Kryeparlamentari Ilir Meta: Projekti TAP, impakt tepër të madh në ekonominë shqiptare

435
Sigal

 

Gazeta telegraf/ Një ditë e
ngjeshur pune ka qenë e shtuna për Kryeparlamentarin Ilir Meta në qytetin e
Çorovodës. Që herët në mëngjes Z. Meta ka qenë i pranishëm në inaugurimin e një
ure të rindërtuar thuajse nga themelet në qytet, e shoqëruar kjo e fundit
edhe  me një segment rruge të asfaltuar.
Në vijim të kësaj vizite Ilir Meta ka parë nga afër përfundimin e një lulishteje,
hapësirë e gjelbëruar, e shoqëruar me vende pushimi për moshën e tretë dhe
këndin e lojërave për fëmijë. Më pas Kryeparamentari ka parë nga afër edhe
përfundimin e një tjetër projekti për turizmin në Kanionet e famshme të Osumit,
në Skrapar. Po nga Skrapari, Z. Meta deklaroi se projekti TAP mund të
realizohej edhe pa kaluar përmes Shqipërisë, duke shtuar se është bërë një përpjekje
e madhe, që vendi ynë të përfshihej në këtë projekt. Z. Meta, mes të tjerave,
në fjalën e tij tha se, “Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912-n e
deri më sot, përfshirja e vendit tonë në projektin TAP është një nga arritjet
më të mëdha historike, sepse i jep fund përjashtimit të Shqipërisë nga hartat
energjetike të Evropës. Përfshirja në projektin TAP e vendos Shqipërinë si një
qendër shumë e rëndësishme e këtyre lidhjeve, të cilat kanë impakte
kontinentale”. Ndërsa vijon – “E theksoj këtë, sepse projekti TAP mund të
realizohej edhe pa kaluar përmes Shqipërisë. Por është bërë një përpjekje e
madhe që Shqipëria të përfshihej në këtë projekt. Tani që sapo ka filluar dhe
kur ende duhet një punë e madhe për ta përfunduar këtë projekt, po e kuptoni se
zbatimi i projektit  po ndihmon për të
ndryshuar për mirë edhe jetën e komunitetit tuaj këtu dhe kudo ku TAP-i po
kalon nëpër Shqipëri.”.

Investime të rëndësishme në Skrapar

Kryetari Meta
theksoi, se falë këtij projekti po realizohen shumë investime për të cilat çdo
qeveri do ta kishte të vështirë që t’i bënte në Skrapar, pasi nuk është e lehtë
të bësh investime publike, sidomos në zona të thella dhe të vështira, ku kosto
e këtyre investime është mjaft e lartë dhe ku numri i banorëve është relativisht
i ulët. “Unë pata kënaqësinë sot, -vijoi në fjalën  e tij Meta, – “që bashkë me përfaqësuesit e
nderuar të TAP-it, me kryetarin e bashkisë dhe me shumë miq të tjerë që na kanë
nderuar, të inaugurojmë urën e rindërtuar si dhe segmentin rrugor pranë Spitalit,
si dhe po shohim ndërkaq shumë projekte të tjera, të cilat po ndihmojnë në
transformimin Çorovodës dhe të gjithë Skraparit. TAP do të ndihmojë me këto
projekte edhe në të gjithë bashkitë dhe rrethet e tjera ku po kalon dhe do të
kalojë nëpër Shqipëri. Këto dhe investimet të tjera që pamë, por dhe që janë
duke u përfunduar në Kanionet  e famshme
të Skraparit e të tjera projekte, që presin financime në infrastrukturë e më
gjerë, do ta kthejnë Skraparin në një vend Turistik, agro përpunues, blegtor dhe
bujqësor. Projekte të tjera madhore, si ato të turizmit do të rrisin në mënyrë
të ndjeshme numrin e turistëve të vendit dhe të huaj, duke ndikuar në rritjen e
punësimit e të mirëqenies.”.  Po gjatë
kësaj dite Z. Meta ka marrë pjesë në panairin që organizohet çdo vit në qendër
të qytetit të Çorovodës ku ka parë nga afër prodhimet bio si dhe ka takuar dhe
biseduar me fermerët e kësaj bashkie, të ardhur nga zonat e Gjerbësit, Potomit,
Çepanit, Vëndershës Vlushës etj. Z. Meta ka thënë: “Prodhimet e Skraparit konkurrojnë
në treg vetëm me cilësinë, se janë prodhime bio, por ne duhet t’i përkushtojmë
më shumë vëmendje prodhimeve edhe marketingut të tyre.”
 

 

I shoqëruar nga
Kryetari i Bashkisë Skrapar Nesim Spahiu, deputetët Fidel Ylli, Gledjon
Rehiovica, Silva Caka nga Prefekti Qarkut, Fadil Nasufi dhe pushtetarë të tjerë
vendorë, përfaqësues të TAP, bizesmenë, banorë të qytetit dhe të rrethinave të
tij, gazetarë etj. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka marrë pjesë në panairin e
organizuar si çdo vit në qendër të qytetit të Çorovodës. Po gjatë ditës së
sotme Z. Meta ka inspektuar punimet për rikualifikimin urban të Bashkisë si dhe
në përurimin e një ure të rikonstruktuar dhe disa rrugëve të ndërtuara nga
projekti TAP, projektet për turizmin dhe krijimin e hapësirave të gjelbërta
etj.

