Kryetari i Kuvendit Z. Ilir Meta: Forcat politike shqiptare të jenë një faktor kyç për stabilitetin e Maqedonisë

78
Reagimi i Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta për situtatën politike të krijuar në Maqedoni
Meta: Platforma e forcave politike shqiptare, të vijojnë të bashkëpunojnë akoma më tej për realizimin e kësaj platforme në të ardhmen
Meta: Kriza mes dy forcave politike të mos transferohet në një konflikt midis maqedonasve dhe shqiptarëve
Meta: Forcat politike shqiptare të jenë një faktor kyç për stabilitetin e Maqedonisë
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ka reaguar në lidhje me situatën politike të krijuar në Maqedoni. I pyetur nga mediat për komentin e tij lidhur me krizën politike dhe mos arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve, z. Meta u shpreh se: “Dua të shpreh shqetësimin tim për situatën në Maqedoni, shqetësim që e kam shprehur prej vitesh edhe me partnerët ndërkombëtarë. Maqedonia është sot nyja më delikate e rajonit tonë. Prej disa vitesh, Maqedonia ka vuajtur nga një krizë politike, institucionale, por edhe zgjedhore, për fat të keq. Burimi i kësaj krize, në fakt, ka qenë lufta e ashpër apo konflikti midis dy partive kryesore maqedonase”,- duke shtuar se: “Për fat të mirë, zgjedhjet e fundit u pranuan nga të gjitha forcat politike. Kjo është gjë pozitive për Maqedoninë, për ne dhe për të gjithë rajonin tonë, në mënyrë që të mbyllet periudha e kontestimit të zgjedhjeve dhe institucioneve. Kam përshëndetur platformën e forcave politike shqiptare, që është një hap pozitiv, e cila rrit detyrimin e tyre për të bashkëpunuar më shumë me njëra-tjetrën në interes të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe jo thjesht raportit të njërës apo tjetrës forcë politike me pushtetin dhe qeverinë. Është shumë e rëndësishme që ato të vijojnë të bashkëpunojnë akoma më tej për realizimin e kësaj platforme në të ardhmen”.
Në vijim të qëndrimit të tij, z. Meta theksoi gjithashtu se forcat politike shqiptar në Maqedoni duhet të forcojnë rolin e tyre të bashkëpunimit në Maqedoni për të çuar përpara dhe për të realizuar platformat e tyre dhe për stabilitetin e Maqedonisë. 
“Është shumë e rëndësishme, gjithashtu, që konflikti i deridjeshëm, që ka ardhur kryesisht për shkak të luftës së ashpër me njëra-tjetrën të dy forcave politike maqedonase, të mos transferohet në të ardhmen në një konflikt midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Ndaj, është shumë e rëndësishme që forcat politike shqiptare, duke forcuar dhe duke rritur bashkëpunimin e tyre për të çuar përpara dhe për të realizuar konkretisht dhe jo vetëm në letër këtë platformë, njëkohësisht, me shumë përgjegjshmëri dhe mençuri të jenë një faktor kyç për stabilitetin e Maqedonisë, sepse janë dy elemente shumë të rëndësishme që mund të shkojnë përpara vetëm në mënyrë paralele: stabiliteti i Maqedonisë dhe të drejtat e shqiptarëve, dhe roli i shqiptarëve si faktor jo vetëm për stabilitetin, por edhe për integrimin evropian dhe euroatlantik të këtij vendi fqinj dhe tepër të rëndësishëm për ne dhe për të gjithë rajonin tonë”,- u shpreh Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta.