Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli

592
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Dritëro Agolli.
Gjatë konferencës për shtyp, z. Meta, duke i shprehur ngushëllimet familjarëve të shkrimtarit Dritëro Agolli, vlerësoi figurën e tij si ndër më të ndriturat të letërsisë shqiptare.
“Mësuam me dhembje jashtëzakonisht të thellë lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të Dritëro Agollit. Pas këtij lajmi, sot bota shqiptare është më e varfër dhe dhembja padyshim e jashtëzakonshme dhe e pamatshme.
Si Kryetar i Kuvendit, por edhe si mik i tij, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Dritëroit, Sadijes, Elonës dhe Tanit, por edhe të gjithë të dashurve të tyre. Dua t’i shpreh ngushëllime gjithashtu të gjithë botës së letrave shqipe dhe të kulturës sonë për këtë humbje të pazëvendësueshme përgjithmonë. 
Dritëro Agolli ishte dhe do të mbetet figurë e rendit të parë në zhvillimin e mendimit shqiptar prej gjysmës së shekullit të kaluar, reformator historik i letërsisë shqipe, përfaqësues i zhvillimeve më të përparuara të kulturës shqiptare, reformator i jashtëzakonshëm edhe i politikës shqiptare me kontribut historik për proceset demokratizuese, burrë shqiptar me rrënjë të thella dhe me karakter të fortë dhe referencë e zhvillimit tonë shpirtëror. Njeriu që jetoi në kohët moderne me filozofinë naimiane të tretjes së qiriut për t’u ndritur mendjen të tjerëve. ‘Na dritërofsh gjithnjë Dritëroi ynë!’, dëshiroj të them në këto momente. Të prehet në paqe dhe në mirësi!”,- u shpreh Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta.
Sigal