Kryeparlamentari Meta takohet me zyrtarë të Bundestagut, fokusi te zbatimi i reformës në drejtësi

439
Sigal

Gazeta Telegraf/

Gjatë qëndrimit
të tij në Berlin, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë,  Ilir Meta u prit nga Kryetari i Komisionit të
Punëve të Jashtëm të SPD-së në Gjermani, Niels Annen, me të cilin u vlerësuan
marrëdhëniet historike, ekonomike e kulturore me Shqipërinë. Meta shprehu
mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bundestagut dhe në veçanti për
qëndrimin konstant të Partisë Social Demokrate (SPD) ndaj zgjerimit të
Bashkimit Evropian dhe integrimit të plotë të Shqipërisë, duke e cilësuar
zgjerimin e BE drejt Ballkanit si kyç për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë
në rajon. Në këtë drejtim, Meta vuri në dukje se “Procesi i Berlinit, ku
Gjermania luan një rol parësor, është tepër i rëndësishëm për vendet tona, duke
i shërbyer ndërlidhjes rajonale dhe zhvillimit socio-ekonomik”. Nga ana e tij
Annen u shpreh se pavarësisht disa zhvillimeve shqetësuese në disa vende
evropiane, zgjerimi i Bashkimit Evropian është një opsion i hapur dhe i drejtë,
ndaj avancimi përmes rrugëtimit realist të Ballkanit dhe veçanërisht i
Shqipërisë drejt BE-së ka një rëndësi strategjike për gjithë Evropën. “Ne këtu
në Bundestag i kushtojmë vëmendje rajonit tuaj dhe jemi të përkushtuar ndaj perspektivës
evropiane të Shqipërisë”, u shpreh Annen. Ndërsa Schmidt shprehu edhe një herë
mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë
ndërsa dy bashkëbiseduesit ndanë bindjen se perspektiva evropiane e Ballkanit
duhet të avancojë dhe se Gjermania ka një rol kyç në këtë proces. Meta theksoi
se roli Bundestagut është shumë i rëndësishëm për integrimin evropian të
Shqipërisë. “Dua të shpreh mirënjohje tonë për mbështetjen gjermane ndaj
Shqipërisë. Jemi të vendosur të punojmë për më tepër të drejta sociale dhe të
rrisim nivelin e jetesës së shqiptarëve. Vlerësojmë ekspertizën gjermane për
një arsim profesional për të rinjtë”, – tha ndër të tjera Kryetari i Kuvendit,
z. Ilir Meta gjatë takimit.