Kukës-Prishtinë.

Të njëjtin fat e presin edhe koncesionet e tjera korruptive, në infrastrukturë, energji e kudo tjetër.

Atë që kemi paralajmëruar për aferën e pastrimit të parave të pisëta të drogës dhe grabitjes së pronës publike, shkatërrimit të memories historike të Tiranës dhe asgjësimit të institucionit të Teatrit Kombëtar, të njëjtën paralajmërojmë sot për këdo që është përfshirë në afera vjedhjeje dhe zhvatjeje me Edi Ramën, të parave dhe pasurive publike të shqiptarëve.

Do të hetoheni nga dita e parë e biznesit, do të kaloni procesin më të rreptë të vettingut financiar, ndërsa nëpunësit e shtetit që marrin pjesë në këto afera korruptive, ta dinë se do t’i ndjekim deri në Honolulu, për çdo firmë që kanë hedhur, qofshin këta nëpunësi më i thjeshtë i ministrisë apo i entit përkatës e deri tek kryeministri i vendit.

Sikur asgjë tjetër të mos bëjë mazhoranca e ardhshme, kësaj do t’i shkojmë deri në fund. Qindra milionë euro që grabiten nga xhepat e popullsisë më të varfër të Europës, do të zbulohen dhe do t’u rikthehen shqiptarëve.

Në një akt përbuzës dhe poshtërues, Edi Rama zbuloi pas 5 vitesh kryeministër i vendit një familje të varfër në Vlorë. Vetëm shpenzimet e filmit multiplikativ, janë më të mëdha sesa Edi Rama i jep asaj familjeje në Vlorë. Vetëm shpenzimet e udhëtimit luksoz në Nju-Jork, ku është zhdukur për 5 ditë, për të grabitur pronën e shtetit shqiptar, do të mjaftonin për të gjitha familjes e asaj bashkie për një vit.

Shfaqja me të varfrit tregon se Edi Rama ka humbur çdo kontakt me realitetin, por ka humbur edhe çdo ndjesi njerëzore.

Ndaj është e domosdoshme, që bashkë me theksin dhe prioritetin tek dekriminalizimi i politikës, të ndërmarrim të gjitha hapat për t’ia shkurtuar ditët një orë e më parë një qeverie dhe një kryeministri që nuk mjaftohet të vjedhë e të zhysë në varfëri e papunësi shqiptarët, por që tani sport dhe hobi të preferuar ka talljen dhe përbuzjen e tyre, mes akteve poshtëruese me shërbimin e disa mediave të bëra rrogoz qeverisë, në shkëmbim të favoreve, të tenderave dhe të shukave e të thasëve të parave të drogës e të korrupsionit me të cilat paguhen.

Zonja dhe zotërinj,

Rama nuk e do vettingun politik. Sepse vettingu politik ka për qëllim të largojë nga parlamenti, nga qeveria dhe nga zyrat e larta të shtetit, politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin. Për këtë arsye ka lançuar një fushatë paniku, plot me gënjeshtra dhe me mashtrime të trasha dhe pretendime false e të gënjeshtërta.

Dua t’u them sot shqiptarëve se ne e kemi dëgjuar dhe e kemi ndjerë mbështetjen tuaj të plotë. Kam marrë mijëra mesazhe nga ju, sikundër kolegët tonë opozitarë më konfirmojnë të njëjtën gjë.

Ju e doni vettingun politik, ju e mbështesni vettingun politik, vettingu në politikë do të bëhet!

Fatmir Xhafa, Taulant Balla, Jurges Çyrbja, Edi Rama dhe kushdo tjetër që është i lidhur me krimin, do të marrë atë që meriton. Të njëjtat argumente që sot paraqesin kundër vettingut në politikë, paraqitën kundër dekriminalizimit. Beteja ishte e gjatë, por ne ia kemi dalë të arrijmë një sukses të theksuar në këtë betejë, ndonëse jo të plotë.