 

Nesim Spahiu në
fjalën e vet tha se “Panairi i produkteve bio, si pjesë e kalendarit festiv lokal,
është një event shumë i rëndësishëm, për prodhuesit tanë, për të promovuar
produktet e tyre.  Prodhimet bujqësore
dhe blegtorale të Skraparit, prej kohësh kanë krijuar identitetin  e tyre në tregun lokal, kombëtar dhe më
gjerë, si produkte origjinale bio, gjë e cila ka mundësuar kërkesat ndaj këtyre
produkteve. Skrapari nga një zonë e largët periferike, me mungesa investimesh,
me infrastrukturë tejet të amortizuar, me një nivel papunësie të lartë, brenda
një harku kohor të shkurtër është shndërruar në një kantier ndërtimi, ku po
implementohen projekte me rëndësi strategjike si projekti TAP, projekte në
fushën e turizmit si ai Devops, projekte në infrastrukturë, rikonstruksioni i
sheshit të qytetit, hyrja e re e qytetit etj. Të gjitha këto projekte kanë
patur impaktin e vet pozitiv në zhvillimin e zonës, uljen  e ndjeshme të nivelit të papunësisë, urat,
rrugët e aksesit të ndërtuara nga TAP me standardet më të mira, të cilat ne inspektuam
sot, kanë ndikuar drejtpërsëdrejti, në jetën e komuniteteve në Njësitë
Administrative: Potom, Vëndreshë dhe Qendër, duke iu rikthyer shpresën dhe
besimin se e ardhmja e tyre është këtu në vendin  e tyre. Duke përfituar nga rasti, dëshiroj që
të falënderoj, projektin TAP, drejtuesit, nënkontraktorët për kontributin e
tyre madhor, për zhvillimin e zonës! Potencialet e jashtëzakonshme turistike që
zona jonë ofron, Kanionet e Osumit, Mali i Tomorit, Shpella e Pirogishit etj,
kanë qenë dhe mbeten gjithmonë atraktive për turistët dhe turizmin. Për herë të
parë, në bashkëpunim në Cesvin, Bashkinë e Atezës dhe Ministrinë e Turizmit, në
implementuam me sukses projektin e Turizmit Devops, Zhvillimi i Mundësive,
krijimit të vendeve të punës dhe rritjes ekonomike për Skraparin, krijuam
infrastrukturën e mirëfilltë turistike për zhvillimin e tij, si broshurën
informative, logon, websitin vizitskrapar,
kampingun në Hambull, Pikat hyrëse dhe dalëse të raftingut, agjencinë turistike,
kurset trajnuese. Kemi të konkretizuara dy projekte, një me  Fondacionin Amerikan për Zhvillimin dhe tjetrin
me TAP, për ndërtimin e dy pikave panoramike mbi Kanione, të cilat do të
fillojnë shumë shpejt nga ndërtimi i tyre. 
Impakti i këtij investimi vetëm për këtë vit ishte i dukshëm duke e
rritur numrin e turisteve nga 6000 në 8000 mijë, sipas statistikave të operatorëve.
Turizmi mbetet si një nga sektorët prioritarë për zhvillimin e zonës dhe ne
kemi aplikuar përsëri në një projekt të ri “Udhëto sipas mënyrës tende”, bashkë
me Bashkinë Berat, Gjirokastër e Përmet. Nëpërmjet tij ne synojmë që të
trefishojmë prezencën turistike nëpërmjet shitjes së ofertave turistike, të
cilat do të jenë  një miksim i turizmit
historik, kulturor, natyror dhe prodhimesh bio. Ne jemi duke bashkëpunuar dhe
me koperacionin Gjerman Giz, për mundësinë e dhënies së granteve për fermerët
për përpunimin e produkteve të tyre, me teknologjinë më të mirë të kohës, si
dhe mundësinë e krijimit të infrastrukurës akomoduese të tipit Gest Hauz, duke
u dhënë mundësinë atyre që të vetëpunësohen dhe të krijojnë të ardhura të mira
për veten dhe familjen. Pritet fillimi i rrugës me Përmetin, me Beratin dhe
Gramshin. Këto projekte janë prezantuar në komunitet dhe janë në pritje të
lëvrimit të fondeve nga Qeveria. Jemi duke lobuar fuqishëm dhe për pjesën e
segmentit që na lidh me Korçën, një segment prej 15 km, rrugë kjo e shumëpritur
nga të gjithë që të realizohet. Skrapari është një zonë vitale, me njerëz
mikpritës dhe punëtorë me energji të mëdha të pashfrytëzuara, në shumë fusha,
pikërisht për këto arsye, do të dëshiroja që të ftoja të gjithë investitorët
vendas dhe të huaj që të vijnë të investojnë kapitalet e tyre këtu, do të
dëshiroja të ftoja fermerët që të rrisin investimet në mikrofermat e tyre, të
ruajnë traditën, ta zhvillojnë atë në kushtet e realitetit të sotëm gjithëpërfshirës.
Bashkia do të jetë gjithmonë pranë jush duke promovuar, ndërmjetësuar dhe
mundësuar tregje për produktet tuaja. Por që Skrapari dhe Çorovoda si qendra e
tij, të marrë një profil të mirëfilltë turistik, siç edhe ne kërkojmë, duhet që
të këtë një rrjet modern të ujërave të bardha dhe të zeza, si dhe furnizim 24
orë me ujë të pijshëm, i cili nuk mungon, madje tepron, por që kërkon një
mbështetje konkrete nga qeveria. Duke përfituar nga rasti dëshiroj që t’i bëj
një apel asaj, për të mundësuar financimin e këtyre projekteve.

 Sulo Gozhina