Kryesocialisti në bastionin bregdetar të PS-së: Rilindja e socialistëve fillon nga Vlora

806
Sigal

Tym gri në negociatat Rama -Gjika

Më në fund Edi Rama vendosi të vizitojë selinë e Partisë Socialiste të qytetit të Vlorës, duke u takuar me krerët e selisë rozë të qytetit bregdetar, i cili konsiderohet si bastion i PS-së. Nga oxhaku i këtyre takimeve nuk doli as tym i bardhë dhe as tym i zi, por gri. Sepse takimet e Ramës u zhvilluan nën një klimë konfuzioni të krijuar qysh më parë nga konfliktet e Ramës, me anë të largimeve që ai u bëri përfaqësuesve të lartë të kësaj partie. Plot 8 vjet nga ardhja e tij, në krye të së majtës, Rama  nuk e dinte se ku binte selia e socialistëve të Vlorës, por më në fund e kuptoi edhe vetë se rruga e Rilindjes Socialiste fillon nga Vlora. Nuk ka dyshim që Vlora është barometri i së majtës, ashtu sikurse edhe Shkodra për të djathtën. Ndaj vlonjatët e lodhur në këto vitet e fundit, gjatë pritjes që i rezervuan Ramës, në Kinoteatrin, “Petro Marko”,  krahas simbolit të tij, të Rilindjes i shtuan edhe atë të vlonjatëve, se “Rilindja fillon nga Vlora”. Dhe kjo, nuk ka dyshim kur dihet që Vlora është  qyteti i Pavarësisë Kombëtare, e cila  po të kishte dëgjuar gojët e liga  do kishte mbetur e parregulluar dhe e pistë në  kuadrin e festimeve të  100 -vjetorit të Pavarësisë. Por   Vlora, është edhe qyteti i luftëtarëve të 1920-s, si edhe i Luftës Nacional-Çlirimtare edhe i proceseve demokratike të viteve ’90, por edhe i revoltës së 1997-s. I përmendëm të gjitha këto për të treguar se Vlora është pikënisja e fitores, por edhe e humbjeve të mëdha. Dje, Edi Rama vendosi të “bindë” të “pabindurit” e së majtës, duke u ulur me ta dhe duke i thënë se duhen pranuar kandidatët e kupolës rozë, pavarësisht, se një pjesë e tyre nuk kanë lidhje me Vlorën dhe me socialistët.  Ende nuk dihet se si do shkojnë ngjarjet, por ajo që vlen të theksohet është fakti që PS-ja për shkak të ndërhyrjeve të pastudiuara humbi shumë nga njerëzit e saj, para dy vitesh kur diskutohej zgjedhja e Kryetarit të  Këshillit  të Qarkut. Ishte pikërisht,  goditja dhe largimi i Kryetarit më popullor të  PS-së, së rrethit dhe zëvendësimi i tij, me një anëtare të KOP-it, të Berishës, por që kishte disa ditë që ishte lidhur me miqtë e Ramës. Dje, Rama pas takimit jo fort të qetë në kinoteatër, ka preferuar të qëndrojë për një drekë pune kokë më kokë, me Kryetarin e Bashkisë Shpëtim Gjika, në lokalin buzë detit me emrin “Ideal”. Ajo që bëhet e ditur nga burime tepër konfidenciale është se pas takimit  nuk ka pasur as tym të Zi dhe as tym të Bardhë. Dhe nëse do flasim me gjuhën e zgjedhjeve në Vatikan do ta konsideronim “tym shumë gri”. Ndaj caktimi i kandidatëve është ai që do vendosë llojin e tymit dhe kjo ka qenë edhe tema e nxehtë e bisedës. Por deri në publikimin e tyre do të duhen edhe një muaj dhe pak. Dihet që Rama ka shumë emra të tij, por edhe Gjika dhe PS-ja e Vlorës, ka kandidaturat e saj, të cilët nuk mund ta kapërdijnë ardhjen në Vlorë të ish-njerëzve të Berishës, apo atyre që fshehtas, bashkuan votat dhe idetë me Berishën. Nga takimi i djeshëm i Kryesocialistit me Kryebashkiakun e Vlorës, mësohet se Rama i ka kërkuar Gjikës që të jetë, në krye të shtabit elektoral të Vlorës, ndërkohë që ai ka shprehur pakënaqësi të madhe për dy emra që janë deputetë aktualë, në listën e këtij  qarku dhe për të cilët, ai nuk ka dëshirë që t’i kandidojë më.

