Kryeministri shqiptar merr pjesë në Forumin Ekonomik, Gjermani­-Shqipëri

1072
Sigal

 

Rama fton investitorët
gjermanë: “Ne jemi një treg i madh investimi”

 

Gjatë fjalës në Forumin
Ekonomik Gjermani­-Shqipëri, Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për
mbështetjen e Gjermanisë, si donatori më i madh në këto 25 vite për Shqipërinë
dhe nënvizoi se ajo mbetet një partner kyç në rrugën e zhvillimit të vendit.
Kryeministri iu drejtua investitorëve gjermanë me ftesën për të eksploruar
mundësitë që Shqipëria ofron në fusha me potencial të lartë zhvillimi si
energjia, turizmi, infrastruktura, bujqësia e industria ushqimore, administrimi
i ujërave. “Potenciali është shumë i madh në fushën e energjisë, nga hidro tek
nafta dhe mineralet. Dua të nënvizoj faktin që sot po shohim një rikthim në
industrinë minerare, ku ne po fillojmë të mbyllim ciklin e prodhimit, së bashku
me atë të nxjerrjes, gjë që deri disa vite më parë nuk ndodhte në Shqipëri. Ne
po shohim investime të mëtejshme në eksplorimet e naftës dhe investime të tjera
në hidrocentrale dhe të gjitha këta janë përbërës të një ekonomie që është
gjithmonë e më shumë e bazuar në burimet e qëndrueshme të rritjes. Sektori
prodhues ka një potencial të madh zhvillimi, me një kosto ende shumë të ulët të
krahut të punës, por me cilësinë më të lartë që dikush mund të kërkojë për
tregun europian”, tha Rama. Kryeministri ftoi investitorët e Hamburgut dhe ata
gjermanë në tërësi për ta konsideruar investimin në Shqipëri si një investim në
një treg rajonal. “Unë besoj se sot ndodhemi në një situatë ndryshe nga ajo le
të themi e 10 viteve më parë dhe kompanitë tona janë ristrukturuar, duke iu
adaptuar disa rregullave që i kanë bërë ato konkurruese, jo vetëm në tregun e
brendshëm, por edhe kur bëhet fjalë për të ofruar gatishmërinë e tyre për
partneritete jashtë vendit. Dhe praktikisht, jo vetëm kompanitë që janë këtu,
por edhe shumë kompani të tjera shqiptare sot janë të lidhura me partnerë
ndërkombëtarë, qoftë gjermanë, italianë, francezë ose kudo qofshin. Të gjithë
duhet të kuptojnë se nëse 5 vjet më parë të investoje në Shqipëri, Serbi, Mal i
Zi, etj. do të thoshte të investoje në një treg shumë të vogël, sot falë
Procesit të Berlinit dhe nismës së Kancelares, që tashmë është një institucion
në marrëdhëniet me rajonin, ju sot nuk investoni më në një vend të vogël, por
investoni në një treg më të madh, sepse do të jetë gjithnjë e më shumë një treg
rajonal. Tregu është sot krejt i ndryshëm, dhe potencialet janë aty për këdo që
do t’i kapi ato.”