Një gjysëm dyzine deputetësh, kryebashkiakë si Rroshi me shokë, janë sot jashtë politikës. Atyre do t’ju bashkohen edhe politikanët e lidhur me krimin.

Vettingu në politikë nuk e përjashton hetimin nga drejtësia.

Ai është një proces paralel me hetimin nga drejtësia.

Ndaj le t’i hedhim sot poshtë mashtrimet e Edi Ramës dhe të politikanëve të tjerë të lidhur me krimin, të cilët kanë për qëllim të pengojnë këtë proces kushtetues, që opozita e ka formuluar si një përgjigje kombëtare ndaj emergjencës së  bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin.

Pse është normale që vettingut t’i nënshtrohet polici më i thjeshtë, në fshatrat  më të harruara të Shqipërisë, por jo ministri që drejton gjithë kupolën e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Pse nuk na doli një problem teknik për vettingun e prokurorëve dhe të gjyqtarëve dhe ditë për ditë dalin zëdhënësit e krimit nga selia e “Rilindjes” dhe na nxjerrin probleme teknike me vettingun e politikanëve?

Vettingu i politikanëve të lartë nuk pengon asnjë lloj hetimi, as ndaj tyre, as ndaj familjarëve të tyre. As nuk përjashton, as nuk pengon, as nuk kufizon dhe as nuk ndikon në asnjë mënyrë hetimin e çdokujt tjetër.

Një gjë është e qartë, familjarët e politikanëve nuk kanë asnjë mbrojtje. Dhe në qoftëse do të kishim institucione funksionale, vëllezërit e kryeministrit dhe të ministrit të brendshëm, sikundër vëllezërit, motrat dhe familjarët e çdo politikani, të mazhorancës apo të opozitës, sot nuk ka asnjë pengesë që t’i hetojë prokuroria.

SPAK-u nuk është bërë që të hetojë familjarët e politikanëve, por që të hetojë politikanët. Pra nuk ka asnjë pengesë, zero pengesë që sot të hetohen familjarët e çdo politikani.

Po a e heton dot Edi Rama Olsi Ramën, për përfshirjen e tij, botërisht të njohur, në fabrikën e kokainës në Xibrakë, si dhe në afera të tjera kriminale në trafikun e drogës?

Sigurisht që jo. Për Olsin dhe prej Olsit bredh i lirë Saimir Tahiri, ministri i njohur botërisht në Europë si Ministri i Brendshëm, që ishte në të njëjtën kohë edhe koka e trafikut të drogës, në Shqipërinë e qeverisur nga Edi Rama.

A heton dot Fatmir Xhafa që është vetë subjekt i ligjit antimafia, për shkak të vëllait, të dënuar për drogë në itali dhe bos të drogës në Vlorë?

Cili do të jetë qendrimi i Grupit Parlamentar të udhëhequr nga Taulant Balla i Toyota Yaris-it.

Cili do të jetë qëndrimi i grupit parlamentar të udhëhequr nga Taulant Balla i Toyota Yaris, i cili pranon botërisht miqësinë e tij me numrin 3 të bandës më famëkeqe të historisë së Shqipërisë, bandën e Lushnjes.

SPAK-u dhe BKH e kanë juridiksionin e tyre për të hetuar politikanët.

Prokuroria sot mund të hetojë çdo familjar, ndaj pretendimi se opozita kërkon vettingun e politikanëve që të shmangë hetimin e familjarëve, është gënjeshtra më e trashë që ka qarkulluar që nga koha e Adil Çarçanit dhe tregon panikun e Edi Ramës, përpjekjet e tij të dëshpëruara për t’u justifikuar para shqiptarëve se; pse nuk e pranon vettingun në politikë.

Vettingu i politikanëve nuk ka asnjë lidhje dhe ndikim negative me reformën në drejtësi. Të gjitha veprimet e vettingut të politikanëve, janë të palidhura me Reformën në Drejtësi. Të thuash se vetting i politikanëve pengon reformën në drejtësi është njësoj sit ë thuash se vetting në polici pengon reformën në drejtësi.