Kandidatët

Lista përfundimtare e Vlorës, ka mbetur e papublikuar, madje, edhe e papërfunduar plotësisht. Përveç Shpëtim Idrizit që u fut në listën e PDIU-së dhe përveç Kosta Barjabës, i cili për pak u fut në burgun amerikan për vjedhje të një pardesyje, apo të një kostumi, ky qark ka edhe disa ndryshime të tjera. Por gjithsesi, është gati i pandryshueshëm fakti se Luiza Xhuvani dhe  Fatmir Toçi  do të jenë në këtë listë, ndërkohë, që aty do të shtohen në rreshtat e para Valentina Leskaj, Fatmir Xhafa, si edhe Theollori Sollaku, i cili po lëviz midis Vlorës dhe Fierit. Por tani i shtati në listë nuk do jetë më Kosta Barjaba, por ndofta Eltar Deda, ose edhe Arben Isaraj, ose Arben Malaj. Nga ana e vet Leskaj vjen si deputete e Elbasanit, ndërkohë që, Theollori Sollaku vjen nga posti i kryeprokurorit. Kontradiktat e Ramës me Arben Malajn, kanë ndikuar në futjen nga ana e Ramës, të emrave të tjerë në Qarkun e Vlorës, ndofta për të kaluar, Malajn, ose Dedën dhe Isarajn, pas numrit të mundshëm të deputetëve, që do të marrin mandatin. Por pavarësisht, nga formacioni i listës së deputetëve, Kryesocialisti Rama ka lënë sherrin brenda strukturave rozë, të Vlorës, duke u sjellë me mendjemadhësi dhe mendjelehtësi në dëbimin e përfaqësuesve të kësaj partie. Ndërsa në Fier, listës do t’i shtohet diku nga kreu i saj, ish- kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi dhe ish- kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, si edhe djali i ish -deputetit Fatmir Xhindi, Anduel Xhindi, i cili do të jetë diku nga fundi. Megjithatë, Fieri është kthyer në një “fuçi baroti” për Ramën, e cila digjet nga brenda dhe prodhon përmbysje të maxhorancës brenda strukturave të pushtetit lokal dhe këshillave. Sidoqoftë duhet thënë se,Fieri dhe Vlora do të kenë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e partisë që do të marrë pushtetin.

Pas Patosit sot e ka radhën Fieri

Takimi i djeshëm i Ramës në Vlorë, u parapri një dite më parë, në Patos dhe do të ndiqet nga një takim që do të zhvillohet sot në Fier. Por të mos harrojmë se Fieri ka të njëjtat probleme, si edhe Vlora. Sepse edhe aty janë larguar këshilltarët dhe disa figura popullore. Pikërisht, Fieri do mbahet mend si preteksti i Ramës, për mbajtjen jashtë integrimit europian, të Shqipërisë. Por edhe Fieri do ketë të njëjtat pakënaqësi. Por ndryshe, nga Vlora që shpërthen, fierakët të sabotojnë nën rrogoz, nëse e kuptojnë që në krye të tyre vendosen figura, që  deri dje kanë vjellë verem kundër socialistëve fierakë. Dhe të mos harrojmë se Vlora dhe Fieri, kanë të dy së bashku, jo pak, por 28 deputetë në listën prej 140 deputetësh. Le të shpresojmë  në rrjedhjen normale të ngjarjeve, por duhet theksuar se  Fieri dhe Vlora mbeten  dy qarqet që do të vendosin, se kush do të jetë fitues i zgjedhjeve të 23 Qershorit. Ndërkaq, sot pas takimeve në Fier kreu i socialistëve Edi Rama do të udhëtojë drejt Italisë .

Lista e deputetëve kush ikën dhe kush vjen

Qarku FIER

1. GRAMOZ RUÇI

2. ERMELINDA MEKSI

3. ALBERT ÇAÇI

4. FATOS TUSHE

5. ARMANDO SUBASHI

6. BASHKIM FINO

7. ERVIN KOÇI

8. ARBEN ÇUKO

9. PIRO LUTAJ

10. ARION MUÇAJ

11. ANDUEL FATMIR XHINDI

12. BUJAR AVDULLA ÇELA

13. ALMA IQMET BEJTAJ

14. GENTIAN PTOLEM NUSHI

15. PAJTIM NEKI ISUFAJ

16. FREDI PANDI KOKONESHI

Parashikohen në qershor në Qarkun e Fierit

1-Gramoz Ruçi

2-Ilirjan Celibashi

3-Fatos Klosi

4-Theollori Sallaku (ose në Vlorë)

5-Ajet Zyberi

6-Bashkim Fino

7-Armando Subashi

8-Arben Çuko

9-Ervin Koçi

10-Arjon Muçaj

11-Pirro Lutaj

12-Albert Çaçi

13-Anduel Xhindi

——

Qarku VLORË

1. ARBEN ISARAJ

2. LUIZA XHUVANI

3. ARBEN MALAJ

4. SHPETIM IDRIZI

5. ELTAR DEDA

6. FATMIR TOÇI

7. KOSTA BARJABA

8. MIRA SHEHU

9. GËZIM TUSHI

10. RAJMONDA GJONI

11. EDMOND LEKA

12. VALBONA DERHEMI

Parashikohen në qershor për Qarkun e Vlorës

1-Valentina Leskaj

2- Fatmir Xhafa

3- Theollori Sollaku (ose në Fier)

4- Arben Isaraj

5- Luiza Xhuvani

6- Fatmir Toçi

7- Arben Malaj

8- Eltar Deda