Kryeprokurori, skenat e prapaskenat e aleancave të 2013-s

55

Ilir Meta, nuk ka arsye të nxitohet të dalë nga bashkëqeverisja, apo të afrohet në aleancë paraprake me Edi Ramën

Është bërë praktikë mediatike, që të jepet kryelajm, një takim qoftë edhe rastësor mes Metës dhe Ramës, kudo qoftë, ndodhia e pranisë së përbashkët të tyre. Dhe, menjëherë fantazia punon, deri në atë pikë, sa publikohen platforma, jo më të qasjes, por edhe të një bashkëpunimi të aleancës Rama- Meta. Sa vërtetësi kanë këto takime Meta-Rama, qoftë edhe rastësore, për një mundësi aleance midis tyre? Duhet thënë se, realiteti është në pikën zero, aty ku është lënë qysh nga mosqasja Rama-Meta e 2009-s. Sa herë është pyetur Ilir Meta për një bashkëpunim me Ramën, e çfarëdo lloj forme, ai me kujdes është shprehur gjithnjë lakonik, domethënës, por njëkohësisht, enigmatik. “Do të respektojmë marrëveshjen me Berishën deri në zgjedhjet e 2013-s”. Kjo përgjigje, mund të thotë shumë, por edhe mund të mos thotë asgjë, duke patur parasysh se të dy aktorët e kësaj marrëveshjeje janë Berisha dhe Meta. Po kaq politikanë dhe diplomatë të politikëbërjes, sa rrallë  këta kanë humbur diçka nga vetvetja. Në politikë dihet që marrëveshjet bëhen për t’u përdorur alibia e prishjeve, ndaj pakkush mund të besojë dhe të bazohet në të tilla marrëveshje, edhe pse pohuar në mënyrë të përsëritur nga Meta. Pakkush di dhe asnjëherë nuk janë pohuar publikisht kushtet që u përdorën për produktin e marrëveshjes Berisha-Meta. Megjithatë, nuk është e vështirë që të kuptojmë simptomat e sëmundjes të kësaj marrëveshjeje, të cilat  dëshmojnë shfaqje të pakënaqësisë të mospërmbushjes ndonjë kushti . P.sh, Meta në procesin e zgjedhjes së kandidaturës së Presidentit i dha këto simptoma të pakënaqësisë, deri në aludim të përpjekjeve për rrugëzgjidhje të tjera. Kujtojmë pazaret në Gjirin e Lalzit me Ramën. Në këtë pikë u bashkëtakuan interesat e çastit të Metës dhe Ramës, sigurisht, secili për interesat e veta, e jo të përbashkëta, e ca më pak… parimore. Meta, duket se i ushtroi presion Berishës, për t’i shkëputur Kryeprokurorin e ri. Ndaj edhe simptoma e “rebelimit” të Metës ndaj Berishës zgjati shumë-shumë 3 ture zgjedhjesh, në procesin e Presidentit, sa për t’i përcjellë dhe kujtuar Berishës mesazhin e pasojave. Berisha, herë-herë “harron” të kujtojë se është në maxhorancë vetëm për “meritë” të Ilir Metës, kur ndërmerr veprime politike pa pyetur bashkëaleatin e vet, sikurse janë emërimet e Kryetarit të SHISH-it dhe nënkryetarit të KLD-së,  apo edhe emërimin e Kryetarit të ri të KQZ-së. Dhe Meta, me rolin e vet si lojtar që është I favorizuar të luajë në fushë edhe pa top, hedh në publik ndonjë  “takim rastësor” me Ramën, dhe këmborët që dëgjohen, për mundësitë e aleancave PS-LSI, janë si këmbora e deles së vetmuar, që tundet nga ecja e deles në errësirë,  prej frikës, se sa një realitet politik. Meta nuk ka asnjë arsye të shkëputet para kohe nga maxhoranca e Berishës, thjesht për shkak të interesave politike partiake, sikurse nuk ka asnjë përfitim politik që të nxitohet që të deklarohet kaq herët për aleancë të mundshme me Edi Ramën. Pohimi i Ilir Metës, në intervistën e fundit në TV është mëse i sinqertë dhe mëse bindës për këto që përmendëm. “Ne jemi në një koalicion i cili funksionon në mënyrë të qëndrueshme, i cili ka edhe mjaft sfida për të përballuar dhe i cili natyrisht në fund të periudhës 4-vjeçare (LSI-ja – domethënë vetë Meta) bën edhe bilancin e tij”, të bind që bilanci do të jetë ky: Ilir Meta nuk ka arsye që të shkëputet para 2013-s nga qeverisja, sepse ka gjithë militantët e vet të punësuar në administratën shtetërore, e kjo është një pajë politike që do t’i shërbejë si kartë e fortë elektorale. Nga ana tjetër,  Meta, që e njeh shumë mirë Ramën, gjithsesi nuk mund t’i besojë Ramës në fjalën e besën politike dhe kjo e bën tepër skeptik. Vështirë që Rama t’i japë Metës më shumë se sa Berisha. Ndërsa Berisha i ka qëndruar korrekt e besnik fjalës që i ka dhënë, siç e pohoi vetë Meta, në intervistën e fundit. “Unë mendoj se ai (Berisha) ka qenë personalisht tepër korrekt dhe deri tani personi më korrekt në politikën shqiptare që unë kam pasur rastin të bashkëpunoj”. Ka një të vërtetë në marrëdhëniet Berisha-Meta, që mund të prishë, apo konsolidojë peshoren e marrëdhënieve midis tyre. Emërimi i Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Kryeprokurori i Përgjithshëm, mund të jetë premtimi më i madh që i ka dhënë Berisha Metës, për votat e  zgjedhjes të Presidentit Nishani. I vetmi fakt që do ta detyrojë Metën që të kthejë bilancin drejt Ramës, do të jetë nëse e kupton në kohën e duhur prirjen elektorale të 2013-s. Nëse besimi i elektoratit është i ulet ndaj qeverisjes së kësaj maxhorance, Meta do të luajë kartën e afrimit me Ramën, pavarësisht marrëveshjes me Berishën. Kjo, gjithsesi, nuk mund të ndodhë para qershorit 2013.