Kryeparlamentari Meta: Vizita në Athinë për bashkëpunim politik mes parlamenteve

448
Sigal


Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit në
Athinë nga Kryetari i Parlamentit të  Greqisë, z. Nikolaos Voutsis

 


Gazeta Telegraf/


Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Greqi,
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit sot në Athinë nga Kryetari i
Parlamentit të Greqisë, z. Nikolaos Voutsis, të cilit i shprehu mirënjohjen për
ftesën dhe për mikpritjen e ngrohtë.

Kryetari i Kuvendit, Meta u shpreh se vizita
në Athinë ka për qëllim të nxisë bashkëpunimin politik mes dy parlamenteve dhe
të forcojë lidhjet mes tyre në interes reciprok, dhe theksoi se Kuvendi i
Shqipërisë inkurajon forcimin e marrëdhënieve shumëplanëshe mes Shqipërisë dhe
Greqisë si dy vende fqinje anëtarë të NATO-s dhe të ndodhura përballë sfidave
të përbashkëta bashkëkohore, rajonale dhe globale.

Duke shprehur vullnetin e qartë për rëndësinë
e marrëdhënieve të partneritetit strategjik, vitale dhe dinamike me Greqinë, z.
Meta shprehu angazhimin për të ndërtuar së bashku një platformë model,
sfiduese, ambicioze dhe të qëndrueshme të këtyre marrëdhënieve në interes të të
ardhmes së vendeve dhe popujve tonë, platformë të bazuar në vlerat e
përbashkëta euroatlantike, ato të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

“Marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe
Greqisë kanë rëndësi rajonale dhe mesdhetare, ndaj të diskutojmë hapur dhe në
mënyrë konstruktive, në interes të së ardhmes së përbashkët dhe të forcimit të
marrëdhënieve dypalëshe duke zgjidhur kështu çështjet e trashëguara nga e
kaluara dhe të mbartura në kohë”, – nënvizoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për
mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në anëtarësimin e saj në NATO, në
marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE dhe që jep ndaj
ecurisë së saj në procesin e integrimit evropian.

Z. Meta dhe z. Voutsis ndanë bindjen e
përbashkët se shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi dhe minoriteti grek në
Shqipëri janë ura të shëndosha të lidhjeve dhe bashkëpunimit mes vendeve dhe
popujve tonë.

Gjatë takimit u vlerësua nga të dy
kryeparlamentarët procesi i nisur i intensifikimit dhe thellimit të dialogut
dhe kontakteve të diplomacisë së të dy vendeve, në funksion të rritjes së
besimit, thellimit të bashkëpunimit dhe të eksplorimit me qetësi e racionalitet
të mundësive për gjetjen e zgjidhjeve mbi një sërë çështjesh dypalëshe ende të
pa adresuara mes palëve, duke konverguar në përputhje me interesat e
përbashkëta afatgjate.

Kryetari Meta nënvizoi se Shqipëria dhe
Greqia, si dy vende të NATO-s dhe pjesë të vlerave evropiane dhe proceseve
pjesëmarrëse, integruese dhe emancipuese të BE-së përputhen në interesa, sfida,
shqetësime dhe parashikime të së ardhmes se vendeve të tyre, atë të rajonit dhe
të botës.

“Jemi të vendosur që marrëdhëniet mes dy
vendeve të krijojnë model për marrëdhëniet në rajon si vende që vështrojnë dhe
ndërtojnë raportet e tyre në trajtimin e drejtë dhe diskutimin e sinqertë se
edhe historia, tradita dhe trashëgimia mund dhe duhet t’i shërbejnë të ardhmes
së marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, – u shpreh z. Meta.

Më tej, u nënvizua fakti se interesat e
përbashkëta dhe bashkëpunimi i ngushtë dhe reciprok politik, ekonomik,
ushtarak, financiar, ai i sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit dhe trafikut
kriminal ndërkufitar e krimit të organizuar duhet të prevalojnë mbi çështjet e
trashëguara dhe të mbartura nga historia.

Duke motivuar dhe inkurajuar frymën e
miqësisë, bashkëjetesës dhe duke evidentuar integrimin e emigrantëve shqiptarë
në jetën dhe shoqërinë e Greqisë dhe vëmendjen tonë ndaj minoritetit grek në
Shqipëri si ura të qëndrueshme dhe afatgjata të marrëdhënieve mes dy popujve
tanë, z. Meta vuri në dukje se ne krijojmë një platformë të besueshme, jo vetëm
për të diskutuar, por edhe për të gjetur zgjidhje në kohën e përshtatshme dhe
të favorshme për çështjet e së kaluarës.

Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit z. Meta u
shpreh:

“Është përgjegjësi e jona gjetja e
instrumenteve të duhura për të na çliruar nga ngarkesa dhe akte historike në
funksion të krijimit të një fryme dhe opinioni pozitiv për shoqëritë e vendeve
tona në kuadrin e realiteteve moderne e me shikim në të ardhmen e përbashkët.

Komisionet e përbashkëta ndërdikasteriale
duhen nxitur për t’i dhënë një zgjidhje bashkëkohore ligjit të njëanshëm të
luftës të 1940-s për të pasqyruar realitetin e sotëm të fqinjësisë së mirë,
përkatësisë transatlantike, rrugëtimit evropian dhe miqësisë se hershme
ndërmjet dy popujve tanë. Po kështu, respektimi i të drejtave të pronës së
qytetarëve shqiptarë, që kanë jetuar në Greqi do të ndihmonte shumë në krijimin
e një klime më të favorshme në marrëdhëniet tona”.

Në përfundim, duke u ndalur te nevojat e
komunitetit shqiptar në Greqi, z. Meta shprehu mirënjohjen për vëmendjen e
qeverisë greke ndaj emigrantëve dhe vuri në dukje se njohja e Vulës Apostile
shqiptare nga ana e Greqisë do të lehtësonte marrjen dhe qarkullimin e
dokumenteve të shtetasve shqiptarë, por edhe grekë, ndërkohë që zgjidhja e
çështjes së sigurimeve shoqërore nëpërmjet një marrëveshjeje dypalëshe, njohja
nga pala greke e lejeve shqiptare të drejtimit sipas standardeve evropiane, do
të ishin masa efikase me efekte praktike dhe në ndihmë të qytetarëve shqiptarë
në Greqi.

Ndërkaq, gjatë këtij takimit z. Nikolaos
Voutsis i akordoi z. Ilir Meta “Medaljen e Artë të Parlamentit të Greqisë”. Kjo
medalje i akordohet personaliteteve të rëndësishme në shenjë nderimi për
kontributin e tyre nga Parlamenti grek.