Kryeparlamentari Meta takon Presidentin e FES në Berlin z. Kurt Beck

455
Sigal

Gjatë qëndrimit të tij në Berlin, Kryetari i Lëvizjes
Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga
Presidenti i Fondacionit Friedrich Ebert (FES), z. Kurt Beck, të cilit i
shprehu mirënjohjen për punën dhe mbështetjen e ofruar në zhvillimet sociale
dhe politike në Shqipëri.

Z. Meta u shpreh se: “LSI e vlerëson bashkëpunimin me
FES sepse vlerat e Evropës së Bashkuar janë në thelb vlera të social-demokracisë,
të lirisë, barazisë sociale dhe të solidaritetit”.

Z. Beck vlerësoi vizitën e delegacionit të LSI-së në Berlin
si një hap të rëndësishëm më tej në bashkëpunimin e ngushtë dhe e siguroi z.
Meta se FES qëndron i gatshme të ofrojë ekspertizën e tij politike në mbështetje
të avancimit të vlerave social-demokrate dhe të mirëqeverisjes në Shqipëri.

Duke biseduar për përgatitjen e të rinjve shqiptar në
tregun gjithnjë e më dinamik të punës, z. Meta dhe z. Beck, ranë dakord që të
intensifikohen programet konkrete që çojnë përpara formimin profesional të të
rinjve, të cilët kanë nevojë për më tepër aftësi bashkëkohore dhe ‘know-how’ për
të qenë më të konkurrueshëm.

Z. Meta nënvizoi se: “LSI i kushton shumë vëmendje
fuqizimit të të rinjve në shoqërinë shqiptare si dhe pjesëmarrjes së tyre në
vendimmarrjen qendrore dhe lokale në Shqipëri”.

Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Berlin shoqërohej nga
deputetja dhe nënkryetarja e LSI-së Kejdi Mehmetaj, Kryetarja e Lëvizjes Rinore
për Integrim, Floida Kërpaçi, Sekretarit Ndërkombëtar i LSI-së Ralf Gjoni dhe anëtari
i Komitetit Drejtues Kombëtar Eriol Braimllari.