Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës së Evropës

508
Meta: Dëshira ime në këtë ditë është që ky parlament, të mbushet me të reja dhe me të rinj 
Meta: Të rinjtë e të rejat kanë qenë dhe janë shembulli më i përkryer i pasionit të sinqertë për Shqipërinë e vërtetë evropiane
Meta: Në emër të ëndrrave të këtyre të rinjve e të rejave, vendit i duhet më tepër përgjegjshmëri e jo më shumë egoizëm
Meta: Më tepër vetëmohim, më tepër dialog e më pak arrogancë, më tepër kulturë kompromisi e më pak kokëfortësi
Meta: Të vendosim interesat e vendit dhe të ardhmen evropiane, si prioritet kryesor i gjithë axhendave politike
Meta: Asnjëherë nuk është vonë të gjejmë zgjidhjen e përgjegjshme e gjithëpërfshirëse
Meta: S’do të rresht kurrë në përpjekjet e mia për dialog, për bashkëpunim, për kompromis
Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit, ditën e martë, sot u organizua një veprimtari me rastin e Ditës së Evropës.
Në aktivitetin e zhvilluar në mjediset e jashtme të Sallës së Seancave Plenare, merrnin pjesë deputetë, ministra, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë si edhe shumë të rinj e të reja. 
Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në këtë event, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, tha se të gjithë duhet të ndjehemi mirënjohës ndaj baballarëve themelues të këtij projekti historik, të cilët treguan që kishin vizion të qartë, kurajë të fortë e vendosmëri të palëkundur për ta çuar përpara këtë projekt ambicioz.
“Ish-Kryeministri britanik, Winston Churchill, në fjalën e tij të famshme në Universitetin e Zyrihut në vitin 1946, vetëm një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u kërkoi popujve evropianë krijimin e një Evrope të Bashkuar, duke u kthyer shpinën vuajtjeve, urrejtjes së të kaluarës dhe tmerreve të luftës, për të parë drejt të ardhmes, për ta imagjinuar kontinentin e vjetër si një familje të përbashkët të drejtësisë, barazisë, solidaritetit dhe lirisë”, – tha z. Meta, duke theksuar se nuk ka vend më domethënës në Shqipëri se sa Parlamenti për të reflektuar rreth atij vizioni të guximshëm e shpresëplotë që krijoi Bashkimin Evropian, ku shqiptarët po integrohen.
“Jam shumë i lumtur sot që kemi mes nesh të reja e të rinj, sepse e ardhmja i përket pikërisht këtij brezi të ri. Shpresat, ëndrrat e tyre për të ardhmen duhet të motivojnë e të rrisin peshën e përgjegjësisë tonë politike e qytetare më shumë. Vetë Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin e madh që të bëhet shembull për brezin e ri, duke u kthyer në shtëpinë e demokracisë të vërtetë, atë të dialogut politik, të tolerancës e mirëkuptimit dhe të përgjegjshmërisë së lartë”, – shtoi z. Meta.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit deklaroi se vendit i duhet sot më shumë përgjegjshmëri dhe dialog dhe se asnjëherë nuk është vonë për të gjetur një zgjidhje të përgjegjshme.
“Në emër të ëndrrave e dëshirave të këtyre të rinjve e të rejave të mrekullueshëm, vendit tonë i duhet më tepër përgjegjshmëri e jo më shumë egoizëm. Më tepër vetëmohim, më tepër dialog e më pak arrogancë. Më tepër kulturë kompromisi dhe më pak kokëfortësi. Më shumë qetësi. Më shumë stabilitet. Më shumë investime e natyrisht më shumë mundësi punësimi dhe barazi sociale. Duke vendosur interesat e vendit dhe të ardhmen e tij të përbashkët evropiane, si prioritet kryesor i gjithë axhendave të veçanta politike, asnjëherë nuk është vonë të gjejmë zgjidhjen e përgjegjshme e gjithëpërfshirëse, me qëllim që Shqipëria të ecë denjësisht drejt anëtarësimit të saj në BE”, tha ndër të tjera z. Ilir Meta në fjalën e tij. 
Ndërsa, Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha, tha në fjalën e saj marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2014 ishte një arritje historike dhe se marrja e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave ishte një tjetër hap përpara në procesin e integrimit.
“Marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2014 ishte një arritje historike që gëzoj në fakt zemrat e shumë shqiptarëve dhe nxitja më e mirë që Shqipëria vijoi rrugën e reformave, konsolidimit të demokracisë dhe forcimit të shtetit të së drejtës. Miratimi me konsensus i Reformës në Drejtësi nga Kuvendi i Shqipëri bëri të mundur gjithashtu që nëntorin e shkuar Shqipëria të merrte rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, një tjetër hap përpara në procesin e integrimit, një tjetër shpresë për shqiptarët që duan të shohin vendin e tyre sa më shpejt BE”, – tha Klajda Gjosha. 
Ambasadorja e BE-së, znj. Romana Vlahutin, tha në fjalën se 60 vjet më parë Traktati i Romës krijoi institucionet europiane ashtu si i njohim ne sot dhe ëndrrat dhe vizioni strategjik i atyre që kanë qenë përpara nesh u bënë realitet. 
“Europianët sot jetojnë në paqe, në begati të bashkuar me njëri-tjetrin nga parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Megjithatë, Bashkimi Europian ende përballet me shumë sfida dhe kërcënime. Por në këtë moment të historisë bota ka nevojë për një Europë shumë të fortë, më shumë se kurrë më parë. Ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë që Bashkim Europian përfaqëson procesin më të suksesshëm të integrimit rajonal dhe mbetet kontinenti më i pasur në botë”, – u shpreh znj. Vlahutin, duke theksuar më tej: “Ne duhet të jemi krenarë për vlerat që ka Bashkimi Europian, liria për të folur e për të thënë atë që mendojmë, liria për të lëvizur, liria për t’u lutur apo për të mos u lutur, liria për të dashuruar, liria për të votuar, liria për të zgjedhur fatin tonë”, – deklaroi Ambasadorja e BE-së. 
