Kryeministri Rama: Turizmi hap shumë vende pune, duhen profesionistë

526
Sigal

Kryeministri Rama në kuadrin e llogaridhënies, dje u takua me të rinjtë e punësuar të arsimit profesional në Durrës. Kryeministri Rama, ndër të tjera tha: “Ne ishim përpara pak ditësh, në kantierin e kompresorëve të gazsjellësit Trans-Adriatik. Imagjinojeni vetë, saldatorë nga Tajlanda, nga Pakistani, nga Turqia. Në stadiumin e ri kombëtar që po ndërtohet në Tiranë, saldatorët, shumica dërrmuese janë të huaj, që lënë shtëpitë e tyre në vende të largëta, vijnë dhe punojnë në Shqipëri, e cila është ende peng i një prapambetjeje disa dekadash, ku u hap një boshllëk i madh në pikëpamje të profesioneve, të zanateve, që i duhen tregut të punës. Ata që mbarojnë arsimin profesional kanë shumë më tepër mundësi që në një kohë shumë më të shpejtë se të tjerët të fillojnë punë, si në raport me ata që mbarojnë gjimnazin, por dhe në raport me ata që mbarojnë universitetin, sepse në tregun tonë të punës ka shumë vende të lira pune. Pavarësisht se çfarë thonë e çfarë stërthonë e si e sorollatin fjalën ata që nuk e kanë haberin se për çfarë flasin, çdo kompani në Shqipëri, e madhe apo e mesme, ka vende të lira pune. Turizmi, vitin e kaluar ka pasur 42 mijë të punësuar të regjistruar më shumë, nëse marrim të paregjistruarit. Projeksioni i studimeve, të bëra nga organizatat ndërkombëtarë dhe nga ne, është që në 10 vitet e ardhshme mund të shkojë në 250 mijë. Ashtu sikundër këtë vit, vetëm në 3 mujorin e parë kemi 12-13% rritje të numrit të turistëve dhe do të arrijmë mbi 15% rritje. Brenda 5 viteve mund të shkojmë në 10 milionë turistë, por natyrisht na duhen investime, sepse na duhen shtretër. Kemi një numër të kufizuar shtretërish në raport me kërkesën. E dinë shumë mirë edhe ata që kanë investuar dhe investojnë në turizëm, se kur bëjnë kontratat, i bëjnë me një pjesë të asaj që kërkohet, sepse numri që kërkohet është shumë më i lartë. Fluksi i ri turistëve nga vendet nordike, nga Suedia, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Islanda tregon se Shqipëria është krejt e kundërta që shpeshherë, rëndom, një pjesë e jona e pikturojnë. Është një vend i bukur, një vend që ka çfarë ofron dhe një vend ku jo vetëm vijnë, por dhe rikthehen, që është një gjë shumë e rëndësishme. Ama ne duhet të bëjmë shumë më tepër. Për këtë arsye po bëjmë stimulimin maksimal të fuqizimit të industrisë së turizmit, sepse nëpërmjet industrisë së turizmit do të garantojmë një punësim të vazhdueshëm real. 6 kuzhinierë ka këtu, të 6 janë turq, sepse 20 e kusur vite nuk mendoi njeri që të krijonte kushtet për të formuar kuzhinierë në Shqipëri, që të jenë të gatshëm për tregun e punës në Shqipëri. Patjetër që ka kuzhinierë shqiptar fantastik, janë ata që janë rritur nëpër kuzhinat e Italisë apo të Greqisë dhe që një pjesë e tyre kthehen por ama, janë shumë pak në raport me nevojat dhe urdhëro, 6 kuzhinierë turq sepse 20 e ca vite u menduar vetëm si të krijojmë juristë dhe arritëm të kemi numrin më të madh të juristëve për metër katror në botë dhe kemi sistemin e drejtësisë më mizerabël në botë.