Kryeparlamentari Ilir Meta: Drejtësia e pavarur, sfidë e përbashkët e të gjithë shqiptarëve

398
Sigal

Kryeparlamentari shqiptar përshëndet në mbyllje të Samitit të Diasporës 

 

Në mbyllje të Samitit të Diasporës, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në fjalën e tij tha se është çasti për të shprehur një detyrim ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë. Kryeparlamentari Meta tha se të gjitha arritjet e Shqipërisë dhe Kosovës janë realizuar fal edhe kontributit të diasporës. Ilir Meta u shpreh se një nga sfidat e përbashkëta është ndërtimi i një shteti demokratik dhe me drejtësi të pavarur. Meta tha se “këto dhe të tjera lajme në bëjnë të përgjegjshëm për angazhime dhe detyrime më të mëdha dhe më të reja ndaj qytetarëve tanë. Ndërtimi  i një shteti edhe më demokratik, edhe më funksional të një drejtësie të pavarur dhe të barabartë për të gjithë dhe një ekonomie edhe më dinamike, më të integruar dhe më tërheqëse ndaj investimeve, një shoqërie të shëndoshë dhe me arsim konkurrues, të një të ardhme të sigurt dhe të një politike të jashtme pragmatike dhe në shërbim të interesave kombëtare janë sfidat tona të përbashkëta”.

Meta shtoi se Diaspora dhe shteti shqiptar janë të lidhur ashtu si degët janë të lidhura me pemën. “Ndaj ne duhet të pohojmë me zë të lartë sot që jemi krenarë për ju dhe përfaqësimin tuaj të denjë në botë. Pikërisht për këtë besoj se është çasti për të shprehur një detyrim të madh ndaj jush. Asnjëherë nuk është vonë për të kuvenduar, ashtu si ju keni bërë këto ditë. Asnjëherë ne në Shqipëri nuk duhet të harrojmë se ju keni në çdo çast nevojë të ndjeni pranë jush shtetin dhe vendim amë. Ashtu si trungu i një peme ka nevojë për degët e tij, sado larg apo e vogël është ajo ashtu edhe çdo degë e tij ndjen nevojën e mbështetjes në një trung të fortë dhe të shëndetshëm. Kjo është edhe një marrëdhënie jetësore mes diasporës dhe shtetit tonë”, tha kryeparlamentari Meta.