Kryeparlamentari Meta takon ministrin e Brendshëm britanik

485
Sigal

Kryetari i Kuvendit
Ilir Meta zhvilloi një takim me Ministrin britanik të Shtetit për Çështjet e
Brendshme dhe të Sigurisë, Ben Wallace, në përmbyllje të vizitës së tij zyrtare
në Mbretërinë e Bashkuar. Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ministri britanik
Wallace vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe
në fushat e sigurisë, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe
ndanë bindjen e përbashkët se ky bashkëpunim duhet intensifikuar dhe forcuar më
tej. Meta vuri në dukje se miratimi i paketës kushtetuese për reformimin
rrënjësor të sistemit të drejtësisë në Shqipëri i shërben jo vetëm çështjeve me
interes të përbashkët, por edhe klimës së biznesit dhe investimeve në vend. Ndërsa,
Ministri britanik i Shtetit për Çështjet e Brendshme dhe Sigurisë Ben Wallace
theksoi se Britania e Madhe e vlerëson bashkëpunimin me autoritetet shqiptare
dhe në këtë drejtim qeveria ka vullnet maksimal për të konsoliduar
bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, trafiqeve ilegale dhe luftës ndaj
krimit të organizuar. Në këtë drejtim u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë
në interes të paqes dhe sigurisë rajonale. Duke evidentuar rëndësinë e
marrëdhënieve ndërparlamentare mes dy vendeve, Ministri Wallace shprehu
kënaqësinë për krijimin e Grupit Gjithëpartiak të Miqësisë me Shqipërinë në
Parlamentin Britanik dhe shprehu besimin se vizita e Kryetarit të Kuvendit Meta
në Londër do t’i japë një shtysë të fortë marrëdhënieve dhe bashkëpunimit
dypalësh, veçanërisht në kontekstin e referendumit britanik mbi BE. Në
përfundim, Kryetari i Kuvendit  Meta
vlerësoi kontributin e çmuar të komunitetit të mirëintegruar shqiptar në
Mbretërinë e Bashkuar dhe nënvizoi se ky komunitet, si urë lidhëse mes dy
vendeve tona, duhet mbrojtur nga çdo element negativ që dëmton imazhin e tij. “Kuvendi
i Shqipërisë do të mbështesë çdo iniciativë që thellon bashkëpunimin mes dy
qeverive respective”, ka pohuar Meta.