Kryeparlamentari Ruçi me Kryetaren e Komunës së Tetovës: Shqiptarët do votojnë “Pro” BE-së

634
Sigal

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti Kryetaren e Bashkisë së Tetovës Teuta Arifi, me të cilën bisedoi mbi zhvillimet më të fundit ne Maqedoni. Gjatë takimit Kryetari i Kuvendit nënvizoi se pjesëmarrja e shqiptarëve dhe vota e tyre pro në referendumin e 30 shtatorit është shumë e rëndësishme. Shqiptarët duhet të bëhen masivisht pjesë e zgjidhjes, nënvizoi Ruçi. Forcat politike dhe institucionet e qeverisjes qendrore e vendore të drejtuara prej shqiptarëve duhet të japin mesazhin e qartë në mbështetje të referendumit. Ne shqiptarët, jemi një faktor i rëndësishëm stabiliteti, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin. Është pozitive që forcat politike shqiptare janë përgjithësisht pro referendumit dhe kjo duhet të pasohet edhe nga mbështetja e votuesve shqiptarë. Tetova duhet gjithashtu të paraprijë në këtë proces. Roli i Komunës së Tetovës është vendimtar për sigurimin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në referendum. Nuk duhet ta humbasin këtë shans historik. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, falënderoi Gramoz Ruçi për mbështetjen që Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë u japin në këto çaste shqiptarëve në Maqedoni. Faktori ndërkombëtar mbështet si rrallëherë në këtë çështje të gjitha forcat progresiste të Maqedonisë, të cilat përpiqen për zgjidhjen e problemeve, prosperitetin, paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, shprehën bindjen se shqiptarët do të marrin pjesë masivisht në referendumin e 30 shtatorit dhe vota e tyre do të jetë pro.