“Kryetari i LSI-së, do të zgjidhet me votimin ‘një anëtar, një votë”

507
Sigal

INTERVISTA/ Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Ardit Çela: “Edhe reforma parlamentare, duhet të miratohet në 6 gusht”
Në intervistën për “Telegraf”, zoti Ardit Çela, sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, argumenton rëndësinë politike që ka miratimi i reformës për heqje/kufizimin e imunitetit në 6 gusht, e lidhur kjo edhe me apelin e ndërkombëtarëve, për vetë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Madje, zoti Çela, shtron domosdoshmërinë për realizimin e gjithë reformave, që janë prioritetet e përmbushjes të standardeve politike për marrjen e statusit të kandidatit, edhe miratimin e reformës parlamentare, bashkërisht me reformën e imunitetit. Vetë LSI-ja, sipas zotit Çela, është në një proces integrimi të brendshëm, dhe që do të kurorëzohet në shtator me mbajtjen e Konventës Kombëtare. Për herë të parë, që një forcë politike, po zbaton norma kaq demokratike, sikurse LSI-ja, që në Konventën Kombëtare, do të marrin pjesë delegatë në përqindje të madhe nga forumet e RSI, GSI dhe zgjedhja e Kryetarit të LSI-së, do të bëhet sipas parimit ‘ një anëtar, një votë”.
– Zoti Çela, si e vlerësoni procesin e deritanishëm për heqjen e imuniteteve dhe sa vendimtar është miratimi i heqjes së imuniteteve më 6 gusht lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat?
– Heqja e imuniteteve është një detyrim tepër i rëndësishëm, një kriter themelor i cili duhet të përmbushet, në mënyrë që Shqipëria të maksimizojë mundësitë e saj për të marrë statusin e vendit kandidat, por njëkohësisht edhe për të patur produkte tepër të rëndësishme në jetën e vendit, produkte të cilat në fund të fundit synon të japë e të bëjë të mundur edhe përmbushja e këtij kriteri. Natyrshëm, që është një proces, i cili po zhvillohet, palë të ndryshme kanë mendime të ndryshme lidhur me disa nga çështjet, megjithëse e rëndësishme është që në parim palët janë dakord. Nga ana tjetër mendoj që me pak mirëkuptim dhe me më shumë dialog dhe pozitivitet, janë të gjitha mundësitë që këto ndryshime të votohen në 6 gusht.
– Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për miratimin e heqjes së imuniteteve, si e shihni reagimin e klasës politike deri në datë 6 gusht përballë këtij apeli?
– Ashtu sikurse edhe e keni ndjekur, palët deklarojnë që në parim janë pro heqjes së imuniteteve dhe kjo është diçka pozitive. Natyrisht, që ekzistojnë ide të ndryshme lidhur me modalitete të ndryshme, e megjithatë unë jam i mendimit se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të respektohet afati kohor dhe gjithçka të mbyllet me votimin e datës 6 gusht. Është duke u zhvilluar një proces dhe progresi që duhet të karakterizojë këtë proces duhet të jetë më i shpejtë, e duhet të ecë me ritme më të larta. Nuk ka asnjë arsye përse të kemi vonesa të tjera, dhe sërish theksoj se data 6 gusht mund dhe duhet të jetë moment që këto ndryshime duhet të kalojnë në Parlament.
– Si e shikoni realizimin e reformës parlamentare, ku LSI-ja ka kërkuar përfundimin sa më parë të saj?
