Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti në një takim të veçantë Presidentin e Austrisë z. Heinz Fischer

446
Sigal

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Presidentin e Republikës së Austrisë z. Heinz Fischer, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Austrisë, miqësinë tradicionale mes dy popujve dhe bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat. Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta vlerësoi se kjo vizitë e rëndësishme e Presidentit Fischer në Tiranë konfirmon vëmendjen e vazhdueshme që Austria i kushton Shqipërisë, duke i shërbyer thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimit të perspektivës evropiane të Shqipërisë. Në këtë kuadër, z. Meta shprehu vlerësimin e veçantë për mbështetjen e pakursyer të Austrisë në procesin e integrimit evropian të vendit tonë. Presidenti i Austrisë z. Heinz Fischer, pasi vlerësoi zhvillimet dhe progresin e Shqipërisë në vite u shpreh se Austria nuk ka asnjë dyshim në përkrahjen që ajo i ofron integrimit evropian të Shqipërisë duke theksuar se Shqipëria mund të mbështetet tek Austria si në planin evropian, ashtu edhe në drejtim të bashkëpunimit ekonomik. Kryetari i Kuvendit Meta dhe Presidenti i Austrisë Fischer ndanë bindjen se thellimi i marrëdhënieve ndërparlamentare përmes grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare, do t’i japë një shtysë të re intensifikimit të shkëmbimeve mes dy vendeve. Duke biseduar mbi zhvillimet në rajon, z. Meta vuri në dukje se Shqipëria do vazhdojë forcimin e rolit të saj stabilizues rajonal me bindjen se vendet e Ballkanit kanë të njëjtin destinacion në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër Kryetari i Kuvendit bëri një vlerësim të veçantë për kontributin e Austrisë ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit dhe për rolin e saj pozitiv në Kosovë.