Kryeprokurori, Adnor Shameti ndahet me Manjën për kriteret e përzgjedhjes

936
Anëtari socialist i Komisionit të Ligjeve, Adnor Shameti mendon ndryshe nga kreu i këtij komisioni, Ulsi Manja, për sa i përket kushteve që duhet të plotësohen mbi garën e nisur për kryeprokuror të përkohshëm. Ndërsa të dy e lexojnë njëjtë ligjin për kriterin e Shkollës së Magjistraturës, ose gradat shkencore, ajo që i ndan dy anëtarët e mazhorancës ka lidhje me 15 vitet eksperiencë në detyrë. Ulsi Manja mendon se kjo periudhë përfshin angazhimin si prokuror, ndërsa Adnor Shameti thotë se, këto 15 vite parashikojnë që kandidati të jetë jurist dhe aktualisht me detyrën prokuror. Ky lexim i ligjit zgjeron në fakt rrethin e pretendentëve. “Në vlerësimin tim profesional dhe si anëtar i Komisionit të Ligjeve, në asnjë nga ligjet që tregova nuk thuhet që një prokuror i sistemit të ketë domosdoshmërish 15 vite si prokuror, mjafton të jetë aktualisht prokuror dhe eksperiencë mbi 15 vite si jurist”, tha Adnor Shameti, deputet i PS-së.

19 anëtarët e Komisionit të Ligjeve do të kryejnë për herë të parë dhe të fundit, rolin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vlerësimin e kandidaturave, përderisa KLP-ja nuk është ngritur ende. “Atributet e KLP-së do t’i ushtrojë Komisioni i Ligjeve dhe, pasi të kemi bërë seancën dëgjimore, do të bëhet një listë e shkurtuar e kandidatëve më të mirë, që do t’i propozohen më tej Kuvendit”, tha Adnor Shameti.

Por, si veprohet nëse gjatë këtij vlerësimi mund të ketë kandidatë që dalin në balotazh? “Nëse do të kemi vlerësim të njëjtë për dy kandidatura, atëherë fiton dhe ka prioritet prokurori që ka eksperiencë më të gjatë në detyrë si prokuror”, tha Adnor Shameti.
Sigal