Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, nënshkroi marrëveshjet e bashkëpunimit me 24 universitete e qendra kërkimore. Rektorët: Ngjarje e rëndësishme. Për herë të parë universitetet thirren institucionalisht si partnerë në Kuvend

615
Sigal

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, organizoi sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me 23 universitete publike e jopublike të vendit si edhe me Akademinë e Shkencave. Marrëveshjet u nënshkruan nga Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi dhe rektorët e secilit universitet.

Marrëveshjet parashikojnë shfrytëzimin e ekspertizës dhe kompetencës shkencore të universiteteve dhe qendrave kërkimore të vendit në procesin legjislativ dhe kontrollin parlamentar, si një vlerë e shtuar dhe e mirë publike për vendin. Marrëveshjet nxisin rritjen e fuqisë kontratuale të universiteteve dhe qendrave kërkimore në tregun e kërkimit shkencor në Shqipëri. Marrëveshjet parashikojnë gjithashtu që studentët do të kenë mundësi të bëjnë më shumë praktika pune në Kuvendin e Shqipërisë dhe universitetet të kenë më shumë akses në burimet dhe veprimtaritë e Kuvendit.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi, zhvilloi një bashkëbisedim me rektorët dhe nënvizoi se “Kuvendi i Shqipërisë do të mbështesë  universitetet dhe qendrat kërkimore që të bëhen aktorë më të fuqishëm dhe më të ndjeshëm në jetën ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore të vendit, të shndërrohen në kantiere të ekonomisë së dijes, të kontribojnë që rritja ekonomike “të përkthehet” në vende pune e mirëqenie për qytetarët, të ngushtojë pabarazinë dhe të konsolidoje drejtësinë sociale”.

Rektorët e falënderuan Kryetarin e Kuvendit për këtë mundësi të re që u krijoi universiteteve e qendrave kërkimore, Kuvendi i Shqipërisë. Ata e vlerësuan si një ngjarje të rëndësishme faktin që për herë të parë universitetet shqiptare thirren në Kuvend me një ofertë konkrete bashkëpunimi. Gjatë bashkëbisedimit u rrahën mendime mbi disa aspekte themelore, në të cilat duhet të përqendrohet veprimtaria akademike e kërkimore-shkencore në Shqipëri; si të vazhdohet e thellohet reforma në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, si të fuqizohet bashkëpunimi midis vetë universiteteve e qendrave kërkimore,  si edhe nevojën për rritjen e burimeve financiare, materiale e njerëzore për fuqizimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, me rastin e e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me universitetet:

 “Rektorë dhe profesorë të nderuar,

Mirëseerdhët në këtë takim në Kuvendin e Shqipërisë, i cili nga sot e tutje do të jetë gjithmonë i hapur për ju dhe kolegët tuaj, të universiteteve publike e private, Akademisë së Shkencave dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Ju jini të gjithë profesorë dhe një nga interpretimet e origjinës latine të kësaj fjale është “të flasësh hapur”. Prandaj, në këtë takim të sotëm po flasim hapur e konkretisht.

Ju falenderoj që ju përgjigjët ftesës së Kuvendit për të nisur një bashkëpunim me interes reciprok.

Një kuptim tjetër i rrënjës së fjalës “profesor” na shpie te përsosmëria, prandaj të punojmë që ta perfeksionojmë bashkëpunimin që sapo nisim.

Sot jemi bërë bashkë për të nisur një bashkëveprim, për të cilin ka nevojë Kuvendi i Shqipërisë, por edhe institucionet e vendit.

Por mendoj se ka nevojë edhe universitetet dhe bota akademike.

Kuvendi dhe unë personalisht po ndjejmë nevojën e konsultimit me universitetet për të dy funksionet e degës legjislative: ligjbërjen dhe kontrollin parlamentar.

Në fakt, ky takim nuk është i papritur, por rezultat logjik i një praktike pune që ne kemi nisur.

Gjatë viteve të fundit, kemi pasur mjaft raste kur Kuvendi dhe komisionet parlamentare kanë ndryshuar përmbajtjen e akteve ligjore ose kanë kushtëzuar miratimin e tyre me marrjen e rekomandimeve prej ekspertëve të botës akademike dhe universiteteve.

Ky bashkëpunim është realizuar edhe si bashkëpunim individual me ekspertët, por edhe si bashkëpunim me njësitë kërkimore.

