Kryeprokurori/ Basha i përgjigjet Ramës dhe ambasadorit Lu: Ka vetëm një mënyrë si…

446
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ftesës së sotme të kryeministrit Edi Rama në lidhje me Prokurorin e ri të Përgjithshëm.
Ndërsa ambasadori i SHBA-ve u shpreh se reforma në drejtësi nuk ka vdekur, ndryshe nga sa deklarojnë disa politikanë, por se mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur Basha tregon se e vetmja mënyrë që të arrihet kjo është që Prokurori i Përgjithshëm t’i nënshtrohet vettingut.
Kreu i PD-së kërkon krijimin e menjëhershëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të krijohet menjëherë SPAK dhe byroja e hetimit që do të hetojë politikanët e korruptuar dhe krimin. Ai bën thirrje që kjo situatë të zhbllokohet menjëherë, që reforma në drejtësi të zbatohet siç e parashikon Kushtetuta.
DEKLARATA E BASHËS
Që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet procesit të vetingut, siç e parashikon reforma në drejtësi e sanksionuar në Kushtetutë.
Që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Sajmir Tahiri, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe tre të pestat e Kuvendit siç e kërkon Kushtetuta.
Reforma në drejtësi është në Kushtetutë. Nuk ka reformë në drejtësi jashtë Kushtetutës. Drejtësia arrihet pikërisht përmes zbatimit të Kushtetutës dhe jo pazareve partiake.
Ne mbeshtesim pa asnjë rezervë procesin e vetingut të çdo prokurori dhe gjyqtari. Ne kërkojmë krijimin e menjëhershëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të krijohet menjëherë SPAK dhe byroja e hetimit që do të hetojë politikanët e korruptuar dhe krimin. Ka tetë muaj që në shkelje flagrante të Kushtetutës mbahet peng krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndaj ne bëjmë thirrje që kjo situatë të zhbllokohet menjëherë, që reforma në drejtësi të zbatohet ashtu siç e parashikon Kushtetuta.


Sigal