E kuptoni sa trashë i presin gënjeshtrat?

Sepse ju kanë rënë të gjitha alibitë për të mos pranuar iniciativën tonë kushtetuese për pastrimin e Kuvendit nga politikanët e lidhur me krimin.

E vërteta është fare e thjeshtë: Socialistët i tremben, Edi Rama i trembet vettingut në politikë, njësoj siç iu tremb procesit të dekriminalizimit.

Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë negociatë, asnjë diskutim dhe asnjë ulje në tavolinë bisedash me Ramën dhe bandën e tij, sa kohë që institucionet e vendit janë pushtuar nga krimi dhe politikanët e lidhur me krimin.

Ne do të luftojmë deri në fund për të arritur dekriminalizimin e plotë, për të larguar politikanët e lidhur me krimin nga institucionet e vendit. Me çdo mjet dhe me çdo formë!

Qyteti ku ndodhemi sot është simbol i shumëfishtë i asaj që i ndodh shoqërisë, qyteteve, komuniteteve, ekonomisë, njerëzve të thjeshtë, kur qeveris krimi. Porti i Durrësit është dëshmitar I përditshëm dhe I përnatshëm I aferave të tmerrshme si ajo e drogës së Maminasit.

180 milionë euro kokainë u futën vetëm pasi u dhanë garanci të larta. Partnerët tanë strategjikë, tashmë janë në një stad të avancuar të evidentimit, jo thjesht dhe vetëm të ushtarëve në infrastrukturën kriminale të aferës së Maminasit, por edhe të garantorëve politikë. Nuk ka habi, nuk ka çudi!

Ata që garantuan Xibrakën, garantuan edhe Maminasin.

Ai që garantoi Toyota Yaris, i përket një grupi politikanësh, të cilët sot në lidhje të ngushtë me krimin, janë kthyer në një kërcënim serioz për stabilitetin e vendit, për stabilitetin e rajonit dhe eksportues të krimit dhe të drogës në Itali, Gjermani, Britaninë e Madhe, Holandë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Durrësi qeveriset nga banditër!

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është epitomë e shërbëtorit të bandave dhe të banditëve, bashkë me çirakun e tij, Çelën e OSHE-së.

Në qoftëse nuk do të kishim një prokurori që “i grabitet” posta dhe dosjet, siç ka ndodhur rëndom me prokurorinë e Durrësit, në qoftë se nuk do të kishim një kamikaze politike, një shërbëtore të Edi Ramës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sot Vangjush Dako do të kishte qenë në burg.

Materialet hetimore në ngarkim të tij, të cilat tregojnë qartë sesi në zgjedhjet e vitit 2017-të, ashtu edhe në zgjedhjet e vitit 2015-të dhe më parë, Vangush Dako ka shëmbyer tendera dhe para të shqiptarëve me vjedhje dhe blerje votash dhe kërcënim qytetarëve nga bandat që terrorizojnë Durrësin.

Nuk është mjaftuar Vangjush Dako me aleancën e tij personale me bandit e Lul Berishës, Plarent Dervishit, Emiljano Shullazit me shokë, por ka ofruar edhe Jurgis Çyrbjen, anëtarin e bandës së Emiljano Shullazit si anëtar të Kuvendit të Shqipërisë, si anëtar të grupit parlamentar të Rilindjes së kriminalizuar të Edi Ramës.

Dihet mirë se për çfarë është vendosur Jurgis Çyrbja deputet në listën e Durrësit. Në aferën e Vollgës u përplasën banda e Emiljano Shullazit me përkrahjen e Lul Berishës nga një anë dhe Hakmarrja për Drejtësi në anën tjetër, Jurgis Çyrbja ishte lojtari kyç për të plotësuar interesat e njërës bandë kundër bandës tjetër. Këtë e di gjithë Durrësi. E di fare mirë Edi Rama dhe natyrisht e di dhe Vangjush Dako, sikundër e dinë dhe mediat dhe gazetarët, të cilat vazhdojnë të jenë nën terrorin ose joshjen e pushtetit.

