Kryeparlamentari Meta pret Ambasadorin e ri të OSBE në Tiranë, z. Bernd Borchardt

441
Sigal

Gazeta Telegraf/

Kryetari i
Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Kreun e ri të Prezencës së OSBE në Tiranë,
Ambasadorin Bernd Borchardt të cilit i uroi mirëseardhjen në Tiranë dhe i uroi
suksese në detyrën e re.

Kryetari i
Kuvendit z. Ilir Meta vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me OSBE dhe vuri në
dukje se Kuvendi është i gatshëm ta intensifikojë atë më tej. Në këtë kuadër u
vlerësua kontributi i OSBE në drejtim të përmirësimit të aktivitetit
parlamentar të Shqipërisë, duke mbështetur rritjen e standardeve të
transparencës, monitorimit dhe përcjelljes së aktivitetit parlamentar më pranë
qytetarëve shqiptarë.

Ambasadori Bernd
Borchardt shprehu kënaqësinë e rikthimit në Shqipëri në krye të Prezencës së
OSBE dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin me Kuvendin
si dhe vullnetin për të mbështetur avancimin e reformës elektorale sipas
rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Kryetari i
Kuvendit, z. Meta nënvizoi në përfundim rëndësinë e çdo ndryshimi që prej
reformës elektorale që garanton transparencë maksimale të procesit zgjedhor,
pasi standardet e zgjedhjeve të ardhshme do të përcaktojnë jo vetëm
legjitimitetin dhe integritetin e institucioneve të reja, por edhe dinamikën e
integrimit evropian për të ardhmen.