Kryetari i KQZ, Klement Zguri paralajmëron kryebashkiakët: Transferimi artificial i zgjedhësve, i kundërligjshëm

882
Sigal

Kryetari i KQZ, Klement Zguri ka paralajmëruar kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrës së gjendjes civile se do të përballen me ligjin nëse organizojnë regjistrimi fiktive për zgjedhjet e 30 qershorit.

Në një dalje për mediat, Zguri tha se ky fenomen, i cili është vërejtur në zgjedhjet e kaluara është lehtësisht i verifikueshëm dhe do të monitorohet.

Zguri:  Në proceset e mëparshme zgjedhore jo vetëm vëzhguesit por edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konstatuar se në disa bashki të vendit është përhapur fenomeni i transferimit artificial të vendbanimit të mbështetësve të atyre që kandidojnë për kryetarë të bashkive, me qëllim ndikimin e paligjshëm mbi rezultatin e votimit, nëpërmjet votave të këtyre votuesve artificialë. 

Ndryshimi artificial i vendbanimit përbën shpërdorim të pastër detyre, por ka pasoja të rënda edhe mbi sistemin demokratik, sepse cënon rëndë raportin e zgjedhësve me pushtetin e zgjedhur, si atje ku votojnë zgjedhësit e zhvendosur artificialisht, ashtu dhe atje ku ata fshihen padrejtësisht nga lista.

KQZ-ja do të kallëzojë penalisht kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile, kurdoherë që të vihet përballë këtyre fakteve, sapo që ato të konstatohen dhe pa pritur përfundimin e procesit zgjedhor.

Zguri i bëri thirrje Ramës dhe Bashës që të deklarohen kundër këtij fenomeni.

Zguri: Ndaj unë ftoj dhe lidershipin e mazhorancës dhe atë të opozitës të deklarohen publiksht kundër, me qëllim që t’i heqin çdo mbështetje politike fenomenit. 

Zgjedhjet e datës 30 qershor janë ushtrim shumë i rëndësishëm demokracie, por këtë radhë ato janë më shumë se kaq, janë gur prove për Shqipërinë në procesin e vet të integrimit në Bashkimin Evropian.

Ndërsa për zgjedhësit kishte një apel, që të kontrollojnë emrin në listën e zgjedhësve.

Zguri: I bëjmë thirrje zgjedhësve që të kontrollojnë emrin në listën elektronike të zgjedhësve të kontrollojnë emrin në faqen zyrtare të interentit të KQZ.

Deri në 21 maj 2019 është e hapur mundësia për tiu drejtuar gjendjes civile për të saktësuar të dhënat e tyre. Pas kësaj date listat bëhen përfundimtare. Zgjedhësit që nuk e kanë emrin në listë mund të votojnë vetëm me vendim gjykate.