Kryeparlamentari dërgon në KQZ mandatet e dorëzuara të Opozitës

464
Sigal

Një ditë pasi deputetët dhe kandidatët për deputetë në listat e partive parlamentare të Opozitës, dorëzuan në kryesinë e Kuvendit, kryeparlamentari i ka përcjellë dje KQZ-së mandatet e dorëzuara, për të kërkuar plotësimin e vendeve vakante. Në fakt, sipas Kodit Zgjedhor, në raste të tilla, kryetari i Kuvendit ka 30 ditë, që të dërgojë në KQZ mandatet e dorëzuara. Në këtë ndërkohë, mund t’i jepet sërish mundësia deputetëve, që të reflektojnë. Mirëpo, opozita deklaroi e vendosur, se nuk do të rimarrë më mandatet, kështu që kryetari i Kuvendit i përcolli ato në KQZ. Kodi Zgjedhor nuk e parashikon që mandatet e dorëzuara t’i marrë ndonjë parti tjetër, parlamentare ose jo, nëse nuk ka qenë në koalicion elektoral me partinë, deputetët e së cilës kanë dorëzuar mandatet. Kështu, që parlamenti shqiptar, i mbetur vetëm me deputetët socialistë, ( me disa deputetë të opozitës, që nuk i dorëzuan mandatet) do ta ketë të vështirë të mbijetojë politikisht. Do të shpërndahet parlamenti, për të bërë zgjedhje të parakohshme? Koha do a japë këtë përgjigje.