Kryeministri Rama thirri sot urgjent Parlamentin për të shkarkuar ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj

599
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Presidenca: Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë

Sot Kuvendi do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të votuar dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për shkarkimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Ky lajm është bërë publik pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së. Përshtypje bën ngutja e madhe që dëfton kryeministri Rama, për ta mbledhur urgjent, në një seancë të jashtëzakonshme Kuvendin, për të shkarkuar ministrin e Brendshëm, Xhafaj, kur të enjten do të ishte seanca e zakonshme e Kuvendit. Siç duket, kryeministri Rama, do të dëftojë ndaj ish-ministrit Xhafaj, me thirrjen urgjente të seancës plenare të Kuvendit, se tashmë ai është i pa dëshirueshëm. Madje, sipas burimeve pranë Grupit Parlamentar të PS-së, kryeministri Rama nuk e ka parë me sy të mirë përkrahjen publike të ish-ministrit Xhafaj për kryebashkiakun Veliaj, prandaj, jo rastësisht dje, kryeministri Rama kritikoi edhe punën e kryebashkiakut Veliaj, në një takim që bëri me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë.

Kryeministri Rama: U shkel Kushtetuta me mosdekretimin e Lleshit

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi dje mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, që të zbardhte edhe lertën që i dërgoi Presidenti Meta për mosdekretimin e Sandër Lleshit për ministër të Brendshëm. Pardje kryeministri Rama me mesazh këshilloi të gjithë deputetët të mos komentonin mosdekretimin nga Presidenti Meta, ndërsa dje, sipas burimeve të gazetës “Telegraf” pranë Grupit Parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama ishte i drejtpërdrejt me deputetet e tij, të cilëve u tha se kreu i shtetit kishte shkelur Kushtetutën me këtë vendim dhe se mazhoranca socialiste do t’i dalë zot librit themeltar të shtetit e nuk do të qëndrojë në pozitat për t’iu diktuar vendimet e saj. Dhe hapi i parë për ta mbrojtur atë është miratimi në një seancë të jashtëzakonshme të martën i dekretit të shkarkimit të Fatmir Xhafaj dhe emërimi i Sandër Lleshit si zv.ministër i brendshëm, me kompetencat për të drejtuar këtë dikaster.

Kryeministri Rama, ndër të tjerash, tha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së: “Nuk jemi për konflikt me Presidentin. Edhe pse vendimi i Presidentit është një ftesë për konflikt, me apo pa dashje, ne nuk duam. Ne kemi detyrë të ezaurojmë çdo mundësi, por nuk do të qëndrojmë në pozitë të diktuar. Emërimi nesër si zv.ministër është fillimi i procesit, jo fundi. Nesër do të fillojmë t’i krijojmë Presidentit bindjen, është hapi i parë. Nesër në seancë do të kërkojmë shkarkimin e Xhafajt dhe pas seancës nesër emërimi i Sandër Lleshit zv.ministër. Ne nuk na dikton askush, jemi shumica, kemi mandat për të udhëhequr Shqipërinë por s’duam konflikt. Ne do rrimë në binarët e Kushtetutës, na takon ta mbrojmë atë. Mos dekretimi i është shkelje e kushtetutës, por mungesa e Gjykatës Kushtetuese na krijon këto probleme, por ne duhet të gjejmë mënyra të tjera. Parlamenti është sovran, merr vendimet e veta”.

Kryeministri Rama paralajmëron pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS: “Nuk mbaron me kaq”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në “Twitter” për vendimet e fundit të mazhorancës, miratimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafajt si dhe emërimin e Sandër Lleshit zëvendës ministër i Brendshëm. “Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër, në 10.00”, shkruan kryeministri.

