Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta pritet në Athinë nga Presidenti i Greqisë, z. Prokopis Pavlopoulos

597
Sigal

Gazeta Telegraf/

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare
në Greqi, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit sot në Athinë në një takim të
veçantë nga Presidenti i Greqisë, z. Prokopis Pavlopoulos me të cilin vlerësuan
lart stadin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona fqinje.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u
shpreh se vizita e tij në Athinë është në funksion të nxitjes së bashkëpunimit
mes dy parlamenteve tona si kontribut për forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe
lidhjeve të gjithanshme mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit,
z. Meta dhe Presidenti Pavlopoulos vlerësuan minoritetin grek në Shqipëri dhe
komunitetin shqiptar në Greqi si ura të forta lidhëse dhe kontribuues të
rëndësishëm në jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore në të dy anët e
kufirit.

Z. Meta shprehu mirënjohjen e
thellë për mbështetjen që Greqia vazhdon t’i japë Shqipërisë në kuadër të
procesit të integrimit evropian dhe vlerësoi bashkëpunimin me Greqinë, si dy
vende anëtare të NATO-s në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se Shqipëria
vlerëson maksimalisht vlerat evropiane të solidaritetit që Greqia ka treguar në
momentet më kritike të krizës së refugjatëve, duke mbajtur një barrë të rëndë e
duke mos ngritur mure siç u pa në vende të tjera.

Duke biseduar mbi zhvillimet në
rajon, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Presidenti Pavlopoulos ndanë bindjen se bashkëpunimi
i ngushtë mes Shqipërisë dhe Greqisë forcon paqen, sigurinë dhe stabilitetin në
tërë rajonin tonë.

Gjatë takimit, z. Meta theksoi se sfidat
në rritje me të cilat përballen vendet tona na imponojnë të bashkëpunojmë edhe
më ngushtë për të fituar së bashku në emër të së ardhmes së dy popujve tanë.

“Ju falënderoj për atë që Greqia ka
bërë duke mirëpritur emigrantët tanë këtu. Ka qenë një mbështetje e madhe, jo
vetëm për vëllezërit tanë emigrantë në Greqi, por edhe për zhvillimin ekonomik e
shoqëror të Shqipërisë gjatë këtyre dekadave. Marrëdhëniet tona duhet të jenë
marrëdhënie vëllazërore, siç janë sot marrëdhëniet midis grekëve dhe
shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri, por akoma më shumë edhe këtu në Greqi. Këto
marrëdhënie kaq të ngushta njerëzore të krijuara sidomos në 26 vjet, na
obligojnë ne vetëm për të çliruar energji pozitive dhe për t’i trajtuar edhe
çështjet e trashëguara me qetësi, konstruktivitet dhe në përputhje edhe me
vlerat dhe standardet evropiane. Për arsye se ne kemi një përkatësi të
përbashkët transatlantike, si dy vende të NATO-s, por edhe evropiane”, – tha
Kryetari i Kuvendit, z. Meta, ndërsa vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve
duhet të jenë një shembull në rajonin tonë.

“Ne besojmë shumë në mbështetjen e
mëtejshme të Greqisë, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe
jemi të vendosur që marrëdhëniet e Greqisë dhe Shqipërisë të jenë një shembull
për të gjithë rajonin tonë dhe mendoj se ky është një detyrim për të ardhmen
dhe gjeneratat e ardhshme”, – u shpreh z. Ilir Meta.

Nga ana e tij, Presidenti i Greqisë,
z. Prokopis Pavlopoulos, vlerësoi vizionin e z. Meta dhe shprehu bindjen se
Kryetari i Kuvendit mund të japë një kontribut të vyer në mbarëvajtjen e
marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Jam i sigurt se nisur nga roli
juaj institucional, por edhe nga eksperienca juaj politike, që unë e njoh mirë,
ju do të kontribuoni shumë pozitivisht në mbarëvajtjen e mëtejshme të
marrëdhënieve tona. Unë e njoh vizionin tuaj, pikëpamjen tuaj ndaj dhe besoj se
ju mund të kontribuoni në mënyrë deçizive në mbarëvajtjen e këtyre
marrëdhënieve. Ne grekët e kuptojmë mirë bashkërrugëtimin mes dy popujve tanë,
kur që në një moment vështirësie shqiptarësh erdhën në Greqi dhe një numër ri
madh këtu jeton akoma”, – tha ndër të tjera gjatë takimit Presidenti Pavlopoulos.