Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti delegacionin e Bundestagut gjerman

153

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot pasdite delegacionin e Bundestagut gjerman, të kryesuar nga z. Josip Juratovic, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Social-Demokrate dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Për Evropën Juglindore në Bundestag, i cili po zhvillon një vizitë në rajon.

Në delegacion bënin pjesë deputetët Renata Alt, zëvëndëskryetare e Grupit Parlamentar të FDP dhe  Hansjörg Müller, anëtar i Grupit Parlamentar  të AfD.


Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, shprehu mirënjohjen për faktin se Komisioni Evropian ka konfirmuar përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë duke rekomanduar hapjen pa kushte të negociatave  dhe kërkesën e besimin se Këshilli Europian do të marrë parasysh rezultatet në përmbushjen e rekomandimeve për pesë prioritetet kyçe dhe thellimin  e reformave në të gjitha aspektet.

Z. Ruçi shprehu pritshmërinë për marrjen e mbështetjes së Bundestagut për autorizimin e Qeverisë Gjermane në dhënien e dritës jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë, bazuar në progresin e reformave të ndërmarra.

“Hapja e negociatave do të lehtësonte më tej procesin e reformës në Shqipëri, do të forconte mbështetjen e projektit evropian nga qytetarët tanë dhe do të rriste paqen dhe stabilitetin në rajon. Gjermania si lokomotiva politike dhe ekonomike e Europës ka luajtur rol të rëndësishëm në përmbushjen e kritereve kyçe lidhur me reformat. Shprehim mirënjohje për ekspertizën që Gjermania ka dhënë në të kaluarën.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi.

Z. Josip Juratovic vuri në dukje se “E ardhmja europiane e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor është një prioritet i vazhdueshëm i Bundestagut.

Bundestagu është njohur me vlerësimin e Komisonit Europian, i cili rekomandon hapjen pa kushte të negociatave. Por për arsye kohe, do ta shqyrtojmë këtë rekomandim në vjeshtë.

Unë kam disa mesazhe për politikanët shqiptarë. Të gjithë ju duhet ta kinit të qartë se bojkotimi i parlamentit është i papranueshëm, për standartet tona demokratike.

Është njësoj sikur besimtarët të braktisin kishën e tyre.  Ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë dhe kërkojmë vetëm të na bëni të qartë cilat janë nevojat tuaja prioritare.

Parlamentarët duhet të jenë gjithmonë shprehës të interesave të qytetarëve. Ne do t’ju ndihmojmë edhe për përgatitjen për të negociuar, për fuqizimin e parlamentit, demokratizimin e partive politike dhe konsolidimin e shoqërisë civile.

Gjatë një ndeshjeje mund të bëhen gabime, por loja nuk ndërpritet dhe ndeshja nuk braktiset.”

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe delegacioni i Bundestagut biseduan edhe për situatën politike në Shqipëri dhe zhvillimet në rajon.