“Kryeprokurori i përkohshëm”, Luan Rama: S’e lejon Kushtetuta, skandal i qeverisë për t’i shërbyer krimit

532
Zv/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, thotë se ajo që kërkon të bëjë maxhoranca është në shkelje të plotë të Kushtetutës.
Sipas tij, është një skandal i radhës nga qeveria e cila kërkon ta zëvendësojë Prokurorin e Përgjithshëm me dikë që ligji nuk e lejon të jetë Prokuror i Përgjithshëm
Në një status në Facebook, Rama shkruan se mbi këtë çështje qëndron kupola e krimit që synon të kapë politikisht dhe me çdo çmim Prokurorin e Përgjithshëm
Statusi i plotë
Skandali i rradhës: maxhoranca do të zëvendësojë Prokurorin e Përgjithshëm me dikë që ligji nuk e lejon të jetë Prokuror i Përgjithshëm!
Askund në Kushtetutë apo në ligj nuk flitet për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm!
Maxhoranca, papërgjegjshmëria dhe paligjshmëria janë e njejta gjë! E mbi të është kupola e krimit që synon të kapë politikisht dhe me çdo çmim Prokurorin e Përgjithshëm! Ndaj nuk është e rastit që të tre kandidatuarat e përzgjedhura nga tepsimaxhoranca vijnë nga Durrësi, nga Elbasani dhe nga Shkodra!!!
Meqenëse Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është ngritur qëllimisht nga tepsimaxhoranca e miksimit të krimit me qeverisjen dhe ligji ka dispozita tranzitore për t’a zëvendësuar përkohësisht Prokurorin e Përgjithshëm, atëherë ky i fundit nuk bëhet Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshem ( ky emërtim nuk është as në Kushtetutë dhe as në ligj!), por një prokuror që do të ushtrojë përkohësisht funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm.
Ky interpretim gjuhësor është shumë i rëndësishëm, sepse kur të krijohet KLP dhe të hapen procedurat për zgjedhjen e vërtetë të Prokurorit të Përgjithshëm, mund të kandidojnë edhe juristë, me eksperience pune, pasi nuk limitohet vetëm tek prokurorët në detyrë.
Vetem atëherë do të kemi Prokuror të Përgjithshëm.
Konceptualisht, gjysmëkomisioni i ligjeve ka çelur shtegun e paligjshëm që me anë kësaj proçedura antikushtetuese, Kuvendi t’i japë këtij hibridprokurori disa tagra që nuk i takojnë. Ky personi që do të zgjidhet, nuk mund të nënshkruajë asnjëherë si Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm. Ai është dhe do mbetet Prokuror zëvendësues i përkohshem! Ndaj, nëse tepsimaxhoranca do t’a fusë Prokurorinë në kolaps e paligjshmëri siç i intereson botës së krimit, kandidatët e përzgjedhur prej saj janë ende në kohë të tërhiqen e të ruajnë të paktën integritetin e tyre, sigurisht nëse e çmojnë se e kanë!
Sigal