Kryeprokurori Llalla: Nëse Xhafaj nuk i njeh ndryshimet ligjore, problem i tij. Krimi në vend është galopant

551
Kryeprokurori Adriatik Llalla ka komentuar deklaratën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj për kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri dhe arrestimin e tij. Ministri Xhafaj hodhi akuza se segmente të caktuara të Prokurorisë po përdoren politikisht për situatën e krijuar në vend, e sidomos në rastin e ish-ministrit Tahiri.

Në përgjigje të këtyre akuzave, kryeprokurori Llalla tha se ministri Xhafaj, duhet të jetë i informuar mbi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale në vend.

“Nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë të z.Xhafaj. Kryesuesi i reformës në drejtësi, dhe ministri i Brendshëm nëse nuk është i qartë për ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale, besoj se është problem i tij. Prokuroria shqiptare po ndjek me vëmendje të veçantë hetimin e të gjithë rasteve të kriminalitetit në vend. Situata është e tensionuar.

Krimi i shpërndarë në mënyrën galoponte në tërë territorin e vendit është shqetësues. Situata në Elbasan, Vlorë, Lushnjë, Durrës, është problematike. Detyra jonë është të hetojmë të gjitha këto raste, dhe të gjithë krerët dhe drejtuesit e policisë që me veprimet e tyre apo mosveprimet kanë lejuar këto veprimtari. Apo që nuk kanë arrestuar kriminalët, mos themi që disa drejtues akuzohen se kanë bashkëpunuar me bandat”, u shpreh kryeprokurori Llalla.
Sigal