Kryeparlamentari Ruçi: Ja 8 pyetjet për të cilat Kuvendi kërkon opinionin e Komisionit të Venecias për vettingun në politikë

548
Sigal

Ja pyetjet e kryeparlamentarit Ruçi, drejtuar Komisionit të Venecias

Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka drejtuar Presidentit të Komisionit të Venecias Giani Buquichio, ku i kërkon opinion për 8 çështje që lidhen me vettingun në politikë, opinion për qëllimin e vettingut në politikë dhe e pyet komisionin për nëse qëllimi është legjitim. Kryetari i Kuvendit kërkon opinion nga Komisioni i Venecias edhe për një pikë të rëndësishme të debatit që ngrihet mbi pozicionim e demokratëve, nëse vettingu në politikë afekton punën e strukturës së posaçme antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pikërisht për këtë letër, opozita ngriti shqetësimin sot në Këshillin e Legjislacionit, i cili u mblodh për të diskutuar për Vettingun.

1) Cili është qëllimi i projektligjit për vettingun e politikës? A është ky një qëllim legjitim?

2) A është ndërhyrja në të drejtën për t’u zgjedhur e balancuar dhe në përputhje me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDN), në kuptim të parimit të proporcionalitetit dhe parashikimit me ligj?

3) Cilat janë standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira lidhur me kontrollin e figurës së të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)?

4) A ka dallim ndërmjet standardeve dhe kontrollit të figurës së gjyqtarëve/prokurorëve dhe të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)?

5) A është ndërhyrja në të drejtën për mbrojtjen e reputacionit, në kuptim të nenit 8 të KEDNJ, e balancuar dhe në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDN?

6) A është ndërhyrja në të drejtat për një proces të rregullt ligjor (akses në gjykatë), në kuptim të nenit 6 të KEDNJ, në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ?

7) A janë formuluar nenet e projektligjit për vettingun e politikës në mënyrë korrekte nga pikëpamja e teknikës së hartimit të një norme kushtetuese?

8) A mund të sjellin implikime, ndikim të papërshtatshëm apo edhe mbivendosje parashikimet e projektligjit për vettingun e politikës në drejtim të zbatimit dhe efektivitetit të dispozitave që rregullojnë funksionimin e gjykatave të posaçme (neni 135/2 i Kushtetutës), Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore (neni 148/4 i Kushtetutës), të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPI), ligji nr. 9367/2005), të institucioneve që merren me procesin e dekriminalizimit (ligji nr. 138/2015)?