Kryeministri Rama zbardh strategjinë: Shumë kryebashkiakë të tanishëm nuk janë më kandidatë

534
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryetari i PS paralajmëron kryebashkiakët: Shumë nga ju nuk do jenë kandidatë në qershor 2019

Kryeministri Rama, “zbulon” se në Shqipëri ka edhe të …varfër

Kryeministri Rama, i cili mban çdo ditë 2-3 fjalime, në këto 5 vite që qeveris, madje as në maratonën disamujore të këtij viti të së ashtuquajturës “Llogaridhënie”, asnjëherë nuk ka folur për papunësinë, për mjerimin, për mosarritjen e rrogave, pensioneve, për shkurtimin e fondeve të buxhetit të shtetit për ndihmën ekonomike e sociale, qeveria socialiste akoma nuk ka përcaktuar kufirin minimal të jetesës.

Kryeministri Rama viziton familjen në mjerim për  show.

Kryeministri i vendit Edi Rama duket se më në fund është kujtuar të zbresë me këmbë në tokë për të parë situatën se si jetojnë shumë familje në Shqipëri. Me një video të shpërndarë në mëngjes Rama shfaqet në vizitën në familjen e Hysen Zhupanit në Shijak, e cila jetonte në varfëri ekstreme. Si duket Kryeministri është kujtuar më në fund edhe për familjet e varfra për të cilat gjatë këtyre viteve të shumta janë rastet, kur i janë ndërprerë ndihmat sociale, apo edhe shkëputur energjia elektrike, apo janë lënë në harresë nga institucionet e kujdesit social.

Replika e kryeministrit Rama me qytetarin Genc Sejko

Kryeministri Rama dje inauguroi edhe rubrikën e re të tij në ERTV, “Përgjigja ime”. Komenti i një qytetari, pikërisht për vizitën e tij në familjen e varfër në Shijak. “Mjerë ata që të falënderojnë dhe nuk dinë se ti je përgjegjës direkt për gjendjen e tyre. Ke 5 vjet në pushtet, çfarë ke bërë për të luftuar skamjen? Asgjë! Për t’i treguar se po bën shtet, shtëpive që po rrënohen nga varfëria ke shkuar e i ke ngulur sahatin e dritave. Më pas, i hoqe ndihmën sociale dhe lekët e kursyera ia shpërndave oligarkëve të tu. Dikujt tjetër do t’i vinte turp, por ty nuk të bën përshtypje. Ti bën show dhe me mjerimin. Je kryeministër i vendit, nuk je “Fundjava Ndryshe”.

 

 Përgjigja e kryeministrit Rama

“Nëse unë do të isha përgjegjës për gjendjen e tyre do të ishte e thjeshtë, por fatkeqësisht kjo është t’i biesh me sëpatë fijes së logjikës më elementare. Nuk ka asnjë fakt, asnjë shifër, asnjë provë që të tregojë se në një fushë Shqipëria është më keq seç ishte 5 vjet më parë, përkundrazi. Natyrisht ka njerëz si Hyseni dhe familja e tij, apo dhe të tjerë që nuk janë më mirë se 5 vjet më parë por njësoj. Aty ku sëpata juaj e këput fillin e logjikës është kur thua se këtë gjendje e solli sahati i dritave. Jo i dashur. Këtë gjendje e kishte krijuar mungesa e sahatit, mungesa e shtetit për të gjithë dhe e rregullave për të gjithë. Ka më pak varfëri aty ku ka shtet dhe më shumë rregull. Ti gënjen pa dashje kur thua se unë u hoqa ndihmën sociale familjeve si Hysenit se në fakt krejt e kundërta është e vërtetë. Mësoje që falë reformës sime janë sot më shumë se 10 mijë familje të varfra e morën ndihmën për herë të parë dhe më shumë se dyfishi i tyre që e merrnin padrejtësisht nuk e marrin më. Thua se lekët e kursyera ua shpërndava oligarkëve. Hej Genc, pak logjikë mik, është krejt qesharake dhe nuk mbështetet në asnjë lloj filli arsyetimi dhe jo më në ndonjë fakt.

Kryeministri Rama: Shumë bashkiakë nuk do jenë më kandidatë në qershorin e 2019-s

Kryeministri Rama, po dje mblodhi kryebashkiakët e bashkive, ku munguan të gjithë kryebashkiakët e Opozitës. Kryeministri Rama pardje thuri lavde për sezonin turistik, ndërsa dje,  i bëri thirrje kryebashkiakëve, që të reflektojnë për sezonin turistik, të nxjerrin konkluzionet dhe të bëjnë propozime për sezonin e ardhshëm edhe pse siç paralajmëroi disa prej tyre mund të mos jenë më në detyrë. Kryeministri Rama: Ju ftoj të gjithëve që të bëni reflektimet tuaja për sezonin. Të nxirrni konkluzionet tuaja, që janë më të thella, sesa ato tonat, sepse ju jeni në terren përditë dhe të bëni  propozimet dhe kërkesat tuaja për sezonin e ardhshëm. Pavarësisht se në qershorin e ardhshëm janë zgjedhjet, shumë nga ju mund të jenë në fushatë, të tjerë mund të mos jenë. Kjo s’ka rëndësi, përgatitja për sezonin duhet të fillojë sa më parë.