Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Zv. Presidentin e Parlamentit Evropian z. Gianni Pittella

425
Sigal

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të Parlamentit Evropian ndaj aspiratave evropiane të Shqipërisë duke bërë një vlerësim të veçantë për rolin personal të z. Pittella në këtë drejtim. Z. Meta u shpreh se pavarësisht vendimit të Këshillit në dhjetor, ritmi i reformave të nisura do të  intensifikohet, ndërkohë që puna për përmbushjen e mëtejshme të rekomandimeve të Komisionit Evropian do të vazhdojë. Në këtë kuadër, z. Meta vuri në dukje se Kuvendi i Shqipërisë i kushton vëmendje të veçantë dialogut konstruktiv politik dhe krijimit të hapësirave maksimale në funksion të kontributit të Opozitës. Zv. Presidenti i Parlamentit Evropian z. Gianni Pittella nënvizoi mbështetjen e plotë të tij dhe të Parlamentit Evropian ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të forcave pozitive në Bashkimin Evropian në funksion të avancimit të reformave në të gjithë rajonin e Ballkanit. Në përfundim, z. Meta dhe z. Pittella ndanë bindjen e përbashkët se avancimi i Dialogut të Nivelit të Lartë mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë Shqiptare, është i rëndësishëm dhe se vullneti i të gjitha forcave politike për bashkëpunim është kyç për mbarëvajtjen e një klime konstruktive në vend.