Kryeministri Rama emëron në Grupin Parlamentar të PS Sandër Lleshin zv.ministër

Kryeministri Rama sërish bën surprizë, teksa emëron në Grupin Parlamentar të PS Sandër Lleshin si zv.ministër të Parë të ministrisë së Brendshme, me kompetenca të ministrit. Kryeminsitri Rama, me këtë emërim, kërkon që të shmangë dekretin e Presidentit Meta, duke mos pranuar që të emërojë emër tjetër si ministër të Brendshëm. Përkundrazi. Kryeministri Rama dha edhe një mesazh, pas mbarimit të mbledhjes të Grupit Parlamentar të PS, teksa shkroi në rrjetin social, se “Kjo punë nuk mbaron me kaq…”, natyrisht, duke i adresuar fjalët tek Presidenti Meta.

Kryeparlamentari Ruçi takohet me Ballën dhe Agaçin, për dekretin e Presidentit

Ruçi takohet me Taulant Ballën

Pas takimit rreth 60-minutësh me presidentin e Republikës, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka zhvilluar një takim me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla si dhe Sekretarin e Përgjithshëm te kryeministrisë Engjëll Agaçi, menjëherë pasi mbaroi edhe mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së. Takimi u zhvillua në zyrën e kreut të Kuvendit dhe burimet bëjnë me dije për gazetën “Telegraf” se në fokus të diskutimit ka qenë refuzimi i Presidentit Meta për të mos dekretuar gjeneralin Sandër Lleshi si ministër të Brendshëm, si edhe për të gjetur formulën ligjore për ta kapërcyer këtë pengesë të dekretit të Presidentit Meta

Reagimi i Presidencës

Presidenti Meta: Nuk do të lejoj asnjë përpjekje sfiduese të Presidentit

Presidenca e Shqipërisë ka zbardhur detaje në lidhje me takimin e djeshëm mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, takim i kërkuar nga kryeministri Rama. Në një reagim të zëdhënësit Tedi Blushi thuhet se: “Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare”. Reagimi i plotë i zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi: Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, i pyetur nga mediat, lidhur me takimin e djeshëm ‘Rama-Meta’, thekson se: ‘Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin ka qenë ezaurues. Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet. Por njëkohësisht, Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes. Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë’.

 

Ish-Presidenti Nishani i përgjigjet Ramës: Ja çfarë kërkova nga Gjykata Kushtetuese në 2016-n

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili iu referua dje ish-kreut të shtetit pas mosdekretimit të Sandër Lleshit në postin e Ministrit të Brendshëm nga ana e presidentit Ilir Meta. Ish-kreu i shtetit, Bujar Nishani ka sqaruar edhe njëherë kërkesën që bëri në 2016-ën pranë Gjykatës Kushtetuese, së cilës iu drejtua për interpretim të kompetencave të Presidentit lidhur me dekretimit të dy ministrave Milva Ekonomi e Arben Ahmetaj. Sipas ish-Presidentit Nishani Gjykata Kushtetuese njoftoi në 2016-ën se nuk mund ta shqyrtonte çështjen, pasi nuk kishte një situatë konkrete. Nishani shton më tej se Gjykata Kushtetuese pretendonte se “duhet të ishim në kushtet e mosdekretimit të ministrave nga Presidenti, pa ta konsideronin që ka një objekt dhe të vendosej të shqyrtohej”. “Ka një korrespondencë dhe përgjigje nga Gjykatën Kushtetuese qe gjendet ne arkivin e Presidencës. Gjykata Kushtetuese njoftoi se nuk mund ta shqyrtonte çështjen, pasi nuk ka një situate konkrete. Domethënë ata thoshin se duhet të ishim në kushtet e mosdekretimit të ministrave nga Presidenti pa ta konsideronin që ka një objekt dhe të vendosej të shqyrtohej. Pra në dhomën e këshillimit ata vendosën për të mos e kaluar në seancë. Kërkesa nuk kishte fare lidhje me bërjen e dekreteve për Ikonomin dhe Ahmetajn, se ato kërkesa nuk ishin për emra konkretë, por kërkohej interpretim i Gjykatës Kushtetuese për ato çështje. Ne e nisëm kërkesën pas dekreteve dhe miratimit të tyre në Parlament”, – deklaroi ish-presidenti Nishani.