Kryeministrit Rama: Buxheti 2019 për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale i kalon 750 milionë dollarët. Do ketë rritje page me 7 %

462
Sigal

Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektbuxhetit për shëndetësisë për vitin 2019

Buxheti 2019 për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale i kalon 750 milionë dollarët; Rimbursimi i barnave 104 milionë dollarë

Dje kryeministri Rama zbardhi buxhetin e 2019-s për shëndetësinë, duke theksuar shifrat në rritje të investimeve, të numrit të punonjësve të punësuar, rritjen e pagës së mjekëve që do të jetë 7 %, në 4 vjet, duke plotësuar kështu objektivin e madh të qeverisë.

Buxheti 43% më i lartë se i 5 viteve më parë

Sot, kur hyn në spital dhe këtu nuk kam parasysh vetëm QSUT-në, por kam parasysh një tërësi spitalesh, hyn në spital, ndërkohë që deri dje, në shumë pjesë të vetë të QSUT-së mund të dyshoje nëse ishe në spital, apo ishe në një stacion treni. Për sa i përket vitit të ardhshëm, ndryshimi do të bëhet i mundur të vazhdojë, duke pasur parasysh që buxheti është më i lartë se ai i këtij viti dhe është 43% më i lartë se i 5 viteve më parë. Ashtu sikundër, nëse i shohim të dyja bashkë, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, kemi një buxhet që i kalon 750 milionë dollarët.

Për vitin 2019 do rimbursojmë 104 milionë dollarë barna

Për rimbursimin e barnave, ne sot kemi kaluar 100 milionë dollarët e barnave të rimbursueshme. Për vitin 2019 do rimbursojmë 104 milionë dollarë barna. 5 vite më parë ishte thuajse 30 milionë dollarë më pak. Pesë vite më parë, përveç të tjerave, kishte dhe taksë mbi çdo ilaç, 10% TVSH. Ne e hoqëm. Ashtu sikundër 5 vjet më parë, 600 mijë njerëz, për shkak të pamundësisë së tyre për t’u siguruar, ishin të përjashtuar nga çdo akses në listën e barnave të rimbursueshme. Sot nuk ka asnjë shqiptar të përjashtuar nga aksesi në listën e barnave të rimbursueshme. Edhe për ata që nuk janë të siguruar, për shkak të pamundësisë së tyre, është e mundur që të rimbursohen njësoj si të gjithë të tjerët. Janë një sërë paketash mjekësore, për shërbimet e kardiologjisë, kardiokirurgjisë, transplantit, hemodializës, radioterapisë e me radhë, që deri disa kohë më parë paguheshin të gjitha nga xhepi. Sot paguhen të gjitha nga shteti. Qoftë në spitalet publike, qoftë në spitalet jopublike financohen nga buxheti i shtetit.

Rritje page 7 % në tremujorin e dytë

Qendrat shëndetësore, maternitetet dhe çeku i bebes janë 3 komponentë të një politike që ka shumë më tepër, sot se dje, në fokus nënën dhe fëmijën, familjen. Sot kanë një pagë më të lartë dhe paguajnë një taksë më të ulët. Megjithatë, përsëri, ne do të rrisin pagën për infermierët, do të rrisin pagën për mjekët. Janë fiks 18416 punonjës në sistemim e shëndetësisë që do të kenë një rritje page, duke filluar nga 3-mujori i dytë i vitit të ardhshëm prej 7%.

Punësimet në shëndetësi

Ky është numri në total. Ndërkohë që janë 153 mjekë që janë punësuar nga janari në shtator në sistemin tonë. Janë 12 mjekë specialistë, të kthyer nga jashtë shtetit, që shërbejnë në sistemin tonë. Janë 57 mjekë të huaj që kanë ardhur dhe punojnë në vendin tonë. Në totalin e vet, që të kemi idenë e qartë të shifrave, ne kemi 4650 mjekë dhe 13.765 infermierë. Është e vërtetë që ka një numër infermieresh, vajzash të reja që synojnë dhe shkojnë jashtë, por janë 4000 infermiere dhe infermierë që presin sot për t’u punësuar në sistemin tonë shëndetësor, në janar dalin 300 mjekët e parë specialistë, që do të thotë që ne, jo vetëm nuk do të kemi boshllëk për mjekë specialistë, por ne do kemi mjekë specialistë që nuk do munden dot të hyjnë në sistem.