‘Kryeministrit Cipras i uroj suksese gjatë vizitës, por askush s’mund të më imponohet në detyrimet e mia’

638
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka deklaruar sot se nuk ndihet nën presion nga vizita e kryeministrit grek Aleksis Cipras në Shqipëri në pranverë dhe ku sipas mediave, pritet që së bashku me kryeministrin Edi Rama të nënshkruajë marrëveshjen për kufirin detar midis dy vendeve, marrëveshjen për të cilën ende nuk mund t’ia japë Plotfuqishmërinë e kërkuar, ministrit Ditmir Bushati, për të negociuar.
Meta, pasi i radhiti medias arsyet pse ai kërkon që Ministria për Evropën të saktësojë të gjitha detajet e kësaj marrëveshjeje me interes kombëtar para se t’i japë Plotfuqishmërinë, tha:
“Më lejoni të shpreh konsideratën më të lartë për kryeministrin Cipras, me të cilin kam pasur mundësinë të takohem në pozitat e mëparshme, për konstruktivitetin gjithmonë në situatat më të nxehta dhe të panevojshme në retorikat populiste ndërmjet dy vendeve dhe nga kjo konsideratë për të, i uroj sukses në vizitat e paralajmëruara nga mediat në Korçë dhe në Shqipëri.
Por, axhenda e cilitdo personalitet të nderuar nuk mund të imponojë, mua të paktën – por askujt – që të mos përmbush detyrimet e mia, realizimin me sukses, në mënyrë të qëndrueshme dhe përfundimtare të një marrëveshjeje historike që duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë midis dy vendeve që duhet të forcojnë më tej mirëbesimin midis tyre.
Qeveria ka të drejtën e saj të bëjë të gjitha marrëveshjet që janë në kompetencën e plotë të saj sipas Kushtetutës, me qeverinë e Greqisë dhe gjithë qeveritë e tjera, absolutisht – sepse kam diskutuar edhe për shumë çështje të ndryshme – por në këtë çështje ua kam bërë të qartë se cili është qëndrimi i Presidentit të Republikës,” theksoi Meta.
Sigal