Kryeprokurorja nis detyrën, ja takimet e para

488
Arta Marku ka marrë dje zyrtarisht detyrën e Prokurores së Përgjithshme, ndonëse ajo nuk do të gëzojë një mandat të plotë. Megjithëse ende me leje të zakonshme deri në datën 20 janar, në orën 08:20 minuta Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku la në shtëpi në lagjen Perash të Shkodrës dy vajzat e saj dhe nisi udhëtimin drejt Tiranës për të marrë detyrën e re të kryeprokurores. Garda e Republikës i kishte vendosur në dispozicion shefes së organit të akuzës të njëjtët truproja dhe automjete që deri të hënën shoqëruan paraardhësin, Adriatik Llallën. Por, ndalesa e parë e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku ishte Kuvendi, pasi eskortës së kryeprokurores së përkohshme i është shtuar edhe sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj. Në pritje të kryeprokurores Marku, i pari që mbërriti dje në orën 09:30 në Prokurorinë e Përgjithshme ishte Adriatik Llalla, i cili pesë vjet më parë mori stafetën e akuzës nga Ina Rama në një ceremoni të hapur për herë të parë edhe për publikun dhe që i la karrigen po një gruaje prokurore, por kësaj radhe me dyer të mbyllura. Arta Marku mbërriti në orën 10:00 në Prokurorinë e Përgjithshme dhe qëndroi në zyrë me Adritiak Llallën për 45 minuta, në atë që është zyra e saj tashmë. Përveç tyre, të pranishëm në ceremoninë me dyer të mbyllura ishin sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj, drejtoresha e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, sekretari i Përgjithshëm i Prokurorisë, Genti Kosumi dhe prokurori Adnan Xholi. Holli i brendshëm i prokurorisë ishte vendi ku Marku dhe Llalla shtrënguan duart, njëri për t’u ngjitur në zyrën e re dhe tjetri me plane ende të pazbuluara. Detyra e parë e Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme ishte pjesëmarrja në një takim të përbashkët në Kryesinë e Kuvendit për institucionet e pavarura. Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme është femra e dytë që merr drejtimin e organit qendror të akuzës. Por, për shkak të ndryshimeve ligjore të reformës, ndryshe nga Ina Rama me të cilën kanë qenë në të njëjtin auditor në Shkollën e Magjistraturës, Arta Marku do të ketë kompetenca më të kufizuara. Përveç nxjerrjes së udhëzimeve për prokurorinë, ajo ka të drejtë t’i propozojë Presidentit të Republikës kandidatët për prokurorë pasi të ketë marrë mendimin e Këshillit të Prokurorisë, të komandojë prokurorë në prokurori të tjera, apo të pezullojë prokurorë nga detyra atëherë kur ndaj një prokurori nis procedimi penal.
Sigal