Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u takua me ish-ambasadorin e ShBA-ve në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu

540
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi zhvilloi sot një takim shumë të ngrohtë e miqësor me ish Ambasadorin e ShBA në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, i cili ndodhet në Shqipëri për ceremoninë e dekorimit nga Presidenti i Republikës “Për merita të veçanta civile”.

Kryetari Ruçi e falenderoi Ambasadorin Arvizu për misionin e tij të sukseshëm në Tiranë, si ambasadori i trembëdhjetë në historinë e marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve, prej korrikut të vitit 1922, dhe ambasadori i tetë pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve, prej marsit të vitit 1991. “Ju jeni jo thjesht ambasadori më jetëgjatë i ShBA në Tiranë, por një ambasador shumë i suksseshëm. Më e rëndësishme se jetëgjatësia e misionit, është legacia Juaj në fuqizimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe të miqësisë midis ShBA dhe Shqipërisë. Ne, shqiptarët, e duam të gjithë Amerikën, por Ju shumëfishuat simpatinë tonë për këtë komb të madh paqësor, demokratik e liridashës. Ju kini qenë konsistent dhe konstant në qëndrimet Tuaja, si me shumicën qeverisëse, ashtu edhe me opozitën. Unë, personalisht, kam konstatuar dashamirësinë, korrektësinë, principialitetin dhe paanësinë Tuaj, si gjatë shërbimit ndaj vendit në opozitë, ashtu edhe pas vitit 2013, kur Partia Socialiste u bë partia qeverisëse e vendit. Ju keni bërë maksimumin për të zbutur konfliktet e ashpra politike në Shqipëri dhe na jeni gjendur pranë të gjithëve, qeverisë dhe opozitës, me ndërhyrjet Tuaja në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me elegancën e duhur. I jeni gjendur pranë jo thjesht politikanëve, por popullit shqiptar. Ne, shqiptarët, të gjithë e duam Amerikën. Por Ju na e shumëfishuat respektin dhe dashurinë për këtë vend të madh demokratik, paqësor, dhe luftëtar për lirinë e popujve. Shqiptarët dëshirojnë që ShBA të vazhdojë të kontribojë për zhvillimin, paqen, lirinë, demokracinë dhe paqen kudo në botë. Ju jeni larguar vetëm fizikisht nga Shqipëria sepse jeni në mendjet dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve. Dekorata e akorduar nga Presidenti i Republikës shpreh mirënjohjen e të gjithëve ne, institucioneve dhe qytetarëve të këtij vendi. Ju atë e meritoni plotësisht, por kontributi Juaj për forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe ShBA është shumë më i madh se kjo dekoratë e lartë.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit  Gramoz Ruçi.

Ambasadori Arvizu falenderoi Kryetarin e Kuvendit për vlerësimet e larta të misionit dhe kontributit të tij në Shqipëri dhe e përshkroi atë si një bashkëpunëtor korrekt, politikan të pjekur dhe burrë të fjalës.  Z. Arvizu u shpreh se e njeh luftën e ashpër politike në Shqipëri. “Por vendi i opozitës është në Kuvend dhe me prezencën dhe betejat e saj politike e parlamentare ajo duhet tu japë shqiptarëve dhe mbështetësve të saj arsye dhe motive për ta votuar. Shqiptarët nuk duhet të humbasin shpresën dhe besimin te vetja e tyre se Shqipëria mund të bëhet. Ata vetë duhet të kontribojnë për ndryshimin si edhe për përballimin e problemeve që ka vendi, si korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar etj. Vetë Shqipëria është një vend dhe një partner i besueshëm.” Ambasadori Arvizu vlerësoi edhe progresin e Shqipërisë drejt integrimit europian. “Shqipëria meriton më shumë nga BE, edhe pse në disa raste ka qenë “viktimë” e standarteve të dyfishta dhe nuk ka marrë atë që meriton. Shqipëria është e qartë që për të nuk ka alternativë tjetër përveç marshimit drejt BE-së dhe fuqizimit të marrëdhënieve me ShBA.

Kryetari i Kuvendit Ruçi dhe Ambasadori Arvizu biseduan edhe mbi çështje të zhvillimeve rajonale, të kontributit të Shqipërisë në stabilitetin dhe paqen në rajon si edhe nevojën për politika më të qarta e vizionare të BE-së ndaj zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor. “Vetë BE duhet të kuptojë se ndaj vendeve që synojnë t’i bashkohen familjes europiane duhet të ketë më shumë hapje, më shumë demokraci, më shumë shkëmbime. Kjo është tendenca dha ajo as mund të mohohet, as mund të ndalohet.”, nënvizoi Ambasadori Arvizu.