Kryeparlamentari Meta takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi

446
Sigal

Gazeta Telegraf/

Gjatë vizitës zyrtare në Greqi,
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u takua në ambientet e Ambasadës shqiptare në
Athinë me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Athinë. Në këtë takim, z. Meta
shoqërohej nga deputetët znj. Arta Dade, z. Anastas Angjeli, z. Eduard Shalsi,
z. Fatmir Toçi, z. Vangjel Tavo si dhe deputeti i PBDNJ-së, z. Vangjel Dule,
etj.

Gjatë bashkëbisedimit, z. Ilir Meta
i siguroi përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Athinë se Kuvendi i
Shqipërisë ka vëmendje maksimale për adresimin e nevojave të tyre veçanërisht
në drejtim të lehtësimit të procedurave administrative konsullore.

“Gjatë kësaj vizite do përpiqemi të
ngremë disa nga çështjet ende të pazgjidhura të cilat krijojnë më shumë lehtësi
për emigrantët tanë këtu, sidomos problemet konsullore, të njohjes së dokumenteve
tona konsullore, problemeve të vulës apostile, problemeve të njohjes së
patentave, por edhe problemi i njohjes së pensioneve, që është një çështje
akoma më komplekse. Janë të gjitha çështje, të cilat janë ngritur dhe do të
ngrihen në vazhdimësi nga ana jonë, sepse kanë të bëjnë me mjaft probleme
konkrete të emigracionit dhe emigrantëve këtu”, – tha Kryetari i Kuvendit.

Z. Meta falënderoi emigrantët për
kontributin e pamohueshëm që kanë dhënë në Shqipëri, ndërsa i ka cilësuar si
një faktor të rëndësishëm për fuqizimin e marrëdhënieve mes Greqisë dhe vendit
tonë.

“Emigrantët tanë në Greqi janë një
faktor mjaft i rëndësishëm njerëzor në radhë të parë, por edhe ekonomik e
shoqëror, që kanë ndikuar për përafrimin e marrëdhënieve midis Greqisë e
Shqipërisë dhe janë një element mjaft i rëndësishëm për fuqizimin e mëtejshëm
të këtyre marrëdhënieve, sepse niveli i integrimit është mjaft kompleks dhe
është mjaft domethënës. Ne të gjithë e dimë se falë këtij emigracioni në fillim
të viteve ‘90-të, Shqipëria pati mundësinë që të përballojë vështirësi të
jashtëzakonshme dhe njëkohësisht e dimë shumë mirë se në këto vite të krizës që
kaloi Greqia, impakti edhe në Shqipëri ka qenë mjaft i ndjeshëm”, – tha z.
Meta, i cili shprehu gjithashtu kënaqësinë për një qasje më pozitive ndaj
emigrantëve nga qeveria aktuale.

Kryetari i Kuvendit theksoi se
Greqia është një partnere shumë të rëndësishme për arsye të historisë dhe
lidhjeve njerëzore si edhe pranisë së madhe të emigrantëve shqiptarë në vendin
fqinj.

“Ne Greqinë e shohim si një
partnere shumë të rëndësishme, për arsye të historisë, të gjithë këtyre
lidhjeve njerëzore, për arsye të pranisë tuaj mjaft të gjerë këtu, për arsye të
rolit dhe të prezencës së minoritetit grek në vendin tonë. Në këtë drejtim
interesat janë shumë të mëdha, përveçse jemi dy vende anëtar të NATO-s,
përveçse jemi një vend që synon të anëtarësohet në BE dhe shpresojmë që Greqia
dhe në të ardhmen të vazhdojë të na mbështesë në këtë drejtim”, – vijoi z. Ilir
Meta, teksa u ndal edhe te çështjet e së kaluarës mes dy vendeve, që sipas tij
duhet të zgjidhen me frymë konstruktive.

“Natyrisht ka edhe çështje që i
takojnë të kaluarës, që janë të mbartura dhe është e nevojshme të zgjidhen, por
është e rëndësishme që këto çështje të ngrihen në një frymë konstruktive, që të
mos mungojë zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve dhe interesave midis dy
vendeve tona, dhe besoj që në këtë drejtim, po ecet dhe do të ecet akoma edhe
më mirë”, – shtoi Kryetari i Kuvendit.

Duke u ndalur te zhvillimet në
Shqipëri, z. Ilir Meta foli për reformën në drejtësi, që kanë qenë çështja
kryesore dhe që ka të bëjë me forcimin e shtetit ligjor dhe me përmirësimin e
funksionimit të institucioneve.

“Çështja kryesore ka qenë reforma
në drejtësi, që ka të bëjë përveçse me forcimin e shtetit ligjor, me luftën
kundër krimit, kundër korrupsionit edhe me përmirësimin e funksionimit të
institucioneve, të një klime më të mirë të biznesit, rritjes së investimeve
vendase dhe të huaja, por njëkohësisht ka të bëjë edhe me integrimin evropian
të Shqipërisë”, – theksoi z. Meta, duke shprehur besimin për një përgjigje
pozitive nga Komisioni Evropian në lidhje me hapjen e negociatave për
anëtarësim brenda një kohe të shpejtë.

“Ne arritëm me konsensus të
miratojmë paketën e ndryshimeve Kushtetuese për reformën në drejtësi. Tani po
miratojmë ligjet kryesore për zbatimin e saj. Ne shpresojmë që në nëntor të
marrim një rekomandim pozitiv, nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave
për anëtarësim dhe më pas shpresojmë dhe nga Këshilli i vendeve anëtare në
dhjetor. Integrimi evropian është një instrument, është një nxitje për
transformimin e shoqërisë tonë, nuk është një qëllim në vetvete”, – deklaroi
ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Më tej, gjatë takimit përfaqësuesit
e komunitetit shqiptar në Athinë diskutuan me delegacionin parlamentar për
problemet që ata hasin në jetën e përditshme në vendin fqinj si edhe me përmirësimin
e shërbimeve konsullore.