Nuk mund të them se nuk ka mirëkuptim. Një vend ku qëllohen gazetarët me automatik në shtëpitë e tyre ku flejnë fëmijët e tyre, nuk mund të them se nuk ka mirëkuptim për ta.

Por natyrisht kjo është një këmbanë alarmi më shumë, sepse nuk mund të vazhdojmë më shumë, nuk mund të vazhdojmë më asnjë sekondë në këtë gjendje dhe në këtë situatë pa zgjidhur problemin dhe problem nuk është banditi që shkrehu automatikun, problem është ai që mundësoi që banditi të godasë gazetarët.

Është ai që e solli Jurgis Çyrbjen deputet, kur duhet ta çonte në burg dhe mban deputet kur duhet të jetë në burg, sepse është ai që kontrollon Arta Markun dhe vartësi antikushtetues të saj, njësoj si ajo, është antikushtetuese.

Është ai që shpenzon gjithë kohën e tij të përditshme dhe të përnatshme me kriminelët dhe banditët kriminale për të menaxhuar pushtetin e tij, sepse Shqipërinë, njësoj si Durrësin e menaxhojnë banditët.

Të kota janë përpjekjet e Fatmir Xhafës që merr vesh se ku do të mblidhet opozita për të bërë aksione show, siç bëri dje në Nikël, se këtu në Durrës nuk ia mban. As 24 orë nuk kanë kaluar dhe janë liruar shumica dhe do të lirohen edhe ata që kanë mbetur.

Dielli nuk mbulohet me shoshë!

Ndaj nuk ka për të pasur një fasadë normalitet.

Nuk ka për të pasur dhe nuk do të ketë për asnjë çast ndryshim të kursit që kjo opozitë bashkërisht vendosi dhe vulosi të hënën dhe të enjten e kaluar dhe formalizoi të premten me propozimet tona kushtetuese.

Por ka për të patur një intensifikim të veprimit tonë, si për platformën tonë për dekriminalizim të plotë të politikës, largimit të plotë të politikanëve të lidhur me krimin nga Kuvendi dhe institucionet e tjera drejtuese, si për ndryshimet në ligjin Antimafia dhe vettingun e PPP-ve dhe koncensioneve, ashtu edhe për alternativen që do t’u ofrojmë shqiptarëve për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo katastrofë.

Puna në grupet e punës duhet të procedojë me shpejtësi, natyrisht dhe me cilësi sepse vetëm ky është vetëm fillimi i punës.

Pa humbur asnjë ditë kohë, propozimet  e vlefshme që kanë ardhur do t’i nënshtrohen një konsultimi mbarëkombëtar me qytetarët shqiptarë, në mënyrë që beteja politike që do të nisë për t’i dhënë fund bashkëqeverisjes me krimin, të jetë po kështu edhe beteja e udhëtimit jo thjesht e opozitës politike, por edhe opozitës kombëtare, që është shumica dërrmuese e shqiptarëve që duan ndryshimin, drejt një vizioni dhe një horizonti të ri shprese dhe besimi te vetja e tyre, te familja e tyre dhe te vendi i tyre.

Dhe të një Shqipërie që nuk i harxhon paratë e taksave për të majmur 5 oligarkë apo për të paguar jetën prej sheiku të Kryeministrit dhe nuk ka para për të paguar ndihmën sociale, që shkurton dëmshpërblimin për të përndjekurit, që rrit faturat e ujit dhe të dritës, që çon njerëzit masivisht drejt dëshpërimit duke e çuar në shifra rekord të vetëvrasjes, që ka zbrazur shkollat dhe universitetet, nga 144 mijë studentë, që ka shkatërruar tregun e punës dhe ekonominë shqiptare, ku e vetmja degë që përparon është ajo e krimit të organizuar.

