Sigal

Sekretari i ri Përgjithshëm i PD-së, ka zbuluar sot, detaje nga përgatitjet për protestat e PD dhe opozitës.

Sipas Gazmend Bardhit, mësohet se kryesia e re e PD, pas konstituimit të sotëm, ngarkoi kolegjin e kryetarëve për të diskutuar nesër në orën 11.00 për detajet, formën dhe datën e protestës, ndërsa po nesër padite, kryesia e PD-së, në një mbledhje tjetër të sajën, do të dalë me një vendimmarrje për këtë protestë.

Pyetje: Çfarë vendimi mori kryesia?

Gazmend Bardhi: Siç jeni në dijeni, sot ishte mbledhja e parë e konstituimit të kryesisë së re të Partisë Demokratike. Në zbatim të vendimit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, që ngarkoi kryesinë e re me organizimin e protestave popullore, me qëllim largimin e qeverisë së Edi Ramës, sot Kryesia ka diskutuar mbi strategjinë e protestave që do të ndjekë Partia Demokratike dhe opozita për realizimin e kësaj vendimmarrjeje të Këshillit Kombëtar. Vendimi i kryesisë së Partisë Demokratike është që nesër në orën 11.00 të thërrasë mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve, një organ i ri statutor i Partisë Demokratike, për të diskutuar paraprakisht me ta mbi strategjinë e protestave që do të ndiqen dhe, më pas, gjatë pasdites, do të ketë një mbledhje tjetër të kryesisë së Partisë Demokratike, mbi detajet dhe strategjinë e protestave që do të ndjekë opozita.

Ky ishte vendimi i kryesisë. Nesër në orën 11.00 do të mblidhet Kolegji i Kryetarëve, që do të diskutojë formën e protestës, datën e protestës dhe të gjitha detajet që lidhen me protestën dhe me zbatimin e vendimit të Këshillit Kombëtar.

Pyetje: a mund të jetë 20 shkurti një datë e mundshme?

Gazmend Bardhi: Nuk ka një vendim mbi këtë çeshtje, e përsëris, ka pasur një diskutim të të gjithë anëtarëve të kryesisë për strategjinë që do të ndiqet për protestat. Do të mblidhet Kolegji i Kryetarëve në orën 11.00 të ditës së nesërme. Ju lutem, duroni deri nesër për detajet e mënyrës, formës, datës, orës dhe të gjitha çështjeve të tjera që lidhen me protestën. E vetmja thirrje që kam, është që ju t’i bashkoheni protestës së opozitës.

Faleminderit!