Kryeprokurori, OPDAT dhe EURALIUS shkelin Kushtetutën

610
Prokurori i ri, OPDAT dhe EURALIUS “shkelin” Kushtetutën
Misionet e asistencës juridike të SHBA-ve e BE-së ndërhyjnë në debatin për shefin e organit të akuzës. Absurdi: Mjaftojnë 36 vota për pasuesin e Llallës
Pasuesi i Adriatik Llallës në detyrën e kryeprokurorit ka ndezur debatin politik dhe juridik, ku janë përfshirë edhe misionet e asistencës së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Në mungesë të strukturave të reja të sistemit të drejtësisë, këto misione kanë propozuar zgjidhje që nuk parashikohen në Kushtetutën aktuale. Misionet amerikane dhe evropiane të ndihmës juridike, OPDAT dhe EURALIUS, kanë dhënë rekomandimet mbi mënyrën se si duhet vepruar për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme pas përfundimit të mandatit të kryeprokurorit aktual Adriatik Llalla. Mandati pesëvjeçar i Llallës merr fund në javën e parë të dhjetorit, ndërsa ende është e paqartë rruga e zgjedhjes së një zëvendësuesi. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, mandati i Llallës nuk mund të zgjatet dhe në vend të tij duhet të zgjidhet një prokuror me funksione të përkohshme. Më tej, OPDAT dhe EURALIS sugjerojnë, se për votimin e kryeprokurorit të ri mjafton shumica e thjeshtë në Parlament. Që do të thotë se një seancë, ku të pranishëm janë 71 deputetë, shefi i ri i organit të akuzës mund të zgjidhet me vetëm 36 vota. 

Mandati i Llallës
Përfundimi në fillim të muajit dhjetor i mandatit të kryeprokurorit Adriatik Lalla ka zgjuar debate rreth drejtimit të ardhshëm të Prokurorisë së Përgjithshme, për shkak se ndryshimet e parashikuara në kuadër të reformës në drejtësi nuk mund të zbatohen ende. Sipas këtyre ndryshimeve, Prokurori i Përgjithshëm duhet të propozohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, institucion i cili si dhe shumë të tjerë është peng i ecurisë së procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Klima e ndezur politike, si dhe hetimi i hapur ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, e ushqyen debatin dhe paqartësinë për zgjatjen apo jo të mandatit të Llallës. Kjo për faktin se në ndryshimet ligjore, mandati i Prokurorit të Përgjithshëm është zgjatur nga 5 në 7 vjet. Komisioni parlamentar i Ligjeve i drejtoi një kërkesë misionit amerikan OPDAT dhe atij europain EURALIUS, ekspertët e të cilëve luajtën një rol të dorës së parë dhe gjatë procesit të reformës. Në arsyetimin e këtyre të fundit, hidhet poshtë kategorikisht hipoteza e një zgjatjeje të mandatit të kryeprokurorit aktual. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, “nuk ka autoritet kushtetues ose ligjor për Parlamentin që të zgjasë mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm aktual, mbas skadimit të mandatit të tij”. “Përkundrazi, ekziston një dispozitë e qartë që urdhëron emërimin e një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm”, saktësohet në përfundimet e tyre.

Prokurori i përkohshëm
Ekspertët ndërkombëtarë i referohen dispozitave kalimtare të cilat parashikojnë se “në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon para kohe, para themelimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve”. Sigurisht që edhe kryeprokurorit të përkohshëm i kërkohet të plotësojnë kërkesat dhe kriteret e parashikuara në një tjetër kapitull të ligjit, por nuk përcaktohet se si do të zgjidhet ai. Gjithashtu, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, kjo dispozitë bën të qartë se në periudhën kalimtare nuk do të ketë prokuror të Përgjithshëm, por vetëm një kandidat kalimtar, të cilit i caktohet funksioni i Prokurorit të Përgjithshëm (Prokurori i Përgjithshëm i përkohshëm). OPDAT dhe EURALIUS shpjegojnë dhe mënyrën se si duhet të votohet drejtuesi i Përkohshëm, për sa kohë kuadri ligjor kalimtar nuk e parashikon. Ligji, sipas tyre “vetëm e cakton këtë pushtet në një vendim të Kuvendit”. “Për vendimet e Kuvendit zbatohen Rregulloret e Punës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Për pasojë ai do të duhet të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, nënvizojnë ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it.

Dispozitë kalimtare për kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë
1 – Prokurori i Përgjithshëm në detyrë qëndron në detyrë deri në fund të mandatit, nëse nuk ka arsye për të përfunduar mandatin e tij, sipas kreut VIII, të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” ose si rezultat i procesit të rivlerësimit, sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

2 – Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji.
3 – Kompetencat kalimtare të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë parashikohen në dispozitat kalimtare të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Si zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm
1 – Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.
2 – Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit.
3 – Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
4 – Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar. 
5 – Pas përfundimit të mandatit dhe me kërkesë të tij, Prokurori i Përgjithshëm emërohet në detyrën e mëparshme ose gjyqtar në gjykatën e Apelit.
Sigal