– Për të qenë të sinqertë ne po flasim për kritere, të cilat duhet të ishin përmbushur shumë kohë më përpara. Edhe reforma parlamentare, ashtu sikurse reforma zgjedhore, heqja e imuniteteve, apo edhe kritere të tjera, që kanë të bëjnë me procese, të cilat kërkojnë konsensus politik pozitë – opozitë janë të vonuara në aspektin e përmbushjes dhe realizimit të tyre. Nëse klasa politike do të kishte ditur të ishte më e përgjegjshme, atëherë diskutimet sot do të kishin qenë krejt të tjera, pasi këto reforma do të ishin përmbushur dhe Shqipëria do ta kishte marrë statusin e vendit kandidat. Reforma parlamentare është një prej tyre. Palët politike duhet të gjejnë rrugën e duhur të komunikimit, të vendosin dialogun e përshtatshëm e të nevojshëm, dhe patjetër që është e mundur që edhe kjo reformë tepër e rëndësishme si një nga kriteret që duhet përmbushur, mund të kalojë pozitivisht në 6 gusht.
– Delegatët që do të marrin pjesë në Konventën Kombëtare të LSI-së, 30 për qind do të jenë nga LRI-ja, 30 për qind nga LGI-ja dhe 40 për qind nga LSI-ja. Si e konsideroni këtë formulë përfaqësimi të forumeve politike që realizohet për herë të parë në Shqipëri nga një forcë politike në një Konventë Kombëtare?
– Është një formulë e cila prezanton dhe përfaqëson më së miri një filozofi moderne dhe europiane të funksionimit të një partie politike. Nga ana tjetër i jep edhe vlerën reale peshës specifike që zënë të rinjtë dhe gruaja tek Lëvizja Socialiste për Integrim. Të rejat e të rinjtë, dhe Lëvizja Rinore për Integrim përbëjnë edhe palcën e veprimit të LSI-së, dhe natyrshëm që koefiçienti i përmendur mësipër nga ju nuk përbën asnjë gjë tjetër veçse një përfaqësim real në vendimmarrje të LRI-së brenda LSI-së. Gjithashtu, forumi i LGI-së ka hyrë në një fazë të re vitalizimi dhe rigjallërimi që prej konventës së fundit të saj dhe po bën një punë shumë të mirë jo vetëm në kuadër të fuqizimit të LSI-së, por mbi të gjitha në një përfaqësim të denjë të gruas shqiptare.
– Pak ditë më përpara në Parlamentin shqiptar është votuar edhe Reforma Zgjedhore me konsensus të plotë midis PD-PS. Cila do të jetë strategjia elektorale e LSI-së në pikëpamjen e ndërtimit të koalicioneve?
– Vëmendja aktuale e LSI-së është e orientuar dhe fokusuar vetëm tek qeverisja e vendit, përshpejtimi i ritmeve të zhvillimit dhe padiskutim përmbushja e kritereve në mënyrë që këtë vit Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat. Përsa i përket strategjisë elektorale, natyrisht, që vendimet përkatëse do të merren në forumet përkatëse, dhe në kohën e duhur. Ajo çka është e sigurt është që LSI-ja do të rrisë edhe më shumë peshën e saj elektorale duke e rritur njëkohësisht edhe peshën e saj specifike në politikën shqiptare si një forcë që garanton zhvillim dhe stabilitet.
Riorganizim të LSI-së dhe Konventa Kombëtare?

– Procesi i riorganizimit të LSI-së vjen në një fazë tepër serioze, jo vetëm si një normë statutore, e cila duhet zbatuar, por edhe si një domosdoshmëri për rivitalizimin e strukturave të LSI-së, për t’i dhënë atyre energji të re dhe freski , por, njëkohësisht, edhe për të bërë të mundur që LSI-ja të vazhdojë të përforcojë rolin e saj si një forcë politike përcaktuese, si një forcë politike e cila i jep vendit stabilitet dhe që luan një rol specifik në avancimin e mëtejshëm të vendit në përmbushjen e aspiratave europiane. Do të mblidhet Konventa Zgjedhore e LSI-së prej së cilës do të zgjidhet Komiteti i ri Drejtues, e më pas do të zgjidhet edhe Kryesia e re e LSI-së. Gjithashtu, nëpërmjet një procesi “Një anëtar, Një votë”, do të zgjidhet Kryetari i LSI-së. Procesi do të jetë transparent dhe ne do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me publikun.

 – Faleminderit!