Kryeprokurori, Basha: Vetëm duke iu përmbajtur Kushtetutës, jo pakt me krimin

489
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Donald Lu, i cili u shpreh se Prokurori i Përgjithshëm duhet të luftojë politikanët e korruptuar. Kreu i PD- së shprehet se në mënyrë që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Gjithashtu kryeopozitari ka deklaruar se PD mbështet pa asnjë rezervë vetingun e çdo prokurori dhe gjyqtari. Basha shkruan se ka më shumë se 8 muaj që është duke u mbajtur peng krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shkelje flagrante të kushtetutës. “Që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet procesit të vetingut, siç e parashikon reforma në drejtësi e sanksionuar në Kushtetutë. Që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Sajmir Tahiri, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe tre të pestat e Kuvendit siç e kërkon Kushtetuta. Reforma në drejtësi është në Kushtetutë. Ka tetë muaj që në shkelje flagrante të Kushtetutës mbahet peng krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndaj ne bëjmë thirrje, që kjo situatë të zhbllokohet menjëherë, që reforma në drejtësi të zbatohet ashtu siç e parashikon Kushtetuta” shkruan Basha.
Sigal