Kryeparlamentari Meta: Mos e përdorni çështjen çame për fushatë

465
Sigal

Kreu i Kuvendi Ilir Meta i ka kthyer përgjigje të gjithë
kritikëve të tij pas vizitës në Greqi dhe akuzave se nuk ngriti siç duhet
çështjen çame.

Në një fjalim relativisht të gjatë por të qetë,
Meta vuri theksin tek marrëdhëniet konstruktive që duhet të ekzistojnë mes
Shqipërisë dhe Greqisë dhe mirëkuptimin mes dy vendeve në mënyrë që më pas të
gjendet zgjidhje për çështje të ndryshme, mes tyre dhe çështja çame. Ai pati
edhe një këshillë, kur i kërkoi ‘akuzuesve’ të tij të mos e përdorin çështjen
çame për fushatë.

“Natyrisht që do kemi edhe probleme me fqinjët, sepse kemi
edhe me Kosovën për tregtinë, ku hyjnë interesa të ndryshme dhe përpiqemi t’i
zgjidhim ato. E prita me kënaqësi këtë vizitë në Greqi, pavarësisht se nuk e
kisha kërkuar për arsye se Greqia ka qenë në një situatë jo shumë të
qëndrueshme, duke qenë i bindur se një vizitë zyrtare duhej bërë në kohën kur
edhe fqinjët tanë do kishin mundësi për të diskutuar. Jam shumë i kënaqur për
këtë vizitë që ka ndodhur në një moment jo shumë pozitiv, në kuptimin e
atmosferës, të deklaratave e kundër deklaratave dhe besoj se ky delegacion dhe
unë kemi bërë më së miri detyrën ndaj qëllimeve që ka politika e jashtme e
Shqipërisë”, tha Meta.

Ai deklaroi se në historinë e marrëdhënieve mes 2 popujve
ka edhe disa plagë por që duhen kuruar me kujdes duke nisur nga ato më të
lehtat.

“Kam dëgjuar këtu që nuk është ngritur çështja çame. Dua të
shpreh keqardhjen time sepse theksohet këtu se unë jam shprehur që çështja çame
i përket të shkuarës. Unë jam shprehur në mënyrë shumë të qartë që në historinë
e marrëdhënieve mes 2 popujve ka edhe disa plagë, të cilat dhembin edhe kur i
përkëdhel jo më kur i shpon, ashtu siç ndodh në trupin e secilit prej nesh. Kam
thënë në mënyrë të qartë që këto plagë duhet t’i shërojmë me qetësi me shumë
kujdes, në mënyrë që të na dhembin sa më pak dhe të mos krijojmë plagë të
tjera. Çështja çame është plaga më e thellë në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe
si e tillë kërkon një klimë tjetër më konstruktive dhe zgjidhjen e disa
çështjeve dhe kurimin e disa plagëve më të lehta se ajo. Ligji i luftës është
ende në fuqi, që është fare paradoksale sepse ne jemi të dyja vende anëtare të
NATO-s dhe Greqia e ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Këto
çështje janë ngritur në mënyrë zyrtare në çdo bisedë dhe ka vullnet për të
dëgjuar, pavarësisht nga reagimi. Unë nuk kam qenë për të bërë negociata. Ka
qenë një vizitë zyrtare, në radhë të parë për të krijuar një klimë sa më
konstruktive”, deklaroi Kreu i Kuvendit.

Ai tha se duhet të heqim dorë nga përpjekjet për të kthyer
çështje të tilla në shërbim të fushatës elektorale.

“Kanë fushata elektorale në Greqi dhe në Shqipëri dhe
shpesh herë klima që krijohet vë në pozitë të vështirë qeveritë. Na duhet një
klimë më konstruktive këtu me njeri-tjetrin përfshirë dhe marrëdhëniet me
Greqinë dhe të heqim dorë nga përpjekjet për të kthyer çështje të tilla në
shërbim të fushatës elektorale. Duhet të ecim në një mënyrë të mençur sepse në
rast se këtë çështje që është më e vështira për të cilën nuk kam parë ndonjë
forcë politike në Greqi që të jetë e gatshme për të biseduar përveç të Agimit
të Artë me të cilët nuk jam takuar dhe nuk e kam ndërmend të takohem”, tha
Meta.

Kreu i Kuvendit tha se çështja çame nuk mund të zgjidhet në
mënyrë të njëanshme por kërkon dialog, mirëkuptim dhe mirëbesim që duhet të
ndërtohet çdo ditë.

“Mos të harrojmë mesazhin e zonjës Boldrini, Evropa ka
nevojë për Shqipërinë si një partnere e rëndësishme në stabilitetin e rajonit.

Na duhet mbështetja e BE-së dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe ata do na e
japin kur të shohim se i ngremë problemet në mënyrë konstruktive. Edhe në
raport me Greqinë dhe me vende të tjera e rëndësishme që të sillemi në mënyrë
evropiane, ta paraqesim drejt këtë çështje, jo si një sfidë ndaj Greqisë, jo si
retorikë.

Edhe Enver Hoxha, diktatori i Shqipërisë që izoloi vendin dhe që luftoi me
grekët në ‘49 në fund fare la një libër “Dy popuj miq”. Prandaj mendoj se të
gjithë në këtë sallë duhet të ngrihemi në një nivel më të lartë dhe të tregojmë
që të drejtat që do të fitojmë nuk do t’i shpërdorojmë, nuk duhet të sillemi në
mënyrë revanshiste”, tha Meta.

Ai theksoi se nuk shqetësohet nga deklaratat e politikanëve
shqiptarë duke sjellë disa raste nga e kaluara për të cilat është kritikuar por
sërish është krenar për ato që ka bërë.

“Kush të ketë dëshirë të merret me mua nuk shqetësohem
fare. Takova Gjukanovic në ‘97 dhe më thanë se takova njeriun e Millosheviçit.
Jam krenar për atë që kam bërë. Ndihmova UÇK-në dhe nuk kam kërkuar medalje.
Jam sulmuar pse kam hequr në mënyrë të njëanshme vizat me Serbinë. Jam akuzuar
pse kam shkuar në Preshevë i shoqëruar nga një ministër serb. Në qoftë se në
politikën e brendshme secilit prej nesh mund t’i lejohet një gabim në politikën
e jashtme, gabimet, dëshira për të bërë një lajm apo për të tërhequr vëmendjen
nga një çështje tjetër mund të sjellin pasoja afatgjata që përsëri i vuajnë
qytetarët, i vuajnë njerëzit”, tha Meta.