Kryeministri Rama vendos sot në kryesinë e PS-së për fatin e ministrave që do qëndrojnë apo largohen

486
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dilema e kryeministrit për ndryshime rrënjësore në qeveri

Partia Socialiste në ethe, mbledh Kryesinë dhe Asamblenë Kombëtare, për të analizuar pakënaqësitë elektorale

Protestat e fuqishme të kohëve të fundit kanë tronditur besimin e elektoratit tek qeverisja socialiste, edhe pse kanë hyrë vetëm në vitin e dytë të mandatit të dytë. Fillimisht qytetarët e Kukësit i dhanë mësimin e parë qeverisë, se nuk mund të kalojnë më vendimet apriori, kur ato prekin interesat e qytetarëve dhe u shërbejnë oligarkëve. Protesta e vazhdueshme e komunitetit të artistëve kundër planeve të qeverisë për prishjen e Teatrit Kombëtar, grisi imazhin e arrogancës qeverisëse, mirëpo, qeveria akoma u ndërgjegjësua. Protesta e banorëve të Unazës së Re, e banorëve të Shkozës, por edhe e qytetarëve në shumë qytete të vendit, që bllokuan rrugë nacionale, duke protestuar kundër çmimit të shtrenjtë të karburanteve dhe kostos së shtrenjtë të jetesës, e thelloi krismën, por kriza e madhe qeverisëse u duk qartazi tel protesta e studentëve.

Shqetësimet e kryeministrit ndaj drejtuesve të PS-së

Kryeministri ka përballuar i vetëm gjithë furinë e protestave të studentëve, ndërkohë, që gjithë mekanizmi partiak i PS-së, duke filluar, që nga deputetët, ministrat, kryetarët e PS-së në njësitë elektorale, ose u tregua i mefshtë, për të reaguar, ose i paaftë, e ca më keq, i ndryshkur, thua se nuk jeton fare në këtë realitet, duke qënë i shkëputur tërësisht nga shoqëria, nga shqetësimet dhe hallet e elektoratit.

Analiza partiake

Kryeministri Rama, duke ndjerë, se kostoja politike e protestave, shprehja më e hapur e pakënaqësisë ndaj qeverisjes, do të bjerë tërësisht mbi atë, kohët e fundit është treguar i ashpër ndaj drejtuesve të partisë, për humbjen e drejtimit të partisë, për prishjen e marrëdhënieve partiake me elektoratin, duke mos u shqetësuar aspak për shqetësimet, pakënaqësitë e qytetarëve. Prandaj, sot, do të mblidhet Kryesia e PS-së, ndërsa të premten, më 28 do të mblidhet Asambleja Kombëtare. Priten të bien “koka” drejtuese brenda strukturave të partisë, për të dhënë imazhin politik tek elektorati, se ata ishin përgjegjësit e krijimit të shqetësimeve, të pakënaqësive të qytetarëve për keqqeverisjen… Por, njëkohësisht, sipas burimeve të gazetës “Telegraf” pranë PS-së, në kryesinë e PS-së, sot do të diskutohet edhe çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

Ndryshimet qeveritare

Është hera e parë, pas 5 viteve, që kryeministri Rama ka vendosur të bëjë edhe ndryshime në qeveri, duke pranuar kësisoj, edhe dështimin e disa ministrave te vet. Burime të besuara bëjnë me dije, se kryeministri Rama, mund të bëjë ndryshime rrënjësore, duke larguar të gjithë ministrat, të cilët janë lakuar, qoftë nga akuzat e opozitës për korrupsion, por edhe ata, që janë përgjegjës, të protestave të shumta, sidomos të studentëve dhe banorëve të kryeqytetit. Sot, në kryesinë e PS-së mund të merret vendimi për ndryshimet në qeveri, ndërkohë, që të premten, në Asamblenë Kombëtare, të bëhet analiza e thellë dhe aty të bëhet prezantimi i ministrave të rinj. Mesazhi, që kërkon të përcjellë kryeministri Rama tek studentët dhe qytetarët, me ndryshimet e thella dhe të pritshme në qeveri, është se kryeministri Rama do t’u thotë studentëve, qytetarëve, që ai dhe qeveria reaguan ndaj kritikave, u shkarkuan ministrat përgjegjës.