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta
E nderuar znj. Leskaj, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë,
E nderuar znj. Dade,
E nderuar Ministre Gjosha,
E nderuar Ambasadore Vlahutin. Shkëlqesi Ambasadorë të pranishëm!
Të dashur të reja e të rinj, Zonja e zotërinj,
Ju uroj mirëseardhjen në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë në këtë Ditë të Evropës, në këtë ditë të rinisë, kur ne bashkarisht festojmë një ide, për një vizion të jashtëzakonshëm që solli krijimin e një entiteti të suksesshëm politik përgjatë shtatë dekadave duke ndryshuar fatin dhe jetët e dhjetëra miliona qytetarëve, jo vetëm në hapësirën evropiane, por edhe në mbarë botën.
Ne sot duhet të ndjehemi mirënjohës ndaj baballarëve themelues të këtij projekti historik si Konrad Adenauer, Jean Monnet, Robert Schuman, etj., të cilët treguan që kishin vizion të qartë, kurajë të fortë e vendosmëri të palëkundur për ta çuar përpara këtë projekt ambicioz.
Ish-Kryeministri britanik, Winston Churchill, në fjalën e tij të famshme në Universitetin e Zyrihut në vitin 1946, vetëm një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u kërkoi popujve evropianë krijimin e një Evrope të Bashkuar, duke u kthyer shpinën vuajtjeve, urrejtjes së të kaluarës dhe tmerreve të luftës, për të parë drejt të ardhmes, për ta imagjinuar kontinentin e vjetër si një familje të përbashkët të drejtësisë, barazisë, solidaritetit dhe lirisë.
Mendoj se nuk ka vend më domethënës sot në Shqipëri se sa ky Parlament, për të reflektuar rreth atij vizioni të guximshëm e shpresëplotë që krijoi këtë Union, ku ne sot si shqiptarë, së bashku me popujt e tjerë të Ballkanit, po integrohemi.
Jam shumë i lumtur sot që kemi mes nesh të reja e të rinj, sepse e ardhmja i përket pikërisht këtij brezi të ri.
Shpresat, ëndrrat e tyre për të ardhmen duhet të motivojnë e të rrisin peshën e përgjegjësisë tonë politike e qytetare më shumë.
Vetë Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin e madh që të bëhet shembull për brezin e ri, duke u kthyer në shtëpinë e demokracisë të vërtetë, atë të dialogut politik, të tolerancës e mirëkuptimit dhe të përgjegjshmërisë së lartë.
Në këtë mënyrë ne do të demonstrojmë se jemi në lartësinë e vlerave evropianiste, që populli shqiptar ka përqafuar që në dhjetor të vitit 1990, kur thirrja e “Duam Shqipërinë si gjithë Evropa” frymëzoi Lëvizjen Studentore e më pas gjithë popullin tonë për të çelur një epokë të re.
Ndaj edhe dëshira ime në këtë ditë është që ky parlament, të mbushet me të reja dhe me të rinj, jo vetëm si pjesëmarrës këtu, por me parlamentin e ri që do të krijohet, sepse të rinjtë dhe të rejat kanë qenë dhe janë shembulli më i përkryer i pasionit të sinqertë për Shqipërinë e vërtetë evropiane.
Sepse të rinjtë dhe të rejat reflektojnë energji të jashtëzakonshme pozitive, e cila buron ndaj idealizmit dhe dëshira për një jetë më të mirë, për një komunitet dhe një vend më të suksesshëm e dinjitoz.
Sot, falë projektit evropian për paqe, stabilitet ekonomik e mirëqenie për miliona qytetarë të kontinentit tonë, të rinjtë nuk kanë më nevojë të zgjedhin armët, por zgjedhin dijen, demokracinë dhe avantazhet që jep liria e lëvizjes dhe punësimit në këtë hapësirë të përbashkët ekonomike e politike.
Dhe kam bindje të thellë se vetëm fuqia e rinisë mund ta ndryshojë këtë vend dhe të çojë përpara ëndrrën dhe projektin evropian.
Ndaj, në emër të ëndrrave e dëshirave të këtyre të rinjve e të rejave të mrekullueshëm, vendit tonë i duhet më tepër përgjegjshmëri e jo më shumë egoizëm. Më tepër vetëmohim, më tepër dialog e më pak arrogancë. Më tepër kulturë kompromisi dhe më pak kokëfortësi. Më shumë qetësi. Më shumë stabilitet. Më shumë investime e natyrisht më shumë mundësi punësimi dhe barazi sociale.
Duke vendosur interesat e vendit dhe të ardhmen e tij të përbashkët evropiane, si prioritet kryesor i gjithë axhendave të veçanta politike, asnjëherë nuk është vonë të gjejmë zgjidhjen e përgjegjshme e gjithëpërfshirëse, me qëllim që Shqipëria të ecë denjësisht drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, duke hedhur hapin e duhur: çeljen e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur.
Ju falënderoj që keni ardhur sot këtu dhe nuk do të rresht kurrë në përpjekjet e mia për dialog, për bashkëpunim, për kompromis, e mbi të gjitha, për të promovuar shpirtin e unitetit kombëtar në shërbim të axhendës sonë evropiane dhe të ardhmes së të rinjve tanë të mrekullueshëm.
Sigal