Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta takon Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin e Finlandës, z. Matti Vanhanen

433
Në përfundim të vizitës zyrtare në Finlande, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta dhe Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme, znj. Arta Dade, u pritën në Helsinki nga Kryetari i Komisionit të Çështjeve të Jashtme në Parlamentin e Finlandës dhe ish-Kryeministri, z. Matti Vanhanen.

Z. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës dhe Parlamentit të saj ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe ndaj vendeve të tjera në rajon dhe vuri në dukje rëndësinë e intensifikimit konkret të bashkëpunimit parlamentar dhe ekonomik mes dy vendeve. 

Znj. Dade shprehu vullnetin për forcimin e bashkëpunimit mes dy komisioneve të jashtme parlamentare, veçanërisht në këto momente të rëndësishme zhvillimesh globale që prekin hapësirën evropiane. 

Z. Vanhanen i vlerësoi marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Finlandës si shumë të mira dhe shprehu mbështetjen finlandeze për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. 

Z. Meta dhe z. Vanhanen ndanë bindjen se dy parlamentet duhet të rrisin kontaktet dhe të shtyjnë përpara një axhendë të përbashkët bashkëpunimi në fushat e arsimit, teknologjisë, turizmit dhe shkëmbimeve njerëzore. 

Në përfundim z. Meta dhe z. Vanhanen dhanë një prononcim për mediat:
Ilir Meta:
“Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme për mua dhe për Kryetaren e Komisionit të Jashtëm, znj. Dade për t’u takuar me një personalitet të jashtëzakonshëm të politikës finlandeze, aktualisht Kryetar i Komisionit të Jashtëm z. Vanhanen, Kryeministër i Finlandës për një periudhë të gjatë, por edhe kandidat për president për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. 

Dhe ishte një kënaqësi për të konfirmuar së bashku marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve dhe rëndësinë e zgjerimit të tyre në interes të marrëdhënieve tona bilaterale, por edhe të stabilitetit në rajonin tonë, dhe në këtë drejtim shpresojmë që z. Vanhanen të vizitojë Shqipërinë.
Matti Vanhanen:
“Vizita juaj në Finlandë është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyer që ne kemi mes dy vendeve. Ju uroj suksese në rrugën tuaj drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në BE. Finlanda ka qenë gjithmonë një mbështetëse e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Ju falënderoj për ftesën që më bëtë për të ardhur në Shqipëri dhe do ta marr në konsideratë me kënaqësi”. 
Sigal