Të një Shqipërie që ofron bollshëm mundësi për çdo familje, për çdo kryefamiljar, çdo vogëlushi dhe çdo të riu shqiptar të gëzojë frytet e një vendi të bekuar me pasuri dhe mundësi për të gjithë.

Ne kemi vullnetin, vizionin dhe planin për ta bërë këtë të mundur.

Por të mos keni dyshim. Ajo që na pret në fillim, është beteja.

Është lufta për t’i dhënë fund bashkëqeverisjes me krimin. Pa fitoren e së cilës, nuk do të kemi asnjë ditë dhe asnjë orë të bardhë.

Kjo është emergjenca jonë kombëtare dhe këtë nënkupton avancimi i menjëhershëm, pa pritur në përfundimin e të gjithë platformës, me propozimin kushtetues për vettingun e politikanëve të lidhur me krimin.

Të botohet menjëherë në faqen e Kuvendit! Më thonë që e paskan botuar! 5 ditë me vonesë…

Të nisë menjëherë procedurat kushtetuese pa asnjë vonesë.

Brenda 18 tetorit, shqiptarët do të marrin vesh, nëse Edi Rama do ta bëjë vettingun politik sipas propozimit të opozitës në Parlament apo nëse do të duhet pastaj që shqiptarët ta bëjnë vettingun në politikë, siç i takon sovranit, kur sovraniteti vidhet nga bandat dhe hajdutët.

Do të punojmë ditë për ditë për të arritur këtë qëllim të drejtë dhe të mbështetur nga shumica e shqiptarëve.

Asgjë nuk do të na ndalë!

Në këtë kuadër mirëpres kërkesën e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, për të nisur bisedimet me Partinë Demokratike dhe opozitën, bazuar në parimet dhe objektivat e shpallura, për çlirimin e vendit nga bashkëqeverisja me krimin, të vendosjes së interesit të shqiptarëve, të interesit të qytetarëve shqiptarë dhe interesave kombëtare mbi interesat e bandës në pushtet dhe të formulimit të zgjidhjeve të përbashkëta për t’i dhënë fund emergjencës kombëtare ku e ka futur vendin Edi Rama dhe banda me të cilën ai bashkëqeveris.

Në të njëjtën emergjencë ndodhet edhe Reforma në Drejtësi.

Grupi i punës që po punon për këtë çështje ka pa dyshim sfidat më komplekse.

Dy vjet e gjysëm më parë miratuam një reformë për t’i dhënë shqiptarëve një drejtësi të pakorruptuar me gjyqtarë dhe prokurorë që nuk mbrojnë por ndëshkojnë politikanët e lidhur me krimin, politikanët e korruptuar, krimin e organizuar.

Dy vjet e gjysëm më vonë, asnjë bos, nuk ka përfunduar në burg, përkundrazi. Si këtu në Durrës, i kanë nxjerrë nga burgu dhe të tjerë do të nxjerrin nga burgu dhe të tjerë do të fitojnë pafajësinë.

Asnjë politikan, as ky i kapur me presh në dorë, Ministri i Brendshëm.

Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, është pa Gjykatë të Lartë, pa Prokurori, një prokuror shërbëtor të Edi Ramës, ndërkohë që nën trysninë politike vettingu konfirmon gjyqtarë, si Ardian Dvorani prokurori komunist i proceseve politike, torturonte të rinjtë e Shkodrës në vitin 1990, në procese politike apo gjyqtarë që kanë liruar vrasës të kryekomisarëve të policisë apo kanë grabitur ashiqare pronat nga Karaburuni në Velipojë.

Dhe me këta duan të bëjnë KLGJ-në dhe KLP-në.

Me këta duan të bëjnë emërimet e drejtësisë së reformuar. Këta do të vendosin pastaj se kush është për t’u bërë gjyqtar i lartë, e kush gjyqtar apeli.