Gjithashtu, mund tju bier në sy se kolegët tuaj të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, mungojnë në këtë tryezë pune. Mungojnë jo se nuk janë thirrur, por bashkëpunimi me ta është institucionalizuar më parë.

Madje, duke u nisur nga rezultatet e këtij bashkëpunimi, menduam që këtë praktikë ta aplikojmë me universitetet publike e jopublike të vendit.

Në këtë kontekst, jemi të hapur edhe për universitetet e tjera, që sot nuk janë të pranishme, por që dëshirojnë të nisin një bashkëpunim të tillë me Kuvendin.

Për të qenë modest, ky nuk është një model që e shpikim ne. Parlamenti francez ka krijuar një traditë të tillë, prej kohësh, duke bashkëpunuar në mënyrë institucionale me qindra universitete dhe qendra kërkimore. Tashmë është koha që këtë kulturë moderne parlamentare ta fitojmë edhe ne.

Siç përmenda, ligjbërja ka nevojë për kontributin tuaj. Sot në vendet e qytetëruara politikat nuk burojnë thjesht nga programet ideologjike apo qeverisëse, por nga vlerësimet e nevojave reale të zhvillimit. Pra, një zhvillim i mbështetur në analiza vlerësuese e kërkimore.

Ligjet që ne përgatisim nuk mund të jenë afatgjatë, pa një mbështetje të fortë argumentuese, analitike dhe parashikuese, e cila fitohet prej analizave shkencore dhe krahasimeve me arritjet bashkëkohore.

Vitet e fundit ne po insistojmë në rritjen e funksionit kontrollues e monitorues të Kuvendit. Për këtë kemi krijuar edhe një mekanizëm të posaçëm monitorimi.

Por kontrolli parlamentar nuk e ka vizionin dhe fuqinë e duhur, nëse nuk merr një mbështetje të kualifikuar shkencore.

Syri dhe mendja juaj shkojnë më tej dhe më thellë atyre që zbulon syri dhe mendja e deputetëve dhe politikanëve. Politika edhe mund të gabojë, por shkenca jo.

Përfshirja juaj në ligj-bërje dhe kontroll parlamentar do të ketë edhe një të mirë tjetër, e cila mund të shndërrohet në një vlerë të shtuar dhe të mirë publike për vendin.

Ekspertiza dhe kompetenca juaj do të na ndihmojnë ne, parlamentarët e politikanët, që ligjbërja dhe kontrolli parlamentar të mos marrin një natyrë bardh e zi. Që çdo gjë që është e bardhe për qeverinë, është e zezë për opozitën dhe anasjelltas.

Ju do të shërbeni si një amortizator i fuqishëm që kjo të mos ndodhë dhe procesi legjislativ e kontrolli parlamentar të mos nisen nga interesat politike, por nga interesi publik.

Natyrisht, prej këtij bashkëpunimi edhe universitetet do të kenë përfitimet e tyre, në kuptimin e mirë të fjalës.

Kjo mund të rrisë fuqinë tuaj kontraktuale në tregun e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Studentët do të kenë mundësi të bëjnë më shumë praktika pune në Kuvendin e Shqipërisë.

Ju do të bëheni aktorë më të fuqishëm dhe më të ndjeshëm në jetën ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore të vendit.

Ky bashkëpunim është edhe një moment reflektimi për Kuvendin e Shqipërisë dhe për mua si Kryetar i tij.

Ne duhet të bëjmë më shumë për financimin e kërkimit shkencor, për mbështetjen e formimit të kapitalit njerëzor për teknologjitë e shërbimet e reja, për mbështetjen e botimeve universitare dhe për “përkthimin|” e procesit legjislativ në një veprimtari të mirëfilltë kërkimore.

Ne duhet të krijojmë më shumë hapësira e të mobilizojmë më shumë burime që kontributi i ekonomisë së dijes në zhvillimin e vendit të rritet. Dhe universitetet e qendrat kërkimore janë e duhet të bëhen më shumë kantieri i ekonomisë së dijes.

Ju duhet dhe mund të kontriboni që Shqipëria të mos ketë një rritje ekonomike vetëm shifrore, por të qëndrueshme, inteligjente, të gjelbër e gjithëpërfshirëse.

Por mbi të gjitha, që rritja ekonomike “të përkthehet” në vende pune e mirëqenie për qytetarët, të ngushtojë pabarazinë dhe të konsolidoje drejtësinë sociale.

Ju faleminderit dhe na shkoftë mbarë bashkëpunimi që po nisim.”