Sigal

David Kanin

Ish-analisti i CIA-s

Çështja kryesore është sovraniteti i Kosovës, jo shkëmbimi i territoreve

David Kanin, ekspert i çështjeve të Ballkanit, ish-analist i lartë i CIA-s për rajonin dhe Evropën, profesor për Studime Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington thotë se çështja më e rëndësishme është ajo e sovraniteti të Kosovës, që do të mbetet e hapur për sa kohë nuk njihet nga Serbia dhe nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë pranuar pavarësinë e saj.

– Zoti Kanin, ju jeni ndoshta i vetmi që keni shprehur shqetësim se kjo përbën një kërcënim për statusin e Kosovës. Përse?

– Unë nuk mendoj se ky diskutim kërcënon statusin e Kosovës. Statusi i Kosovës ishte i kërcënuar që në fillim. Konteksti është sovraniteti i cunguar i Kosovës. Nuk është një shtet i njohur universalisht.. Çështja është statusi i kontestuar i Kosovës. Diskutimi i tanishëm për ndarjen, sado i zhurmshëm merret me çështjen dytësore, se cili (vend) merr cilin territor. Pyetja për sovranitetin e Kosovës është çështja kryesore dhe do të mbetet e hapur, për sa kohë nuk njihet nga Serbia dhe nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e njohin dhe unë nuk shoh shenja se kjo do të ndryshojë. I gjithë ky diskutim nuk ka lidhje me këtë.

– Shkëmbimi i territoreve a nënkupton ky që Serbia duhet ta njohë Kosovën më parë?

– Jo, nuk është e thënë. Pjesë e diskutimeve ka qenë mundësia që Kosova të marrë një vend në Kombet e Bashkuara, domethënë që të mos njihet zyrtarisht (nga Serbia). Kjo do të bënte të mundur që Serbia të shmangte njohjen de jure të Kosovës. Sipas pikëpamjes sime, nëse Kosova pranon që në fillim më pak sesa sovranitet të plotë, si pjesë e marrëveshjes fillestare, atëherë e ka humbur lojën.

– Njerëzit po e quajnë shkëmbim territori, ndryshim kufiri. Nuk e di nëse mund të quhet ndarje, nëse palët bien dakord…?

– Ajo që po them është se elitat perëndimore që pretendojnë se dominojnë rajonin, vazhdojnë t’u thonë njerëzve në rajon se nuk ka alternativë përveç demokracive shumë etnike, laike të integruara. Dhe është kjo mungesë e shqyrtimit të mundësisë për ndryshim që do të ishin të ngjashme me ndryshimet që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në Evropë, lënia e të gjitha atyre jashtë, që e ndryshon drejtimin e diskutimit dhe bën që të mos jetë shumë i vërtetë sipas mendimit tim dhe sjell si rezultat mungesë zgjidhjeje, e lë pezull statusin aktual dhe mendoj se do të vijë dita kur të ketë një raund të ri luftimesh, qoftë në Maqedoni, Bosnje, Kosovë, do të ketë raunde të reja vështirësish, pjesërisht sepse shqyrtimi i mundësive të tjera përveç atyre që lejohen nga institucionet perëndimore nuk lejohen.

Pra ju mendoni se kundërshtimi nga Perëndimi ia ndryshon drejtimin diskutimit?

– Mendoj që ia ndryshon drejtimin dhe e frenon diskutimin, e mban rajonin në pozita varësie. “Nuk janë gati për këtë apo atë”. Kjo e gjitha presupozon se të huajt i lejojnë vetes të drejtën që t’u thonë njerëzve në rajon se ç’të bëjnë. E bllokon diskutimin.

Pozicioni i SHBA nuk ka qëndrim të prerë pro, ose kundër. A është kjo një çarje mes BE dhe SHBA?

– Pyetja për qëndrimin e Amerikës, i ka hequr kapakun këtij diskutimi dhe tani po bëhet hapur dhe kjo është diçka e mirë. Nuk do të thotë se do të sjellë këmbim territoresh ose ndarje, ose çfarëdo që do ta quash. Unë nuk besoj se do të ketë zgjidhje, diplomatike apo të ndonjë lloji tjetër, për një kohë të gjatë në rajon. Por mendoj se mungesa e qartësisë në pozicionin amerikan nuk është gjë edhe aq e keqe, duke pasur parasysh problemet në rajon dhe dëmin që është bërë nga kufizimi (security cap) që perëndimi ka imponuar për një kohë kaq të gjatë. Është diçka konstruktive. Nuk jam i sigurt nëse ka një politikë koherente amerikane (për këtë çështje). Unë nuk shoh që të ketë. Kjo nuk më shqetëson edhe aq shumë. Unë mendoj se sa më shumë vendasit t’i marrin çështjet në dyert e tyre, aq më mirë është, çfarëdo që të ndodhë. Unë mendoj se i vetmi shans për një zgjidhje afatgjatë është nëse për të bihet dakord nga vendet vetë dhe kjo do të kishte problemet e veta. Dhe me situatën e tanishme, nëse asgjë nuk ndryshon kjo do të çojë në konflikt të mëtejshëm. Kosova është në një pozitë më të dobët se Serbia sepse është një vend që nuk është i njohur nga të gjithë. Kjo nuk ndryshon nëse Serbia nuk e ndryshon. Serbia ka avantazhin që është një vend universalisht i njohur që ka të drejtën të japë ose jo njohjen e Kosovës. Kosova nuk e ka atë marrëdhënie me Serbinë. Mënyra se si u bë pavarësia e Kosovës në vitin 2008, dhe ne e bëmë këtë, ne e kemi fajin, e ka bllokuar sovranitetin e saj dhe e ka vendosur Kosovën në një pozitë të pafavorshme. Ky diskutim nuk e ndryshon një gjë të tillë.

– Disa njerëz filluan të shprehin shqetësimin se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, nëse Kosova do që të bashkohet me Shqipërinë. Nëse dy vendet bien dakord, ç’të keqe do të kishte?

– Problemi është se jo të gjithë do të bien dakord, as në botën shqiptare nuk do të bien të gjithë dakord. Për shqiptarët e Maqedonisë problemi bëhet i mprehtë. Ata do të pyesin veten. Çfarë do të bëjmë? A mund të bashkohemi edhe ne me ta? Këto gjëra mund të ndodhin në një të ardhme të pacaktuar, por vetëm si rezultat i një konflikti të mëtejshëm. Prandaj unë nuk do ta shikoja diskutimin aktual si bazë për Shqipëri të Madhe, apo ndarje të Kosovës, apo anëtarësim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Asnjë nga këto nuk ka gjasa që të ndodhë.