Projekti i Edi Ramës, është i qartë, të kapë trungun e Reformës në Drejtësi, që të kontrollojë degët dhe frutat e Reformës në Drejtësi. Që çdo gjyqtar dhe prokuror ta dijë që emërimin e ka prej Edi Ramës dhe lakejve të tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Kjo është e papranueshme.

Kjo ka një qëllim, të mbrojë Ramën dhe bandën e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Kjo është e papranueshme.

Kemi kërkuar dhe kemi marrë zotimin e partnerëve ndërkombëtarë për të na ndihmuar në sfidën shumë komplekse që kemi përpara.

Jemi i vetmi vend në botë që kemi ardhur në këtë pikë. Kemi ardhur në këtë pikë ku vendi është pa gjykata, pa prokurori, pa asnjë kriminel apo një politikan të korruptuar para drejtësisë, dhe na kërkohet nga këta politikanë të lidhur me krimin, të ulemi dhe të vazhdojmë të bëjmë ligje antikushtetuese, si ligji “Rama-Fusha”.

Natyrisht, përgjigjen  për këtë paradoks ne e kemi dhënë dhe do t’ia japim çdokujt, kundërshtarëve tanë apo edhe miqve tanë, të informuar apo të painformuar, por e rëndësishme është që grupi i Reformës në Drejtësi menjëherë të dalë me një platformë të plotë, që t’i japë përgjigje kolapsit të sistemit e t’u tregojë shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtarë, jo thjesht përgjegjësit për këtë kolaps por edhe rrugën për të dalë nga ky kolaps.

Ne duam gjyqtarë dhe prokurorë të pa korruptuar, të palidhur me krimin, të pa kapur nga pushteti të cilët nuk mbrojnë, por ndëshkojnë politikanët e lidhur me krimin dhe politikanët e korruptuar.

Grupi i punës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, po kështu ka përpara një detyrë komplekse.

Në këtë situatë ku ndodhet vendi, mekanizmi i vetëm sesi qëndron në pushtet kjo bandë, është asgjësimi i procesit politik të zgjedhjeve.

Natyrisht puna për këtë është shumë më shumë sesa thjesht dhe vetëm avancimi me platformën tonë të digjitalizimit, evidentimit digjital, biometrik, votimit elektronik dhe numërimit elektronik.

Vetëm duke dhënë përgjigje të plotë shit-blerjes së votës, rolit të organizatave, kapjes totale të institucioneve shtetërore, thyerjes së çdo ligji nga to, për të mbledhur dhe shpërdoruar të dhënat e qytetarëve dhe për të ushtruar presion të drejtpërdrejt tek të punësuarit dhe familjarëve të të punësuarve, vetëm këto hapa, mund të çojnë drejt një fushe kushtesh të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kushti numër një është dhe mbetet:

Fundi i bashkëqeverisjes me krimin, që do të thotë, largimi i një kryeministri dhe një Ministri të Brendshëm të lidhur me krimin, pasi një kryeministër dhe një Ministër i Brendshëm i palidhur me krimin është garancia minimale për të vazhduar përpara me reformën e proceseve të domosdoshme e për të zhbllokuar rrugën e bllokuar të Shqipërisë drejt BE-së,  cila do të mbetet e bllokuar.

Mesazhet er partnerëve tanë janë të qartë, i kam marrë drejtpërdrejt dhe jua jap drejtpërdrejt. Askush në Europë nuk do të tolerojë politikanë të lidhur me krimin.

Kemi një punë të madhe.

Në këtë kontekst, në katër shtyllat e platformës sonë, një punë edhe më të madhe kemi për konstruktimin e kësaj platforme me qytetarët, prandaj sugjeroj të nisni menjëherë nga puna të dëgjojmë raportimet e katër grupeve të punës dhe të përcaktojmë piketat kryesore të avancimit të mëtejshëm të aksionit tonë politik.